Besimtarët e krishterë festojnë sot Krishtlindjen. Teologu Thoma Shkira, në një intervsitë për Report TV, theksoi rëndësinë e kësaj feste si një nga ngjarjet më madhore për të gjithë besimtarët.
Ai u ndal te mesazhi i Kryepeshkopit Anastas, i cili apelon që njerëzit të marrin shembull nga "Princi i Paqes," Krishti, duke theksuar se dashuria duhet të jetë në qendër të jetës sonë.
“Lindja e Krishtit kremtohet me madhështi në kishën ortodokse. Krishtlindja është ngjarja e madhe. Kisha përcjell mesazhet e rëndësishme, Kryepeshkopi Anastas në mesazhin e tij të rastit përmend se ne duhet të jemi më të pashëm duke marrë si shembull princin e paqes Krishtin, dhe njëkohësisht duhet të duam siç na do neve Krishti, njeriu nuk lodhet së dashuri, aq më tepër në këto kohë trazirash”, thotë ai.
Shkira foli gjithashtu për rëndësinë e Kreshmës si një periudhë përgatitore shpirtërore për Krishtlindjen. Ai shpjegoi se kjo kreshmë 40-ditore është një sprovë për besimtarët.
“Kreshma është parapërgatitja për të pritur ngjarjen e madhe të Krishtlindjes, dy janë kreshmat 40 ditore, njëra për pashkën dhe tjetra për Krishtlindjen. Kjo kreshmë është sprovim i çdo besimtari për privuar nga ana materiale disa ushqime dhe për tu sprovuar shpirtërisht me qëllim që të pritet ardhja e Krishtit, kjo është dhurata që i bëjmë Krishtit të lindur i forcojmë sakrificën tonë për ta pritur më denjësisht. Pas kreshmës mund të konsumojmë dhe të gëzojmë ngjarjen e krishtlindjes dhe futemi në një periudhë tjetër 12-ditëshi ku nuk kreshmohet deri më datë 5 janar”, tha Shkira.
Mesazhi i Krishtlindjes, sipas tij, mbetet i përhershëm: dashuri, paqe dhe solidaritet, të mishëruara në jetën dhe mësimet e Krishtit.
"Të jemi pranë njerëzve tanë dhe njerëzve të dashur me qëllim që ti shërbejmë familjes dhe mbarë shoqërisë me qëllim që të kemi një jetë akoma më të mirë.," përfundoi teologu Shkira.