Kristaq Skrami, një drejtor
nën petkun e Dukës

Kristaq Skrami, një drejtor <br />nën petkun e Dukës
Gjashtë vite në zyrën e drejtorit nuk e kanë dembelosur aktorin Kristaq Skrami. Koha e shfaqjeve që dukej sikur ishte ndalur në skenën e Vlorës, u rikthye. Prej fundjavës së kaluar, drejtori i Teatrit Kombëtar, dha tri shfaqjet e tij të para si Duka Glouçester. Një rikthim I fortë në një karakter të fuqishëm, dhe për më tepër që i kërkon sfidën jo vetëm në skenën kombëtare, por edhe atë angleze. Por edhe pse Duka ia doli të drejtonte mbretërinë angleze për dhjetë vjet, nuk ia doli që ta shmangë drejtorin. Gjatë provave gjenerale, aty ku diçka ngecte, Duka dilte nga prapaskena dhe vëzhgonte me syrin e drejtorit se çfarë nuk po shkonte. Një udhëtim i dyfishtë, aspak i lehtë për Kristaq Skramin, por që siç thotë ai vetë, arriti ta çojë deri në fund.
 
Si ndodhi, që ju u gjendët brenda skenës, pas disa vitesh jashtë saj?
Më vjen mirë që e fillojmë intervistën me këtë pyetje dhe duhet të them që në momentin që vendosa të isha pjesë e “Henri VI” padyshim që kanë qenë shumë arsye. Të paktën një vit më parë, unë kam qenë në Londër bashkë me regjsorin Adonis Filipi, ku morëm  përgjigjen përfundimtare që trupa e Teatrit Kombëtar do të ishte pjesmarrëse në Festivalin Botëror të Shekspirit. Natyrisht që kjo ishte një ngjarje shumë e madhe për mua jo vetëm si drejtues,  por dhe si aktor. Më ngacmoi menjëherë. Arsyeja e thjeshtë. Unë ato ditë vizitova edhe Globus Teater dhe të luash aty, në shtëpinë e Shekspirit, është një mundësi që  jo të gjithë aktorët e kanë. Është një skenë dhe një auditor madhështor , i papërsëritshëm. Duke I shtuar  kësaj edhe shumë arsye të tjera si mungesa disavjecare larg skenës vendosa të marr pjesë në “Henri VI”

...Kishit menduar që në fillim se ju do të ishit duka Gloucester apo ishte një zgjedhje e regjisorit?
Kur lexon veprat e Shekspirit, ka një galeri pafund personazhesh. Çfarëdo roli që të marrësh në një vepër, të tij ke çfarë të punosh me rolin, ëhstë një gjuhë e pastër, një grafikë e ndërtuar e rolit, por gjithmonë për të patur edhe një lloj suksesi rolit, natyrisht që duhet edhe t’i përshtatesh, ose të ta përshtasë regjisori karakterin me të dhënat e tua aktoriale. Unë mendoj që Gloucester ishte më afër meje, dhe duke më dhënë këtë rol, unë e regjisori konverguam në një pikë. isha i kënaqur, dhe shpresoj e besoj se kam bërë një rol të mirë.
 
Si e ndërtuat karakterin e Gloucester?
Gjithmonë rolet nga ana profesionale nuk ndërtohen vetëm me atë çfarë shkruan autori në rol. Për të ndërtuar sa më saktë rolin, karakteristikat e rolit duhen gjetur nga batutat apo dialogjet me personazhet e tjerë. Gloucester ka  dy tre monologje, njëri prej të cilëve është shumë i gjatë dhe që në fillim të veprës, çka e bën të vështirë. E vështirë sepse vepra nuk ka arritur pikën e vlimit, është menjëherë pas 16-20 batutave të fillimit. Po ashtu edhe monologu i fundit, por edhe ato cka thonë kundërshtatër e tij, ishin ato që më krijuan të tërën për ta ndërtuar në këtë formë dhe në lloj karakteri. E kam dashuruar që në fillim dhe  jo vetëm për potencën që kishte, si një protector I mbretërisë angleze për një 10 vjet. Kjo nuk është pak për të krijuar bërthamën e rolit dhe atë çfarë duhet t’I thosha spektatorit. Ajo që mua më ngroh janë opinionet e mendimet e kolegëve dhe të spektatorëve pas shfaqjes. Kur njëri prej tyre më tha: “E di që të vjen keq që të vrasin ty!” mendova ia paskam arritur deri diku përderisa një spektaktor arrin t’i vijë keq për personazhin.
 
Cilin prej monologëve e keni më për zemër?
Dy janë, monologu që kam me dukeshën ku ajo vjen për tu rrëfyer para se ta dënojnë dhe monologue i fundit kur i drejtohet mbretit dhe i thotë:”Ah hirësia juaj, këto ditë të rrezikshme janë! Dhe ka një monolog të gjatë, shumë potent, të bukur, ku i drejtohet të gjithë atyre që e akuzojnë duke u bërë një radiografi shumë të saktë të karaktereve të tyre.
 
Ka pasur teatri fërkime mes aktorëve dhe institucionit, ashtu si duka Gloucester… ka pasur momente kur keni bërë krahasime mes punës si drejtor dhe rolit?
Ka qenë një periudhë tepër e ngarkuar më mua. Është një përgjegjësi e jashtëzakonshme të jesh drejtor I tk, por kjo dhjetefisohet me  në një rol të tillë, në një sipërmarrje të tillë, ku duhet të përfaqësosh teatrin shqiptar në një festival ku nuk janë shumë teatro të tjerë europianë.
Padyshim që duke qenë brenda grupit të aktorëve shikoja që kishte mosmarrëveshje, përplasje herë herë artistike, herë herë qejfmbetje, por që besoj se ne i kemi superuar me sukses.
Kam parasysh Jul Qezarin dhe tek monologu i tij ka një sentencë.” Atëherë kur e pa, mbështolli kokën nën tog dhe ra./ Atëherë mosmirënjohja më e rëndë se çdo krah tradhtari e mundi dhe ia theu zemrën. Atëherë Jul Qezari i madh ra/”. Vjen para shprehjes së famshme “Edhe ti o Brut”. E kam si moton time që mosmirënjohja është gjëja më e keqe që mund të ketë njeriu. Ne themi gjithmonë që tradhtia është gjëja më e rëndë dhe e kemi urryer si gjënë më të keqe, por sipas Shekspirit është mosmirënjohja më e keqe se tradhtia.
 
Kur e keni ndier këtë mosmirënjohje?
Unë jam i detyruar në këtë pozicion që jam, që shumë herë ta superoj. Pavarësisht se jam pak inatçi, kush më njeh nga afër, e di që unë nuk e nxjerr këtë inat. Ata që kanë bashkëpunuar me mua e dinë shumë mirë që unë nuk jam hakmarrës.
 
Kështu i keni ruajtur balancat në Teatrin Kombëtar?
Është eksperiencë e përbotshme që drejtori i një teatri duhet të jetë artist, qoftë aktor, qoftë regjisor, qoftë skenograf. Por unë mendoj se është më mirë aktori,  sepse ai është më afër aktorit, I kupton shumë mirë ambiciet dhe hallet apo problemet që ka. Megjithatë  të mbash ekuilibër në një institucion siç është Teatri Kombëtar natyrisht që është e vështirë. Unë nuk di sesa ia kam arritur, sesa i kam kënaqur të gjithë miqtë dhe kolegët e mi, por ajo që më kënaq është se të paktën ka një frymë bashkëpunimi dhe një klimë shumë të mirë artistike.
 
Ka pasur momente kur të shkak të dy pozicioneve do të kishit dashur të mos e kishit këtë barrën institucionale dhe të ishit I përqendruar tek duka juaj?
Padyshim, shumë mirë do të ishte. Por kur je i impenjuar dhe i tensionuar në maksimum edhe rezultatet them që janë pozitive. Është mirë që të themi të kërkosh “llogari” për atë çfarë bëhet në skenë edhe në këtë petk të personazhit, edhe të drejtuesit, për të vetmen arsye sepse duke qenë aty brenda e njeh shumë herë më mirë se ku çalon puna.
 
Kanë qëndruar gjithë kohës mirë me njëri-tjetrin duka dhe drejtori?
Natyrisht që ka pasur momente te tilla, e them me sinqeritet kur mendoja se mbase nuk duhet ta merrja rolin në këtë sipërmarrje kaq të madhe, sepse kishte shumë probleme që duhet të zgjidhja. Por duke e stërforcuar veten, ia dola. Do isha bërë pishman sikur ta lija. Tani them “Jo, kam bërë gjënë më të madhe që nuk jam tërhequr në skenë‘
 
Mungesa e gjatë në skenë çfarë ndjesish ju dha në kthim?
Emocion padyshim, por asnjëherë frikë dhe panik, pavarësisht se u bë një periudhë e gjatë larg skenës. Por emocioni është edhe kur ti luan përditë e në vazhdimësi. Përgjegjësia ka qenë shumë e madhe ndaj vetes sesi do të prezantohesha para spektatorit, dhe a do të pëlqehej ky rol që kisha realizuar. Në një farë mënyre sigurinë ta jep Shekspiri, gjuha e tij, potenca e fjalës, marrëdhënia që ke me rolin, dialogu shumë i mbështetur, konciz dhe thelbësor.
 
Çfarë ju dha dhe çfarë i dhatë Gloucesterit?
Besoj se i jam dhënë tërëisht Gloucesterit. I kam dhënë ndjenjën, potencën, të folurin e saktë skenik, zërin gjithçka.Ndërsa ai më ka mbushur me sigurinë për skenën, me dëshirën për të bërë prapë një rol të këtij niveli apo karakteri.

Do të luani sërish pas këtij roli?
Pas Gloucesterit do të mendohem mirë se çfarë roli tjetër do të marr. Nuk besoj se do të luaj shumë shpejt, nuk besoj se do marr role me radhë. Do të zgjedh. por në kuptimin për të qenë në nivelet e këtij roli

 I druheni atij që konsiderohet si një konflikt interesi?
Ndaj unë thashë që do të zgjedh. Në qoftë se do të ishte pjesë me 6-7 persoanzhe të jeni të sigurtë që nuk do të merrja pjesë, por këtu janë 23 aktorë edhe unë e kam të drejtën si aktor që të luaj. Në pjesë me pak aktorë nuk do merrja pjesë sepse do të mendohej se i kam rënë në hak dikujt. Këtu nuk i kam rënë në hak askujt.
 
Si ishte marrëdhënia skenike me Yllka Mujon?
Padyshim që marrëdhënia që ke në skenë me partnerin është vendimtare aq më shumë kur ke përballë një aktore të kalibrit të tillë siç është Yllka Mujo. Marrëdhënia mes dukës dhe dukeshës është tragjike, kur të dy largohen; ajo e dënuar dhe ai pak më vonë nga kjo ndarje bën akuzën e fundit ndaj komplotistëve… për tu ekzekutuar më pas. Unë e kam ndier veten shumë mirë në raport me Yllkën dhe shumë herë kam pasur ndihmën e saj për rolin. Edhe vendosja që nga bëri koreografia ishte jashtë shablloneve. Pavarësisht se ishim në distancë me njër -tjetrin, jemi ndier shumë pranë.

  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?



×

Lajmi i fundit

Eliminimi nga Champions League, Luis Enrique: Futbolli është i padrejtë

Eliminimi nga Champions League, Luis Enrique: Futbolli është i padrejtë