Pretenca e sotme e prokurorëve në Hagë nuk ishte surprizë, por thjesht stacioni i radhës në një proces të gjatë që kishte humbur që herët busullën morale. Sot nuk u dëshmua drejtësi, por u prodhua një alibi për dështimin e paralajmëruar. Dhe kur drejtësia shndërrohet në ritual, ajo nuk bind më askënd.
Kriza nuk fillon sot, as me këtë vendim. Ajo erdhi hap pas hapi, seancë pas seance, në emër të një drejtësie që nuk arriti asnjëherë të jetë e tillë, por u bë gjithnjë e më e zbrazët. Kur gjykimi shkëputet nga e vërteta dhe procedura zë vendin e drejtësisë, dështimi nuk është më rrezik — është fundi. Haga nuk u përplas papritur me dështimin e saj; ajo po ecën qorras drejt tij prej vitesh, duke dashur të mbyllë dosje, por duke hapur plagë që nuk shërohen me aktgjykime.
Që në zanafillë, askush nuk ka arritur të shpjegojë qartë pse u krijua kjo gjykatë, trup i huaj në shpinë të Kosovës. Zyrtarisht, për të trajtuar krime dhe për të përmbushur standarde ndërkombëtare. Në praktikë, ajo u kthye në një strukturë që nuk solli dhe nuk deshi paqe, nuk ndërtoi pajtim dhe nuk ndikoi aspak për një pakt moral. Kosova i kishte tejkaluar me kohë ato që Haga nuk arriti ose nuk deshi t’i kuptojë. Përkundrazi, e mbajti peng për vite me radhë, duke e lidhur me një proces të ftohtë, të gjatë dhe të njëanshëm.
Kjo prokurori, ashtu siç erdhi, ashtu mbeti deri në fund: trup i huaj në shpinë të Kosovës. Nuk u ndërtua mbi nevojën, standardin apo ndjeshmërinë juridike dhe shoqërore të vendit. Nuk arriti dhe as u përpoq të kuptojë realitetin e një lufte për mbijetesë. Erdhi me një ide të ngulitur se lufta duhej parë si krim, jo si reagim ndaj pushtimit, masakrës dhe kolonializmit. Dhe këtë ide e ndoqi dhe e rikrijoi me këmbëngulje, pavarësisht kontekstit dhe dëshmive historike.
Fillimisht bëri ndalimet, pastaj për vite formuloi akuzat. Në mënyrën se si u ndez procesi, dukej se më shumë i interesonte një “show politik”, për të ndaluar një marrëveshje historike në Uashington, sesa për të ndihmuar procesin e pajtimit që pretendon. Njerëzit u arrestuan dhe më pas u kërkua neni ligjor për ta justifikuar këtë veprim — një përpjekje për të veshur me ligj një vendim të marrë më parë.
Në vend që të ndihmonte pajtimin mes palëve të dala nga lufta, kjo prokurori e bllokoi atë. Nuk ndërtoi ura, por mure. Lufta u paraqit sikur të gjitha palët të kishin të njëjtën përgjegjësi morale, sikur pushtimi dhe rezistenca të ishin dy anë të barabarta të së njëjtës histori. Ky barazim artificial, që vetëm Haga mund ta arrijë, është shtrembërimi më i rrezikshëm që mund t’i bëhet luftës dhe së vërtetës.
Haga nuk e lexoi kurrë luftën. Statistikat për Kosovën janë të njohura dhe të dokumentuara gjerësisht: me mijëra civilë të vrarë; mbi 800 mijë njerëz të dëbuar nga shtëpitë e tyre gjatë viteve 1998–1999; qindra fshatra të djegura ose të shkatërruara; qindra raste përdhunimesh të dëshmuara si armë lufte. Këto nuk janë shifra emocionale, por fakte të pranuara ndërkombëtarisht. Por në sallat e gjykimit, ato u trajtuan si sfond, jo si thelb. Vetëm Haga mund ta bëjë këtë.
Procesi gjyqësor u shndërrua në një maratonë teknike. Qindra dëshmitarë u dëgjuan. Mijëra orë seanca u zhvilluan përgjatë viteve, shpesh të mbushura me debate procedurale, përkthime të shtrembëruara, fjalosje të turbullta dhe lexime dokumentesh. Gjykimi u zgjat jo për të ndriçuar të vërtetën e plotë të luftës, por për të ndërtuar një rrëfim të ngushtë, të fokusuar vetëm te njëra palë.
Dëshmitarët e akuzës, të lodhur, të shpërndarë apo të mbuluar, duket se u ripërgatitën në korridore larg Kosovës. Dëshmitë e tyre u filtruan dhe u përshtatën me nevojat e procesit. Ndërsa dëshmitarët e mbrojtjes, të gjithë me vullnet të plotë e me dëshirë — heronj dhe simbole të kohës së luftës — rrëzuan si kështjella rëre muret e akuzës. Por prokurorët duket se nuk arritën ta dëgjojnë të vërtetën. Këto dëshmi nuk u bënë kurrë bosht i gjykimit, në përputhje me skedarin për një rezultat të paracaktuar.
Dosjet u mbushën kryesisht me materiale që erdhën nga Beogradi, dokumente nga arkiva shtetërore të një vendi palë në luftë, që ende nuk është përballur seriozisht me krimet e veta. Haga u ushqye me materiale të agresorit dhe ato u paraqitën si neutrale.
Kjo prokurori e quajti UÇK-në “ndërmarrje kriminale” dhe luftën e saj çlirimtare e uli në nivel bandash. Harroi kontekstin. Harroi viktimat. Harroi faktin bazë: pa atë luftë, Kosova nuk do të ekzistonte sot si shtet. Një gjykim i shtrembëruar juridik; një rishkrim i rrezikshëm i historisë.
Ironia është se Kosova sot është më përpara se kjo gjykatë. Ajo nuk priti Hagën. Është një shoqëri që, me gjithë plagët e luftës, po ndërton bashkëjetesë. Pakicat po integrohen gjithnjë e më shumë në jetën publike. Jeta po ecën përpara. Ndërsa kjo gjykatë mbeti e mbyllur në skema të vjetra, pa ndjeshmëri dhe pa guxim për të parë realitetin e plotë. Çdo lloj vendimi mund të kënaqë vetëm Hagën, për të dëshmuar se “është aty”, në një kohë kur bota po e injoron gjithnjë e më shumë, edhe tani që luftërat janë në oborr.
Qëllimi i Hagës duket i qartë: të justifikojë ekzistencën e vet dhe të prodhojë një qetësi artificiale për një Europë ende të dyzuar për rolin e saj në luftë. Një qetësi proceduriale, që nuk shëron asgjë dhe nuk sjell asgjë në procesin e pajtimit afatgjatë.
Haga nuk po përjeton një keqkuptim. Ajo po përjeton një krizë të paralajmëruar, një dështim. Dhe çdo vendim i ri nuk e zgjidh këtë krizë — vetëm e thellon. Sepse drejtësia që humb lidhjen me të vërtetën humb edhe legjitimitetin. Dhe ky është dështimi më i madh që një institucion mund të ketë.
Përballë dështimit të Hagës, shqiptarët nuk kanë pse të ulin kokën. Lufta nuk kërkon leje nga sallat e gjyqit për të qenë e drejtë. Ajo u bë për të mbijetuar, për të mos u zhdukur, për të jetuar të lirë. UÇK-ja nuk ishte projekt kriminal, por përgjigje historike ndaj dhunës dhe pushtimit. Heronjtë e rënë nuk kanë nevojë për rehabilitim juridik; ata janë rehabilituar nga sakrifica. Të gjallët nuk kanë pse të kërkojnë falje për rezistencën. Historia e vërtetë nuk shkruhet me dosje selektive, por me kujtesë kolektive, me varre të hapura, me shtëpi të djegura dhe me një popull që zgjodhi të mos dorëzohej. Hagës mund t’i mbyllen çështjet; shqiptarëve nuk u mbyllet e vërteta. Dhe kjo e vërtetë, pavarësisht çdo aktgjykimi, mbetet e gjallë, e drejtë dhe e palëkundur.
Jam UÇK!
Komente










