Kristjan Asllani mund të quhet pa frikë edhe zyrtarisht si mesfushori më i ri i Besiktasit në Superligën turke të futbollit. 23-vjeçari me origjinë nga Elbasani ka zbarkuar tanimë në Stamboll, aty ku më pas do i nënshtrohet testeve mjekësore dhe firmës në kontratë për t'u bashkuar më pas në stërvitje me trajnerin Sergen Yalcın.

"Kristjan Asllani, futbollisti profesionist, me të cilin nisëm negociatat për transferimin, ka mbërritur në Stamboll për të vazhduar negociatat dhe për të kaluar përmes kontrollit mjekësor", bën me dije klubi turk.

Besiktasi ia doli t'i mbushte mendjen Asllanit për një huazim deri në verën e 2026, ndërsa klubi turk ka të drejtën e blerjes finale nëse do bindet nga cilësitë e shqiptarit.

Gjashtë muajt e kaluar Asllani i kaloi në huazim nga Interi te Torino, por forma jo e mirë bëri që ai të rikthehej te zikaltërit, duke nisur tanimë një tjetër huazim, por në Turqi.

Udhëtimi i Asllanit drejt Stambollit ishte planifikuar për të enjten në mbrëmje, por një defekt në avion bëri që nisja nga Milano të shtyhej për sot. Besiktasi do paguajë pagën e plotë të shqiptarit për muajt që do e ketë në dispozicion, ndërsa gjatë verës që vjen mund ta blejë nga Interi pasi palët kanë vendosur edhe këtë pikë në kontratë, por jo me detyrim.