Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka zhvilluar një intervistë paraditen e së shtunës në një televizion grek, ku ndër të tjera, pati edhe një reagim për homologun shqiptar, Edi Rama, në lidhje me origjinën e grekëve.

Batutat e shkëmbyera nga Rama në Abu Dhabi me moderatori greku John Defterios, u trajtuan si ironi dhe ofendime për të dhe Greqinë.

Mitsotakis deklaroi se Ramën e njeh prej vitesh dhe se është politikan me një me një mënyrë të veçantë shprehjeje.

“ E njoh atë prej shumë vitesh dhe është një politikan me një mënyrë të veçantë shprehjeje, shpesh thotë gjëra që nuk duhet t'i thotë. Këtë herë bëri një gabim, të cilin megjithatë e kuptoi dhe e korrigjoi.”, tha Mitsotakis.

Kryeministri grek shtoi se donte që kjo çështje të ishte tashmë e mbyllur.

Mediat greke iu referuan organizimit në Abu Dhabi ku pjesë e panelit të moderuar nga John Defterois, ishte kryeministri Edi Rama dhe ai i Malit të Zi Milojko Spajiç.

Fillimisht gazetari u korrigjua nga dy kryeministrat për shqiptimin e emrit “për shkak të origjinës” tha Rama, më pas diskutimi u zhvendos në fushën e ekonomisë. Gjatë një diskutimi shifrash për një projekt të Shqipërisë me Arabinë Saudite, Rama e korrigjoi shifrën, duke theksuar se bëhej fjalë për mbi 1 miliard euro, dhe shtoi: “Kur flisni për paratë tuaja, shtoni tre zero. Kur flisni për paratë e të tjerëve, hiqni tre zero.”

Në këtë kuadër diskutimesh, Rama iu drejtua gazetarit Defterios duke i thënë "ti nuk je pasardhës i Platonit dhe Aristotelit siç mendon".

“Mendoni se keni monopol mbi filozofinë dhe jeni trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Platonit dhe Aristotelit, por nuk jeni”, ishte deklarata e shkëputur nga Edi Rama, i cili iu drejtua gazetarit greko-amerikan John Defterios pasi ky i fundit i shqiptoi emrin gabim.

“Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi!

Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh”, ishte reagimi i kryeministrit Rama pas kryqëzimit nga mediat greke.