TIRANË- Në vendimin e zbardhur për rastin Balluku, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar qartë se një ministër mund të pezullohet nga detyra gjatë një hetimi penal dhe për këtë masë sipas saj nuk kërkohet autorizim nga Kuvendi. Sipas vendimit, pezullimi është një masë e përkohshme që synon të mbrojë hetimin dhe nuk përbën cenim të institucionit apo shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se as anëtari i Këshillit të Ministrave nuk përjashtohet nga llogaridhënia dhe përgjegjësia.
Në vendim theksohet se Kushtetuta i përcakton shprehimisht rastet kur nevojitet leja e Kuvendit, pasi në bazë të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale nuk lejohet pezullimi nga detyra vetëm i deputetit, kryebashkiakut dhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Në këtë nen nuk parashikohet qartë se Gjykatat nuk mund të pezullojë nga detyra një ministër dhe për këtë arsye, Kushtetuesja argumenton se “një normë ligjore nuk mund të shërbejë si burim për t’i dhënë përmbajtje ose për të zgjeruar kuptimin e një norme kushtetuese përkundrazi, është norma kushtetuese ajo që përcakton kuadrin dhe kufijtë brenda të cilëve duhet të interpretohet dhe zbatohet legjislacioni i zakonshëm. Për rrjedhojë, dispozita e mësipërme nuk mund të konsiderohet pjesë e regjimit kushtetues të imunitetit, i cili është i përcaktuar në mënyrë shteruese nga Kushtetuta.”
Sipas kuadrit kushtetues në fuqi, Gjykata thekson se për pezullimin nga detyra të një ministri nuk kërkohet autorizim nga Kuvendi, pasi një detyrim i tillë nuk parashikohet në Kushtetutë. Ajo nënvizon se nëse do të synohej shtimi apo ndryshimi i rasteve kur nevojitet leje parlamentare për masën e pezullimit, kjo mund të realizohet vetëm përmes ndryshimit të Kushtetutës dhe këtë nuk mund ta bëjë vetë Gjykata Kushtetuese.
“Në respekt të epërsisë së Kushtetutës dhe të kufijve që ajo vendos për ushtrimin e pushtetit publik, shtimi ose zgjerimi i rasteve kur kërkohet autorizim paraprak i Kuvendit nuk mund të realizohet nëpërmjet interpretimit gjyqësor, por vetëm nëpërmjet një ndërhyrjeje të shprehur në nivel kushtetues”, thuhet në vendim.
Sa i takon rastit të Ballukut, gjyqtarët kushtetues nuk e arritën shumicën duke sjellë rrëzimin e kërkesës së kryeministrit Rama dhe rikthimin në fuqi të masës së pezullimit të Ballukut. 4 prej gjyqtarëve argumentojnë se për pezullimin e një ministri nevojitet autorizimin nga Kuvendi, ndërsa 4 thonë se nuk nevojitet autorizim nga Kuvendi.
Pjesë nga argumentimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin e Ballukut
56. Gjykata vëren se ndërsa neni 242, pika 1, i KPP-së ka parashikuar se me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to, pika 2 e tij përcakton se masa ndaluese e pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral. Duke qenë se masa e pezullimit nga detyra nuk gjen zbatim ndaj një kategorie të caktuar personash, Gjykata çmon të analizojë në vijim nëse në regjimin kushtetues të imuniteteve të ministrit, ashtu sikurse edhe në atë të deputetit, përfshihet apo jo garancia e parashikuar në nenin 242, paragrafi 2, të KPP-së.
57. Gjykata vlerëson se kjo dispozitë ligjore, për nga natyra e saj, përbën një përjashtim të karakterit procedural, i cili nuk gjen mbështetje të drejtpërdrejtë në tekstin kushtetues për sa u përket deputetëve ose ministrave. Në këtë kuptim, Gjykata thekson se një normë ligjore nuk mund të shërbejë si burim për t’i dhënë përmbajtje ose për të zgjeruar kuptimin e një norme kushtetuese përkundrazi, është norma kushtetuese ajo që përcakton kuadrin dhe kufijtë brenda të cilëve duhet të interpretohet dhe zbatohet legjislacioni i zakonshëm. Për rrjedhojë, dispozita e mësipërme nuk mund të konsiderohet pjesë e regjimit kushtetues të imunitetit, i cili është i përcaktuar në mënyrë shteruese nga Kushtetuta.
58. Për sa më sipër, në përfundim, Gjykata vlerëson se neni 242, pika 2, i KPP-së përbën garanci të veçantë procedurale për të zgjedhurit sipas ligjit elektoral. Kjo dispozitë lidhet me mbrojtjen e funksionit përfaqësues dhe me respektimin e parimit të sovranitetit popullor, të sanksionuar në nenin 2 të Kushtetutës, sipas të cilit sovraniteti i përket popullit dhe ushtrohet prej tij përmes përfaqësuesve të zgjedhur. Ashtu siç ka pohuar Gjykata, zgjedhësit delegojnë të drejtën tek i zgjedhuri, që ai të vendosë mbi çështje që lidhen me qeverisjen e vendit. I zgjedhuri ka detyrimin e përfaqësimit real të zgjedhësve dhe mandatin e besuar nga zgjedhësit është i detyruar ta ushtrojë realisht (shih vendimin nr. 4, datë 23.02.2011 të Gjykatës Kushtetuese). Për shkak të këtij parimi, garancia ligjore e nenit 242, pika 2, të KPP-së nuk mund të interpretohet si një zgjatim i regjimit të imunitetit përtej kufijve kushtetues, por duhet të kuptohet në funksion të garantimit të integritetit të mandatit përfaqësues dhe të vullnetit të zgjedhësve.
59. Gjykata lidhur me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, të sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës, është shprehur se sipas tij asnjë organ, në përbërje ose jo të një prej tre pushteteve, nuk mund të ndërhyjë në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve që sipas rastit do të përbënin objektin qendror të veprimtarisë së organeve ose institucioneve të tjera kushtetuese. Gjithashtu, Gjykata ka vlerësuar se ai shtrihet jo vetëm ndaj tri degëve të pushtetit: ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, por edhe ndaj organeve të tjera kushtetuese të pavarura, kompetencat e të cilave janë të parashikuara nga dispozitat e Kushtetutës (shih vendimin nr. 15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese).
Lajmi në përditësim....

Kliko këtu për dokumentin e plotë
Komente










