Siç thuhet “moti duket që herët në mëngjes”! Para disa javësh, me rastin e startit përçmues të projektit mbi “Restaurimin e Kishës së Labovës së Kryqit” nga Ministria e Kulturës pata reaguar me një shkrim qortues dhe paralajmërues (Gj. Frashëri, Miniera e arit e Xhek Londonit në Labovë të Kryqit, gaz. Panorama 26 Shkurt 2017). Kërkoja që ajo të bënte kujdes dhe ta merrte seriozisht operacionin për “restaurimin e këtij thesari të rrallë të trashëgimisë” shqiptare dhe asaj botërore bizantine. Kritika ime ishte një denoncim - më saktë një akuzë paralajmëruese për “mungesën e respektit që po tregonte sheshit Ministria e Kulturës me ministreshën në krye qysh në fillesën e punës restauruese të kishës (monument kulture), duke ndërtuar një skeleri me rampë qesharake në vend të një të tille standarde metalike”. Ishte rasti si të thuash, kur kirurgu kishte zgjedhur për të operuar një personalitet të vendit, jo në sallën e operacionit shkencor, por në haurin e lopëve, megjithëse paratë ishin paguar për ta bërë operacionin në sallën e spitalit. E theksova atëherë këtë akt si mungese respekti që shfaqej sheshit duke përçmuar restaurimin e kësaj vepre të rrallë dokumentare historike të vendit. E denoncova gjithashtu, si shembull për nivelin e ulët të etikës profesionale të Institutit të Monumenteve të Kulturës që udhëheq dhe kontrollon tërë veprimtarinë e restaurimit të monumenteve në Shqipëri, të korruptuar tashmë prej kohësh. Prej vitesh ato furnizojnë pandërprerë me tendera firma dashnore ndërtimi“private” që i kanë dekoruar me “licenca për restaurime”, kujdesen t’i bëjnë njëkohësisht anëtare të këshillave shkencore institucionale ku organizohen dhe miratohen projektet e restaurimit, në të njëjtën kohë edhe anëtare të këshillave kombëtare restauruese ministrore ku bëhet ndarja e detyrave macro dhe micro politike dhe merren vendimet mbi projektet, pa harruar t’i përfshijnë në mjedisin vicioz që të gëzojnë bashkërisht përfitimet financiare të punës në terren, edhe pse në dëm të kualitetit profesional dhe etik të rezultatit restaurues.
Duke lexuar “Alarmin” tënd u binda se “moti i keq në restaurimin e Kishës së Labovës ishte paralajmëruar në mëngjesin tim”. Fotot e paraqitura ( Facebook “Labova e Kryqit”, dt.11.04.2017) tregojnë sheshit se si restauratorët me bisturi kirurgjikale po e përgjakin këtë monument, duke e reklamuar në të njëjtën kohë si “arritje dhe sukses në teknikën e restaurimit të monumenteve”. “Arritje” ata quajnë “heqjen e sipërfaqeve dekorative origjinale të fasadës së Kishës dhe ribërjen e tyre” me materiale të ngjashme - të prodhuara në kohën e sotme. Në foton Nr. 1 tregohet heqja e lëkurës së fasadës me dekor keramoplastik, një prodhim historik me moshë rreth njëmijë vjeçare, si dhe thyerja (këputja) e tullave origjinare të rreshtave horizontale në brendinë e muraturës. Zoti na ruajt! Pse është shkulur veshja origjinare me dekorin keramiko-plastik nga fasada e kishës? Dhe përse janë këputur tullat e rreshtave horizontale? Një ndërhyrje e tillë e dhunshme nuk është parashikuar as në projektin e restaurimit.
Më qartë ky proces shihet në foton nr. 2, ku njëra shigjetë tregon tullat e rreshtave horizontale të muraturës të këputura me dashje nga vetë muratori, ndërsa shigjeta tjetër tregon ribërjen e fasadës duke vendosur vertikalisht tashmë tulla të reja të plota, ndërsa me copa tullash të prera enkas bëhet plotësimi i rreshtave horizontalë. Pra, kemi një akt të qartë kirurgjikal, ku ç’vishet fasada nga muratura keramiko-plastike origjinale dhe të imitohet ajo duke u ribërë një fasadë me materiale të reja?
Edhe më qartë është sqaruar kjo ndërhyrje kirurgjikale në skicën 3 ku tregohet në mënyrë skematike – “prishja e fasadës” përmes “këputjes së tullave origjinale” me mjete mekanike dhe “riveshja e fasadës” përmes sjelljes se tullave të prodhimit të ri dhe “filetove plotësuese fallco”.
Pa diskutim i nderuar koleg, “metoda prishje-ribërje” e sipërfaqeve të fasadave të një monumenti kulture, aq më tepër në rastin e kësaj kishe me potencial shembullor në mbarë arkitekturën sakrale bizantine përbën në teorinë dhe praktikën e Restaurimit një masakrim rrëqethës të dokumentit historik. Kujtojmë, se restaurimi ka për qëllim të mbrojë autenticitetin (origjinalitetin) e vlerave dokumentare, për të cilin ai është përzgjedhur dhe shpallur monument kulture. Restaurimi nuk ka për qëllim t’i tjetërsojë këto vlera origjinare, as t’i prekë ato për t’i “zbukuruar”, as të prishë veshjen historike të fasadës origjinare dhe të rindërtojë një plastikë të ré në imitim të saj. Ai është një ndërhyrje (operacion) e diktuar si domosdoshmëri për t’i zgjatur jetën një monumenti, kur mirëmbajtja dhe konservimi i vazhdueshëm nuk është më i mjaftueshëm. Por detyra themelore e restaurimit mbetet mbrojtja me besnikëri e tërësisë së monumentit si dokument, ashtu siç ka ardhur nga epokat historike. Në vendet evropiane ku shkenca e mbrojtjes së monumenteve i ka ende themelet mbi Kartën e Restaurimit të Venecias, një rast i tillë ka si konsekuencë heqjen e licencës së restaurimit operatorit që kryen procesin (Firma e Licencuar Restauruese) dhe kallëzimin penal të institucionit shtetëror Vendimmarrës (në Shqipëri është Këshilli Shkencor i Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimit pranë Ministrisë së Kulturës).
M’u desh të verifikoja paraprakisht - përse u shkulën sipërfaqe nga fasada origjinale njëmijëvjeçare e kishës dhe u zëvendësuan ato me copa fasadash të réja (fringo)? Mund të them me siguri, se kjo shkulje jo vetëm nuk ka qenë e nevojshme, por nuk ka pasur kurrfarë shkaku të domosdoshëm që të zhdukej pjesa origjinare e dokumentit dhe të zëvendësohej me pjesë të ré? Siç e dimë, restaurimi nuk është arkeologji, ku në të shumtën e rasteve ndeshesh me të papritura. Fasadat e Kishës së Labovës së Kryqit nuk mbulojnë shumë të panjohura për syrin e restauratorit. Përmes një procesi gjurmimi tekniko-shkencor dhe laboratorik kurrsesi nuk mund të zbulosh sëmundje të tilla në to, që të projektosh operacione për shkuljen e lëkurave të fasadës. E shumta mund të konstatosh aty-këtu ndonjë tullë me lidhës të dobësuar nga koha, por për këtë ka përforcime, konsolidime, injektime parciale të natyrës infermierie, që e sigurojnë qëndrueshmërinë e tyre, pa qenë nevoja që këto tulla të shkulen dhe të zëvendësohen me tulla të huaja. Këtë e vërteton edhe vetë projekti i restaurimit të Kishës së Labovës së Kryqit, ku nuk figuron asnjë ndërhyrje e tillë brutale! Të paktën, kaq e di restauratori i vjetër Meksi duke qenë në rolin e konsulentit të projektit!
Pyetja shtrohet - kur projekti nuk parashikon një ndërhyrje të këtij lloji, pse ajo kryhet direkt në monument? Kjo nuk është hera e parë që ndodh me “restaurimet” e Ministrisë së Kulturës. Në këto katër vjet (2013-2017) janë propaganduar shumë restaurime monumentesh kulture si dhe gërmime arkeologjike prej saj, ku tjetër shkruhet në projekt, tjetër bëhet në realitet. Di të m’ë tregosh i nderuar koleg një restaurim profesional të kryer nga Ministria e Kulturës në këtë periudhe në kuptimin e respektimit dhe ruajtjes me besnikëri shkencore të historisë dhe vlerave dokumentare të monumentit? Të kujtoj njërin nga shembujt më bashkëkohorë -“restaurimin” legjendar të Hamamit të Krujës, një fallsifikim i pashembullt i dokumentit historik, gjellë e pakapërditshme e gatuar nga një grupim me guximin e injorantit të provincës. Për të marrë të drejtën që të propagandojnë se po bëjnë restaurime, këta të dekoruar më licenca ministrore kanë shpikur terma të tilla si “rivitalizim”, apo “rijetëzim”, apo “ringjallje”, apo “rilindje”, apo “rishikim”, e shumë të tjera. Deri aty sa edhe “rrjepjen makabre të lëkurës dhe nënlëkurës” së Kishës së Labovës, ministresha e ka futur në listën e “restaurimeve të suksesshme” të qeverisë dhe karrierës së vetvetes.
Besoj i nderuar Reshat, se edhe ti e ke pyetur veten, pse u bë ky “zëvendësim” i sipërfaqeve të fasadës të monumentit dhe kush vendosi që të kryhet ky zëvendësim vullnetar (pa diktat të domosdoshëm restaurimi). Natyrisht ka një arsye, një qëllim, sepse askush nuk derdh pará për akte pa qëllim, pa piksynim. Lepuri fle diku! Pse duhet ta zhdukësh lëkurën e ndërtesës e pajisur me informacionin origjinal dokumentar historik, kur ajo është pjesë e vlerës për të cilën Kisha e Labovës së Kryqit është shpallur monument kulture? Është shkelje flagrante e kritereve dhe ligjësisë së mbrojtjes së monumentit t’i bësh atij një fasadë të ré, kur vlerën e tij e përbën patina historike që ai paraqet sëbashku me substancën e bërthamës ndërtimore, teknikën dhe materialet e realizimit të tij. Nuk të jep kush të drejtë të deformosh një dokument historik, duke i shtuar atij atë që ai nuk e ka pasur, e cila jo vetëm nuk është e nevojshme, por i zhduk atij vlerat dokumentare historike? Atëherë kush merr guximin ta bëjë këtë?
Pavarësisht se i gjithë ky “sakatim” i monumentit, siç e cilëson ti me të drejtë i nderuar koleg, po bëhet jashtë projektit, nuk mund të themi se ai është jashtë vëmendjes së udhëheqjes së Ministrisë së Kulturës dhe kontrollit të IMK. Mjafton të shohësh dhjetëra foto në Facebook (Kisha e Labovës së Kryqit) se si ministresha e kulturës zonja Kumbaro shfaqet herëpashere tejet e lumtur bashkë me drejtoreshën e IMK zonjën Dollani duke vallëzuar mes fasadave të falsifikuara të Kishës së Labovës së Kryqit, tashmë të “restauruara” nga restauratorë grekë, të drejtuar nga zoti Piro Thomo dhe sipas projektit - nën konsulencën e zotit Aleksandër Meksi. Madje marrim vesh se projekti nuk është bërë nga një restaurator përgjegjës, por nga gjashtë të paraqitur si të tillë (tre arkitektë dhe tre inxhinierë), prej të cilëve nuk dalloj ndonjë syresh që të jetë restaurator i mësuar në profesion. E kam fjalën, se vetëm një koalicion i përzgjedhur me të tillë projektues “illustri ignoti” të restaurimit mund të marrë guximin për të gërryer dhe rrjepur deri në kockë “të shtatë lëkurat autentike historike” nga Kisha e Labovës së Kryqit dhe t’i zëvendësojnë ato me “shtatë lëkura të reja nga Koha e Artë e Rilindjes së Restaurimeve” që po përjetojmë dhe po “mësojmë” pa pushim.
Me këtë u binda edhe më shumë i nderuar koleg, përse projekt-studimi tënd korrekt profesional për zbulimin e shkaqeve problematike për restaurimin e kishës, u mënjanua me prepotencë nga turni aktual ministror. Sepse siç rezulton sot, kirurgët rilindas kishin si qëllim, që përmes një projekti të vet “restaurimi”, të kryenin në Kishën e Labovës së Kryqit edhe operacionet plastike nëpërmjet projektit që po zbatojnë aktualisht nën drejtimin e zotit Piro Thomo. Me projekt-studimin tënd kjo ishte e pamundur. Jam në llogoren tënde për kallëzimin penal që i ke bërë në kohën e duhur këtij projekti të fundit me titull “Praktikë abuzive tenderimi e bërë nga Bashkia e Libohovës”, të cilin e ke shoqëruar edhe me oponencën profesionale me shpjegime mbi dëmtimet që sjell ky projekt kriminal. Të përgëzoj për këtë qëndrim dhe mos u ep! Sepse vërtet nuk është koha e profesionistit dhe e punës së tij, por koha e projekteve politikë që shpërfytyrojnë dokumente nga origjinaliteti. Nuk është as koha e mbrojtjes së monumenteve, por e atentateve ndaj tyre. Por koha e mbrojtjes së monumenteve të kulturës nga profesionistët është e përjetshme.
Së fundi një pyetje prej meje. Me siguri e ke vënë ré i nderuar koleg, që disa ditë më parë është ngritur një skeleri-perde cilindrike rreth e rrotull tamburit të Kishës së Labovës së Kryqit, e lartë sa ka mbuluar edhe majën e kupolës së saj (Fig. 4). Jo vetëm pse shfaqet me pamje provokuese pasi duket sheshit se nuk i shërben ndërtimit, por është edhe e mbyllur me rrjetë plastike si një perde verbuese për shikuesin, që ai të mos shohë nga larg se çfarë po bëhet brenda saj. Po çfarë po gatuhet vërtet brenda asaj perdeje cilindrike? Çfarë po i punojnë kirurgët me bisuri Tamburit të kishës dhe Kupolës sipër saj – mbrapa perdes? Po e përgjakin edhe qafën e kishës - tamburin me kupolën mbi kokë? Edhe atyre po u bëjnë operacion plastik? Si ta marrim vesh? Diçka po tjetërsohet mbrapa perdes, prej asaj që ka ardhur nga historia! Sot në Shqipërinë e epokës së Janullatosit nuk do shumë punë të kthesh një kishë shqiptare ortodokse (bizantine) që vjen e tillë nga historia prej shekujsh - në një kishë greke! Mjafton t’i ribësh fasadat në emër të “restaurimit” dhe është zhdukur vjetërsia e saj...natyrisht edhe autorësia e saj. Fare pak janë ata që kuptojnë efektin e këtij lloj operacioni plastik. Mjerisht shumë më pak kanë mbetur ata që kanë fuqi ta pengojnë.
Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com