Roli i Sali Berishës, kriza në Partinë Demokratike dhe mungesa e një strategjie të qartë në protestat e tij anti-qeveritare ishin në qendër të debatit të së mërkurës në emisionin Studio Live në Report TV, ku u analizua përse opozita vijon të mbetet e përçarë dhe pa drejtim të qartë politik.
Ish-kandidati për kreun e PD, Bujar Nallbani, lëshoi akuza të forta ndaj Berishës dhe mënyrës si drejtohet partia.
“Ai është shpallur non-grata pa qëllim. Me gjithë miliardat që hedh nëpërmjet Mediut nuk ia del. Ai ka një kloun si Fatmir Mediu që shkon në Departamentin e Shtetit dhe paguan e bën çorba pa arritur një qëllim të caktuar. PD është një parti e degraduar dhe prodhon vetëm kaos në parlament, në rrugë”, tha ai.
Në të njëjtën linjë, por me një tjetër qasje, gazetari Isa Myzyraj theksoi se opozita ka dështuar të ndërtojë një strategji efektive, sidomos për protestat.
“Ne jemi një popull që protestojmë vetëm kur na thërret një parti politike. Në këto vitet e fundit, PD sa herë ka bërë aksione të mëdha, nuk ka pasur një strategji daljeje. Që të protestosh duhet që të kesh hyrjen, kulmin dhe daljen. Këta dalin çdo dy javë në protest pa një qëllim kryesor. Përse po proteston? Për të larguar Ramën? Nuk ikën Rama! Ai është kryeministër. Një vit më parë mori votat dhe u rimandatuar nga qytetarët. Pra duhet të ndodhë diçka shumë e madhe që një kryeministër të japë dorëheqjen, ndaj unë mendoj që opozita duhet ta shohë patjetër strategjinë e saj kundër qeverisë në forma të tjera. Njerëzit janë lodhur. Demokratët kanë 13 vjet që protestojnë e s’kanë as gjendjen ekonomike që të vijnë në Tiranë se nafta është shtrenjtuar”, tha ai.
Debati u ndal edhe te gara për drejtimin e Partisë Demokratike dhe përjashtimet nga kandidimi, si në rastin e Ervin Salianjit.
“Edhe nëse ka 10 kandidatë, dihet kush do të fitojë. Nuk e kuptoj strategjinë e PD-së për të përjashtuar njerëz nga gara për kryetar. Këtu e kam fjalën për Ervin Salianjin që është kandidati më dinjitoz. Berisha dhe lidershipi I PD po gabojnë duke përjashtuar Salianjin. Ata e dijnë që edhe nëse kandidon Salianji, Berisha e merr PD-në gjithsesi’ tha Myzyraj
Sa i përket mënyrës së aksionit opozitar, Nallbani kritikoi ashpër edhe retorikën dhe thirrjet për përshkallëzim.
“Nuk merret pushteti me dhunë dhe me molotovë. E provoi Berisha në 1998 kur kishte arsenal armësh që protestuesit e tij morën nga depot. Pastaj ikën me bisht ndër shalë sepse e kuptuan që pushteti nuk merret me dhunë”, u shpreh ai
Myzyraj theksoi edhe rolin që ka pasur vetë Berisha në situatën aktuale politike duke e cilësuar si një nga faktorët që Edi Rama është sot në pushtet.
“Unë mendoj që një nga fajtorët që Edi Rama është sot në pushtet është padyshim Sali Berisha. Por, opozita nuk është shkaku kryesor i vuajtjes së shqiptarëve, i rritjes së çmimeve dhe rrogave të ulëta. Në teorinë politike dhe ekonomike, nuk ka asnjë që bën fajtore opozitën e vendit për keqmenaxhimin ekonomik dhe politik të një vendi. Qeveria është përgjegjëse për ekonominë dhe politikën e një vendi” tha ai.
Por për Nallbanin, problemi nuk është vetëm strategjia apo roli politik i Berishës, por edhe besueshmëria e figurave brenda opozitës, duke ngritur pikëpyetje për pasurinë dhe mënyrën si është krijuar ajo.
“Po bijtë e tij si i ka? Të pasur apo të varfër? Me çfarë I pasuroi? Shkelzeni është miliarder, Argita, Flamuri, Albana Vokshi, sdihet ku i kanë paratë” tha Nallbani.
Komente











