Ngërçi i pagave të sistemit të drejtësisë do të zgjidhet, por jo përmes imponimit ndaj Kuvendit e qeverisë, paralajmëroi kryeministri Edi Rama në vazhdën e reagimeve mbi këtë çështje, që prej muajsh tashmë e përplas në mënyrë të vazhdueshme me drejtësinë.
“Do ta respektoj vendimin e Kushtetueses dhe do të bëj atë që është sipas nesh, rruga për t’iu përgjigjur edhe kësaj kërkese, por kërcënime dhe pengmarrje për pushtete të tjera të pavarura si ekzekutivi e legjislativi, askush nuk duhet të bëjë”, tha Rama.
I ashpër me KLGJ dhe KLP të cilat krijuan sipas tij një situatë të shëmtuar me vendimin e njëanshëm në mes të verës, Rama thotë se përcaktimi vetë i pagës së gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk ishte rruga e duhur për zgjidhjen e ngërçit, për sa kohë kjo vendimmarrje nuk është paraprirë nga dëshira për të dialoguar për zgjidhjen e problemit.
“Kështu kërkohet e drejta? Në mënyrë të njëanshme? Pa ezauruar asnjë nga hapat e tjerë? Ne jemi përfaqësues apo 3 shtete në konflikt? Kërkohet një kontakt, ulet njeriu në tavolinë, njerëzit që jetojnë me përgjegjësinë e një shteti, në një rrugë jo të lehtë shtetbërjeje, me përgjegjësinë e dhënies së shembullit për të tjerët se në çdo hap japim një shembull për të tjerët dhe ulet e thuhet ne kemi këtë shqetësim, ka një vendim të Kushtetueses që ne si pushtet ekzekutiv e legjislativ s’kemi asnjë qëllim dhe as na shkon në mend të mos e respektojmë”, tha Rama.
Më herët Rama ndau në rrjetet sociale efektin që sipas tij ka në nivelin e pagave, vendimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve për të rritur pagat e tyre pa kaluar përmes legjislativit.
Me rritjen e pretenduar të tyre, sipas Ramës, pagat e gjyqtarëve, në shkallë të para, pozicion fillestar shkojnë mesatarisht 4886 euro, në një kohë kur në Rumani janë 3665 euro, në Slloveni 2842 euro e Greqi 2702 euro, ndërsa diferenca pastaj bëhet shumë herë më e madhe me vende si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia që nuk i kalojnë 2.000 euro, me një diferencë gati 3000 euro më shumë, duke u kthyer në më të mirëpaguarit në rajon.
Shifra të pabesueshme që duken si fantazi e shfrenuar i quan Rama edhe përllogaritjen për pagat mesatare të gjyqtarëve, e cila po ashtu kapërcen në vendin e parë në rajon, më e lartë se në Greqi, Rumani e Slloveni dhe 140% më e lartë se në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa në raport me administratën ajo do të shkojnë 470% më e lartë.
Sipas llogarive të kryeministrit, një gjyqtar i Shkallës së parë do të përfitonte mbi 81 mijë euro, i Apelit mbi 84 mijë euro e i Gjykatës së Lartë mbi 87 mijë euro. Ndërsa për një gjyqtar apo prokuror të SPAK, vlerat e prapambetura arrijnë në mbi 143 mijë euro.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, nëse vendimi i saj nuk zbatohej Brenda 31 korrikut 2026, pagesat e prapambetura do të duhet të përllogariten duke marrë si referencë pagën bazë të drejtorit të Përgjithshëm në kryeministri, e njëjta formulë me të cilën magjistratët kanë vendosur të llogaritet dhe rroga e muajit gusht.
Kriza e pagave në sistemin e drejtësisë kulmoi pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re të pagave, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP vendosën që nga 1 gushti paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, plus 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin. Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat me këtë përllogaritje, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendit.
Fjala e plotë:
Përshëndetje! Po shkoj në Berat sepse kemi këtë ciklin e takimeve përmbyllëse të konsultimit publik për reformën administrative territoriale dhe ndërkohë më shkruajnë shumë njerëz lidhur me këtë historinë çoroditëse të pagave, që kërkon trupa e gjykatësve dhe prokurorëve të Shqipërisë, pa kaluar nga parlamenti, por duke iu referuar një vendimi absurd të marrë nga dy këshillat, që në letër janë organet qeverisëse të pushtetit gjyqësor, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, por që në realitet janë dy shëmbëlltyrat e anës së errët të medaljes së reformës në drejtësi.
Dy trupa të mbingarkuara me njerëz, paga, shpenzime, por me një produktivitet që lë shumë për të dëshiruar në aspektin e misionit që kanë si trupa qeverisëse të sistemit të drejtësisë, i cili është një sistem i vetëqeverisur, sepse është një sistem i pavarur dhe i pavarur jo më në letër, por i pavarur në realitetin faktik të Shqipërisë, ku pavarësia aq sa ka sjellë të mira, aq edhe ka sjellë sfidën e madhe të rrëshqitjes në papërgjegjshmëri, por nuk dua të hyj në këtë temë. Është temë e gjerë, është komplekse.
Reforma në drejtësi është pa diskutim e duhura, koha në dispozicion për të transformuar rrënjësisht dhe ngritur një sistem të ri drejtësie, duke bërë një transformim kulturor, ka qenë e shkurtër, sepse këto nuk janë ndryshime që bëhen sa hap e mbyll sytë, janë ndryshime epokale dhe ky ndryshim epokal ka nisur, kështu që nuk dua të hyj në këtë.
Dua të them vetëm se sa shqetësuese, se sa e shëmtuar, se sa vulgare është atmosfera e krijuar nga një konflikt pushtetesh dhe nga një barrikadim i atij pushteti të pavarur, kushtetues, që duhet të garantojë barazinë para ligjit për të gjithë e mbi të gjitha për vetveten dhe duhet, mbi të gjitha, përtej gërmës së ligjit, të garantojë një shembull, kur vjen puna që del nga salla e gjyqit dhe është i organizuar në shoqata për t’i dhënë zë shqetësimeve të trupës në publik.
Pra, këtu flasim për një tjetër dimension dhe ky dimension është shumë i rëndësishëm për shembullin që jepet dhe unë nuk dua ta nis nga shoqatat, nuk dua ta nis nga gjykatësit apo prokurorët, të cilët nuk e di sa janë në të drejtën e tyre, në fakt, që të kërkojnë edhe më shumë, edhe më shumë nga taksapaguesit, por le të themi që janë një palë që kanë këtë interes, po dua ta nis pikërisht aty ku e fillova, tek këto dy trupa këshillash, tek këto dy maja; janë një majë me dy trupa, në fakt, e piramidës të sistemit gjyqësor. Tani, këta burra dhe gra që paguhen jo pak dhe që janë aty për të administruar punët e gjyqësorit, nuk janë aty për të bërë drejtësi, sepse këtë e bëjnë prokurorët, e bëjnë gjyqtarët; janë aty për të administruar punët e gjyqësorit, janë aty për të administruar proceset që deri dje i administronte Kuvendi, politika dhe që tani janë në pavarësinë e tyre të plotë. Po si mundet që gjëja e parë që bëjnë, u kuturisën të marrin një vendim në mes të verës dhe të nxjerrin një urdhër, i cili është zanafilla e këtij konflikti absurd, një urdhër që pagat janë këto dhe thesari i shtetit duhet të hapë derën që këta të shkojnë dhe të marrin pagat.
Pse? Dhe le të themi, se kanë të drejtë. Gjykatësit kanë të drejtë. Le të themi. Për mua nuk kanë të drejtë, por le të themi. Kjo është mënyra, kjo është rruga, ky është shembulli, këtë iu mësojmë ne, të tërë së bashku xhanëm, po këtë iu mësojmë njerëzit e drejtësisë qytetarëve shqiptarë? Kështu kërkohet e drejta, me dhunë, me arbitraritet, në mënyrë të njëanshme, pa shteruar asnjë nga format dhe pa ezauruar asnjë nga hapat e tjerë? Po ku jemi ne këtu? Çfarë jemi ne këtu? Ne jemi përfaqësues të tre pushteteve kushtetuese të Republikës së Shqipërisë apo jemi tre shtete këtu? Dhe shtete në konflikt. Çfarë është Shqipëria? Çfarë janë këto pushtete? Janë republikat e ndara të një federate që vjen nga luftëra etnike dhe fetare? Ça ndodh këtu? Si është e mundur që nuk hidhet hapi i parë normal? Kërkohet një kontakt, ulet njeriu në tavolinë, ulen njerëzit që jetojnë me përgjegjësinë e një shteti në një rrugë jo të lehtë shtetbërjeje europiane, që jetojnë me përgjegjësinë e dhënies së shembullit për të tjerët, se në çdo hap japim një shembull për të tjerët ne që kemi mundësi të shprehemi në publik, dhe ulen edhe thuhet: ne kemi këtë shqetësim, ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, të cilin ne absolutisht, flas si pushtet ekzekutiv dhe legjislativ, nuk kemi asnjë qëllim dhe as na shkon në mend që të mos e respektojmë, Po ka dhe një afat të vendosur, 31 korriku, që nuk u përmbush dot për shkak të procesit parlamentar dhe duam të dimë, si e keni ju këtë ide? Keni ju ndërmend ta bëni këtë punë, do ta respektoni këtë vendim dhe kur keni ndërmend ta respektoni?
Dhe pasi të dëgjonin anën tonë, pastaj mund të vazhdonin të bënin të tyren, si t’ua thoshte mendja e tyre. Po kjo kështu, me arbitraritet ndaj një shumice qeverisëse që ka bërë reformën në drejtësi, ndaj një shumice qeverisëse që ka luftuar për këtë standard trajtimi dhe këtë standard mirëqenieje që është rritur kaq ndjeshëm në familjet e gjithë kësaj trupe në Republikën e Shqipërisë, gjëja e parë që iu vajti ndërmend ishte që t’i dilnit përballë dhe ta sfidoni me një formë kaq brutale “vetë Zot, vetë shkop”? Po pse, çfarë jeni ju, partia e “çekiçave”, ato çekicat për çfarë i keni? Për parti? Për luftë politike dhe për të dalë e për të kërcënuar autoritetet kushtetuese dhe politike të Republikës së Shqipërisë? Për të kërcënuar ministrin e Financave? Për të kërcënuar drejtorët e Thesarit të Republikës së Shqipërisë? Pse, ça janë ata? Roje magazinash pa zot?
Po si është e mundur që ka një moment marrje fryme dhe marrje me arsye të hapave? Ne mund të mos jemi dakord asnjëherë, por kemi detyrimin që mosdakordësinë ta trajtojmë në mënyrë të civilizuar. Boll është trajtuar e trajtohet mosdakordësia në mënyrë të paqytetëruar mes partive politike. Po çfarë, ku jemi këtu? U shtua dhe një parti politike tjetër tani që do “nxjerrë dhëmbët” e do skërmitet nëpër mediat e Shqipërisë për të marrë lekë? Për rroga? Për t’i shumëfishuar pagat e veta krahasimisht me të gjithë të tjerët, edhe për t’i çuar ato me diferencë nga gjithë rajoni e për të shkuar në nivelet e vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Evropian? Kështu tak-tak, “hajde se ka para Thesari i shtetit, hapeni të marrim ne tonat”, pastaj punë e madhe shumë se çfarë bëhet me të tjerët, ëë? Po ku jemi këtu, si u bëka kjo punë?
Kështu që besoj që ky është një rast për të nxjerrë disa mësime dhe në ndërkohë, sikur edhe një herë ne të gjithë, ne do ta respektojmë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe do të bëjmë atë që është, sipas nesh, rruga për t’iu përgjigjur edhe kësaj kërkese, por kërcënime dhe pengmarrje të pushteteve të tjera të pavarura, siç janë pushteti ekzekutiv dhe pushteti legjislativ, askush nuk duhet të bëjë. Askush nuk duhet të bëjë.
Kryeministri Rama ka reaguar sërish për pagat e gjyqtarëve me një tjetër tabelë, duke krahasuar pagën e tyre mesatare me atë të administratës shtetërore.
Sipas tabelës, Shqipëria qëndron në vendin e katërt të pagës mesatare më të lartë për gjyqtarët, 3804 euro. Në vend të parë është Greqia me 5451 euro, të dytë Rumania me 5422 euro dhe të tretë Sllovenia me 4193 euro. Nëse do të aplikohej rritja e kërkuar nga gjyqtarët, Shqipëria do të kalonte në vendin e parë me 5375 euro pagë mesatare, duke i lënë pas të tjera.
Rama shkruan se sot maja e piramidës së pagave në vendet e tjera konsiderohet e presidentit. Por duke marrë pagën mesatare të rritur të gjyqësorit në Shqipëri, niveli do të arrinte 1 mijë euro më shumë se presidenti. Ndërsa nëse merret niveli më i lartë i gjyqësorit që paguhet 2 mijë euro më shumë se presidenti, rritja do ta bënte diferencën e pagës mes tyre 5 mijë euro.
“Sot paga mesatare e gjyqtarëve në Shqipëri është 280% më e lartë se paga mesatare të administratës shtetërore; 60% më e lartë se paga mesatare e kolegëve në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut; më e lartë se në Kroaci, Bullgari apo Serbi…
Me rritjen e kërkuar me llogarinë vetë Zot vetë Shkop, paga mesatare e gjyqtarëve bëhet më e lartë se në Greqi, Rumani e Slloveni dhe 140% më e lartë se në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa në raport me administratën shqiptare ajo kërcen në 470% më shumë…
Dhe nëse në të tëra vendet e tjera të rajonit, Europës dhe botës demokratike maja e piramidës së pagave në shtet është Presidenti, paga mesatare e rritur në rrugën jashtë parlamentit bëhet 1,000 euro më e lartë se paga e Presidentit dhe 2,200 euro më e lartë se paga e ministrit. Kjo për mesataren e gjithë trupës, se duke marrë nivelin më të lartë të pagës në sistemin gjyqësor sot, aktualisht, është gati 2000 Euro më shumë se e Presidentit dhe 3000 Euro më e lartë se e ministrit, po bashkë me rritjen?!.. Oh, aty pastaj shkon mbi 5000 Euro më e lartë se e Presidentit dhe 6300 Euro më shumë se e ministrit!
Duket si fantazi e shfrenuar po në fakt është lënda e kallëzimit penal që shoqatat e gjykatësve i kanë bërë Ministrit të Financave dhe drejtorëve të thesarit në tërë Shqipërinë, pse nuk dorëzojnë çelësat e thesarit për marrjen e këtyre shumave marramendëse pa vendim të parlamentit…”, shkruan Rama.

Kryeministri Rama ka publikuar një tabelë në rrjetet sociale ku tregon renditjen e pagave të gjyqtarëve krahasuar me disa vende.
Sipas renditjes së tanishme, gjyqtarët shqiptarë janë të dytët më të paguarit pas atyre rumunë, rreth 3241 euro në muaj. Më pas vjen Sllovenia me 2842 euro dhe në vend të katërt Greqia me 2702 euro. Mali i Zi renditet në vendin e tetë, me pagë 1958 euro. Ndërsa me rritjen që gjyqtarët në Shqipëri kërkojnë, do të renditeshin të parët pasi paga do të shkonte në 4886 euro.
“Një gjykatës fillestar sot në Shqipëri merr 500 Euro pagë më të lartë se sa kolegu në Greqi dhe me vendimin e marrë vetë Zot vetë Shkop, paga duhet të rritet 2000 Euro më shumë në muaj se sa kolegu grek dhe 3000 Euro më shumë se sa kolegu në Malin e Zi…”, shkruan Rama.










Komente
Komento