Kriza ekonomike, Rama: Do
transformoj qeverisjen, Rilindje

Kriza ekonomike, Rama: Do <br />transformoj qeverisjen, Rilindje
TIRANE - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama hodhi akuza ndaj kryeministrit Berisha lidhur me politikat e tij kundër krizës ekonomike. Sipas kryesocialistit, në vend se të qeveriset për të shkuar përtej krizës, Shqipëria po qeveriset nga kriza duke përjetuar çdo ditë zgjerimin e pasojave të saj. Deklarata e liderit të opozitës u bë gjatë darkës së organizuar pas Konferencës shkencore Ndërkombëtare “Shqipëria dhe kriza, çfarë vjen pas”, organizuar nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë.

Duke folur për gjendjen dhe sfidat e ekonomisë shqiptare, kryesocialisti tha se kriza shqiptare e ekonomisë nuk është vetëm një pasqyrë e krizës që ka prekur mbarë Evropën, por është përkimi i krizës globale me fazën e shterimit të një modeli ekonomik rrënues për Shqipërinë.

“Kriza shqiptare është rënduar edhe më shumë sepse pikërisht kur nisi ky përkim dramatik, qeveria shqiptare zgjodhi dritëshkurtësisht t’i sforcojë mekanizmat e amortizuar të ekonomisë sonë në një përpjekje kokëfortë për të mos e pranuar krizën”, - tha kryesocialisti Rama.

Përpara një paneli të përberë nga ekspertë, sipërmarrës, akademike, studiues të shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare vendas dhe të huaj si dhe nga emra të njohur në institucione të rëndësishme ndërkombëtare financiare, kreu socialist tha se pasi të ketë marrë pushtetin në zgjedhjet e ardhshme do t’i përkushtohet një procesi transformues ë qeverisjes për një Rilindje Shqiptare.

“Unë nuk mund të premtoj se ne do ta shndërrojmë ekonominë brenda natës. Do të na duhet kohë dhe vendosmëri. Unë nuk mund të premtoj se një votë për ne sot, do të garantojë punë për të gjithë nesër. Por mund të premtoj po, që nëse njerëzit do të na marrin ne në punë për të zgjidhur problemin e papunësisë së tyre, do t’i përkushtohemi me të gjitha fuqitë dhe eksperiencën, udhëheqjes së një procesi transformues të qeverisjes për një Rilindje Shqiptare”, -u shpreh Rama.

Për kryesocialistin politika e ndjekur nga qeveria aktuale nuk është ajo e një debati gjithëpërfshirës për modelin e zhvillimit të këtyre viteve dhe për rrugët e rimodelimit të tij, por ajo e debatit ka apo nuk ka krizë.

“Në vend të ndarjes me njëri-tjetrin e me publikun të barrës së përballimit tërësor me krizën, ne deri më sot kemi mbetur të ndarë tërësisht mes qeverisë që thotë se jetojmë në të vetmin vend në botë që s’është prekur nga kriza dhe opozitës që thotë jo vetëm jemi prekur nga kriza, por po rrezikojmë përtej së llogaritshmes duke mbyllur me pahir sytë para krizës”, tha Rama.

FJALA E PLOTE E KTYETARIT TE PS, EDI RAMA

Të nderuar miq!
Lejomëni përsëpari ta falenderoj Rektorin e Universitetit Mesdhetar profesor Angjelin që më ofroi këtë mundësi të dyfishtë: Të flas për gjendjen e për sfidat e ekonomisë sonë përpara të ftuarish kaq të rëndësishëm si personalitetet që kanë ardhur nga vende të ndryshme këtu, por edhe të rrezikoj që të dukem jo real, jo bindës e jo i besueshëm siç duken qeveritarët e sotëm kur flasin për ekonominë. Është rrezik sepse nëse qeveritarët sot i përgënjeshtron përditë realiteti rrënues i ekonomisë, opozitës s’mund t’i mjaftojë qeveria si argument i rrënimit që përjetojmë dhe as mund t’i lejohet në këto kushte të rënda për gjendjen e ekonomisë rendja pas parafytyrimesh jo reale, jo bindëse e jo të besueshme për të nesërmen. Aq më pak mund të më lejohet kjo mua si kryetar i opozitës përpara këtij auditori, ku të ftuarit kanë vetinë e posaçme të njohjes së tyre të gjerë, të ekonomisë në tërësi por edhe të natyrës së problemeve të ndërlikuara ekonomike të botës së sotme në veçanti.
Ka edhe një detaj të vogël por jo të parëndësishëm për mua, përkundrazi, që ma rrit peshën perceptimit të rrezikut në këtë foltore për të bërë çmos që të mos dukem jo bindës. Sepse mes jush, është edhe një edhe një profesore ekonomie që është njëkohësisht edhe gruaja ime.
Unë besoj se kriza shqiptare e ekonomisë nuk është vetëm një pasqyrë e krizës që ka prekur mbarë Europën. Po është përkimi i krizës globale me fazën e shterimit të një modeli ekonomik rrënues për Shqipërinë. E jo vetëm kaq. Kriza shqiptare është rënduar edhe më shumë sepse pikërisht kur nisi ky përkim dramatik, qeveria shqiptare zgjodhi dritëshkurtësisht t’i sforcojë mekanizmat e amortizuar të ekonomisë sonë në një përpjekje kokëfortë për të mos e pranuar krizën.
Kështu, nëse çdo krizë është edhe një mundësi e veçantë për një fillim të ri, ne kemi plot tre vjet që përjetojmë djegien e kësaj mundësie në një mjedis të shurdhuar nga tam-tamet e propagandës qeveritare. Në vend të hapjes së një debati gjithëpërfshirës për modelin e zhvillimit të këtyre viteve dhe për rrugët e rimodelimit të tij, ne deri më sot kemi mbetur të kyçur në debatin ka apo nuk ka krizë. Në vend të ndarjes me njëri-tjetrin e me publikun të barrës së përballimit tërësor me krizën, ne deri më sot kemi mbetur të ndarë tërësisht mes qeverisë që thotë se jetojmë në të vetmin vend në botë që s’është prekur nga kriza dhe opozitës që thotë jo vetëm jemi prekur nga kriza, por po rrezikojmë përtej së llogaritshmes duke mbyllur me pahir sytë para krizës.
Shkurt në vend se të qeveriset për të shkuar përtej krizës, Shqipëria po qeveriset nga kriza duke përjetuar çdo ditë zgjerimin e pasojave të saj.
Ambicia ime është që të mos e djegim më tutje mundësinë e veçantë për një fillim të ri që na ofron kjo krizë e rëndë.
Të qeverisim duke shkuar përtej krizës me një vizion të ri për zhvillimin dhe përmes një rruge politikash të reja rritjeje që janë pafundësisht larg së qeni një fjalë goje në kushtet e sotme.
Politika e tyre e rritjes është thjesht të thonë që rritja po ndodh. Edhe pse ata e dinë siç e dimë edhe ne që s’është e vërtetë, kjo është e vetmja politikë që kanë.
Politika e tyre e punësimit është të thonë se po hapen mijëra vende pune. Edhe pse ata e dinë siç e dinë mbi 1 milionë të papunët e këtij vendi që s’është e vërtetë, kjo është e vetmja politikë që kanë.
Politika e tyre e reduktimit të borxhit është të thonë që do ta reduktojmë. Edhe pse ata e dinë siç të gjithë botërisht e dinë se borxhi po rritet përtej kufirit të së përballueshmes, kjo është e vetmja politikë që kanë.
Tani kryeministri thotë ekonomia vitin e ardhshëm do rritet 4%! Si do rritet? Ja kështu, si me magji. Por të gjithë e dinë që ai mund të jetë shumë gjëra, po magjia nuk bën pjesë ndër to. E teksa të gjithë po lodhen me truket e tij, kriza po thellohet duke rrënuar besimin dhe shpresën e njerëzve tek vetë politika.
Ambicia jonë për Shqipërinë sot është një Rilindje Shqiptare.
Një plan real për Rilindjen që duam kërkon realizëm të palëkundur. Për gjendjen e vendit. Për gjendjen e ekonomisë në vend dhe në botën ku jetojmë. Për çka mund të bëjmë dhe çka nuk mund të bëjmë.
Lejomëni t’ju them fillimisht çfarë unë nuk mund të bëj. Unë nuk mund të premtoj se ne do ta shndërrojmë ekonominë brenda natës. Do të na duhet kohë dhe vendosmëri. Unë nuk mund të premtoj se një votë për ne sot, do të garantojë punë për të gjithë nesër. Por mund të premtoj po, që nëse njerëzit do të na marrin ne në punë për të zgjidhur problemin e papunësisë së tyre, do t’i përkushtohemi me të gjitha fuqitë dhe eksperiencën, udhëheqjes së një procesi transformues të qeverisjes për një Rilindje Shqiptare.
Me të njëjtin përkushtim po punojmë bashkë me shumë të tjerë, në lidershipin e partisë, me shoqërinë civile, me botën e sipërmarrjes, për të zhvilluar një program të bazuar mbi vetëdijen se është koha e rishikimit rrënjësor të modelit të zhvillimit. Dhe, insistoj, është koha për të mos e humbur për fare mundësinë e posaçme që kriza na jep për të shkuar përtej saj.
Për shembull sot kriza na krijon mjedisin e duhur për të parë sa efikase ka qenë reforma e tokës në Shqipëri; Çfarë efekti ekonomik dhe social ka krijuar kaosi dhe korrupsioni me titujt e pronësisë; Cila është situata post privatizim e ndërmarrjeve; Çfarë siguruan privatizimet strategjike për sektorët nga pikëpamja e eficencës, investimeve, cilësisë së produktit dhe çmimeve; Sa kanë kontribuar reformat e njëzet vjetëve në arsim dhe çfarë kapitali njerëzor ka sot Shqipëria për të përballuar sfidën e zhvillimit të qëndrueshëm e të vetë integrimit europian; Po shërbimet e tjera publike, përsëpari shërbimi shëndetësor, si janë akomoduar në kornizën e kohës së re dhe si ka ndryshuar performanca e tyre në shërbim të njerëzve të zakonshëm; Si është gjendja e trashëgimisë natyrore e kulturore në Shqipëri; A është më e bukur, më e pastër, më e mirëmbajtur apo më e shëmtuar, më e ndotur, më e dëmtuar Shqipëria në pejsazhin e saj bregdetar e rural; Ku janë komunitetet urbane apo rurale të vendit nga pikëpamja e cilësisë së bashkëjetesës; Cila është gjendja e shtetit si tërësi institucionesh dhe korpus administrativ në zbatimin e ligjit e në disponibilitetin ndaj qytetarit; Po vetë qeverisja si proces a është bërë më efikase e transparente dhe çfarë modeli të sjelljes sociale inspirojnë qeveritarët e sotëm në komunikimin e në qasjen e tyre ndaj publikut e ndaj gjësë publike;
Besoj se për çdo njohës sado të sipërfaqshëm të Shqipërisë në këtë auditor, të gjitha këto që rreshtova nuk kanë nevojë për koment nëse duam të përcaktojmë mbi bazën e tyre notën për qeverinë e qeverisjen.
Por qëllimi i këtij enumeracioni nuk është të nxjerr në pah se qeveria ka qenë pjesë e inercisë së rrënimit të mëtejshëm, në rrugën e një modeli sipas meje të dështuar zhvillimi për Shqipërinë. Jo. Dua vetëm të nënvizoj se sot gjërat janë sa të qarta aq edhe të shtruara për një debat shumë serioz të munguar prej vitesh, lidhur me ardhmërinë e tyre.
Nuk është mëkat sigurisht që një i ftuar si unë të komplimentojë ata që e kanë ftuar, por besoj vërtet se kjo konferencë është tejet e dobishme për t’i dhënë jetë këtij debati.
Ambicia ime është që ne ta rilindim frymën e vdekur të debatit për çështjet madhore të zhvillimit. Për drejtimin e vendit. Për rrugën e rimëkëmbjes ekonomike. Për ripërtëritjen shoqërore. Për rivendosjen e demokracisë. Për ribashkimin me Europën.
Kriza e ofron këtë si një mundësi të posaçme për të dalë prej kthetrave të saj.
Unë besoj se nuk është qeveria që e vetme mund ta nxjerrë vendin nga kjo krizë. Është shumë më e madhe kriza sesa fuqia e cilësdo qeveri.
Por jam i bindur se në kushtet e krijuara sot, vetëm qeveria mund t’i rikrijojë premisat për rilindjen e frymës së debatit që i duhet njësoj si drita e syve vendit dhe shoqërisë sonë sot për drejtimin e vendit.
Sepse vetëm qeveria mund ta tërheqë mbrapsht fantazmën e frikës për të folur lirisht që ka kallur brenda gjithë rrathëve shoqëror. Brenda shkollës, universitetit, botës së medias, sipërmarrjes, kulturës e me radhë.
Vetëm qeveria mund ta hapë derën e saj për të ulur në tryezën gjithëpërfshirëse të konsultimit grupet e interesit.
Vetëm qeveria mund ta bëjë transparente vendimmarrjen e saj dhe real informimin e publikut për veprimtarinë e saj.
Kriza e sotme ka prekur të gjithë dhe përfshirë gjithçka. Prandaj për të shkuar përtej krizës qeveria duhet të impenjohet për t’i impenjuar të gjithë dhe për të rishikuar gjithçka.

Të nderuar pjesëmarrës!
Nga maja e dijes dhe eksperiencës së tij të spikatur profesori Justin Lin, të cilin e përshëndes me mirënjohje për ardhjen deri këtu, propozon një model të pranuar teorikisht e të provuar praktikisht për rimarrjen e rritjes në vendet në zhvillim.
Ekspertët tanë thonë se ka vend për ta shqyrtuar këtë recetë edhe në funksion të rritjes në Shqipëri.
I besoj. Por modestish besoj se nuk mund të mbërrihet në konkluzione solide mbi rishikimin thelbësor të modelit të zhvillimit pa një rishikim serioz të së gjithë rrugës së tranzicionit. Të pikënisjeve e të pikëmbërritjeve, duke i parë këto të dytat jo kuantitativisht në raport me ku ishim, po kualitativisht në raport me ku jemi sot në hartën ekonomike, sociale, demokratike, mjedisore e kulturore të Europës.
Pashë fjala vjen entuziazëm të madh në komentet e zëdhënësve qeveritarë për censusin lidhur me numrin e madh të shtëpive të ndërtuara në Shqipëri. Është një entuziazëm që e kemi parë edhe më parë në fjalimet e kryeministrit. E paharrueshme fraza e tij përpara popullit të Bathores: Askush në historinë e civilizimeve nuk e ka bërë mrekullinë që ju bëtë në vetëm 15 vjet duke ndërtuar një qytet nga hiçi pa i marrë leje askujt!
Sigurisht që nëse e shohim këtë pikëmbërritje kuantitavisht në raport me ku ishim në pikënisje, s’ka asnjë farë dyshimi se krahasimi është thjesht i pamundur. Por nëse shohim se me çfarë kostoje kualitative ka ndodhur kjo “mrekulli e tetë e botës”, atëherë me siguri ka shumë arsye për t’u shqetësuar për të ardhmen. Qoftë në planin ekonomik - ku më e pakta që mund të thuhet është se ku ndërtim i kudondodhur dhe gjithëpërfshirës ka sjellë humbjen e një sasie të konsiderueshme të tokës së bukës dhe një kosto të jashtëzakonshme për urbanizimin. Qoftë në planin social – ku më e pakta që mund të thuhet është mungesa e kushteve për të krijuar komunitet dhe kostoja e jashtëzakonshme e dhënies së shërbimeve publike e sociale për shkak të fragmentimit marramendës territorial. Qoftë në planin demokratik – ku më e pakta që mund të thuhet është humbja e të drejtës së pronësisë nga një pjesë dhe kostoja e jashtëzakonshme e shlyerjes së kësaj humbjeje për të akomoduar pjesën tjetër. Qoftë në planin mjedisor – ku më e pakta që mund të thuhet është erozioni shumë serioz dhe dëmtimi i rëndë i pejsazhit. Qoftë në planin kulturor – ku më e pakta që mund të thuhet është rënia në një hulli zhvillimi pa fizionomi europiane.
E le ta themi troç, në asnjë nga këto plane kjo “mrekulli” nuk është as europiane as e lehtë për t’u absorbuar në rrugën e ndërtimit të Shqipërisë Europiane.
Ka pasur edhe “mrekulli” të tjera, relativisht më të vogla se kjo e sektorit të ndërtimtarisë që kanë ndikuar në rritjen ekonomike “mbresëlënëse” të Shqipërisë apo në të ardhurat e siguruara prej shtetit për të realizuar vepra në infrastrukturë. Por fatkeqësisht ky nuk ka qenë asnjëherë një model zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, social e territorial. E sot në këndvështrimin tim ne përjetojmë shterimin e këtij modeli “rritjeje” pa punësim e as shërbime dinjitoze dhe jetojmë domosdoshmërinë e një Rilindje me fokus punësimin e shërbimet publike sipas nevojës jo sipas xhepit.
Por fakti është se sot edhe kjo lloj rritjeje, sidomos pas vitit 2008 po tretet me shpejtësi drejt nivelit zero duke rrezikuar ta çojë në recesion të thellë ekonominë tashmë të rrënuar të vendit tonë.
Sigurisht kjo tretje e rritjes është reflektuar dukshëm në rënien e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore në raport me GDP. Të dhënat dëshmojnë se rënia e të ardhurave shpenzimeve buxhetore në raport me GDP po rikthehet në nivelin e gati 10 vjetëve më parë.
Për shumë vite, remitancat në raport me GDP kanë qenë në nivelet nga më të lartat në botë. Në vitin 2007 arritën të ishin 1.2 herë më të larta se eksportet. Madje 2 herë më të larta se investimet e huaja direkte. Ndërsa sot rënia e ndjeshme e remitancave prej tre vitesh, për shkak të krizës që ka mbërthyer veçanërisht Greqinë dhe Italinë, është një faktor shtesë i rënies së konsumit dhe të GDP.
Sot gjendemi në situatën kur ka një sfumim të faktorëve strukturalë të rritjes së GDP. Kështu, ndërtimi që siguronte rreth 17- 18 % të GDP sot gjendet në një krizë të thellë financiare duke rrudhur ndjeshëm kontributin e tij në ekonomi.
Dhe të mos harrojmë, që me këtë sektor janë të lidhur rreth 160 profesione, që përfaqësohen nga rreth 5000 kompani të cilat janë të ”prangosura” nga zinxhiri i borxhit dhe përdorimi i kleringut. Hija e falimentimit është sot pas derës së shumicës prej tyre.
Sektori financiar i gjendur në kurthin e pasigurisë për shkak të rritjes së ndjeshme të borxheve të këqija (23.5 përqind aktualisht, apo 3 herë më shumë në krahasim me tre vjet me parë apo pothuaj 5 % më shumë se një vit më parë), po shmang kontributin në ekonominë reale dhe po e orienton portofolin e vet në investime me më pak fitim por më të sigurta në kuadrin e politikës së investimeve të diktuara nga kompanitë mëmë.
S’po zgjatem këtu duke cekur fshatin dhe gjendjen e bujqësisë e të blegtorisë, të papunësisë, të varfërisë dhe të mjerimit kulturor në fshat që realisht është në kushte mesjetare. Mungon ujitja, mungon sistemi i kullimit, kostoja e papërballueshme e naftës dhe e inputeve, rrugëve pa rrugë të tregut të prodhimeve bujqësore.
Sot çështja e borxhit publik, është shndërruar në temën e ditës në Shqipëri. Prej kohësh borxhi e ka kaluar nivelin mbi 60% të GDP-së këtu flasim për borxhin publik zyrtar (duke i shtuar ”borxhet e fshehura” ai ka kaluar 100% të GDP) duke rrezikuar të shndërrohet në një humnerë të thellë për perspektivën e vendit. Pasi për 3-4 vjet rresht, Qeveria, manovroi duke fshehur ose zbutur nivelin real të borxhit. Ndërsa sot jemi në kushtet kur çligjëroi ruajtjen e nivelit të borxhit, duke ”fshirë” kufirin nga ligji përkatës. Pa as më të voglin dyshim është minimumi që ne të rivendosim një kufij cilido qoftë ai.
Çdo shqiptar, madje edhe çdo foshnjë që do të lindë në vitin e ardhshëm, do të ketë një borxh 3 mijë dollarë në vit, apo tri herë më të lartë se në vitin 2005 dhe çdo familjeje sot i duhet të paguajë 800 mijë lekë në vit vetëm për shërbimin e borxhit, pra më shumë se për konsumin e ujit dhe energjisë marrë së bashku.
Pabarazia galopante është një kurth për çdo vend në zhvillim ku mungojnë institucionet dhe ku pasuria anon rrezikshëm në drejtim të një pakice gjithnjë e më të vogël ndërsa një shumicë gjithnjë e më e madhe s’e kapërcen dot nivelin minimal të jetesës.
Sot më pak se 5% e shqiptarëve zotërojnë më shumë se gjysmën e pasurisë së depozituar në këtë vend. Por ende më rrënqethës është polarizimi territorial dhe ende më tërheqës në kuptimin negativ është fakti se në katër qarqe të veriut, aty ku praktikisht votohet më shumë qeveria, në Kukës 70 % e familjeve jetojnë me ndihmë ekonomike që është 40 mijë lekë të vjetra në muaj. Në Dibër gjysma e familjeve jetojnë me ndihmë ekonomike, në Lezhë e Shkodër 1 në 4 familje jeton me ndihmë ekonomike.
Qeveria nuk e botoi kapitullin e Censusit që lidhet me shifrat e papunësisë. Ne e paralajmëruam prej ditësh këtë fakt dhe të gjithë informacionet tona flasin për një shifër që qeveria brenda filozofisë së vet e kishte të pamundur ta publikonte. Një shifër shumë më të lartë se shifra zyrtare e papunësisë që edhe ajo ka kaluar 14%.
Ndërsa varfëria sipas Bankës Botërore këtë vit ka shënuar 62.1% (e matur me fuqinë blerëse të popullsisë).
Por mjafton të vizitosh dyqanet e ushqimoreve dhe të ballafaqohesh në çdo banak me librat dhe fletoret e borxheve për t’u takuar me varfërinë.
150 milionë euro është borxhi i ushqimeve që familjet shqiptare kanë në dyqanet e ushqimoreve. Që japin ushqimet duke shënuar emrin e borxhliut në listë dhe ndërkohë janë në borxh me distributorët e mëdhenj.
Sot duhet të jemi të vetëdijshëm që 450 milion dollarë më pak do të vijnë nga remitancat, pra 625 dollarë më pak për çdo familje dhe sigurisht rënia e remitancave është një nga faktorët themelor të kësaj rënieje marramendëse të fuqisë blerëse.
Pa dashur të zgjatem më tutje në fakte e shifra të panumërta për gjendjen e rëndë ekonomike e sociale të vendit, dua të nënvizoj katër aspektet më të rëndësishme të vizionit tonë për një Rilindje Shqiptare:
Së pari, një model ekonomik zhvillimi që rrit punësimin dhe investimet prodhuese duke ruajtur përmasën e gjelbër të zhvillimit të qëndrueshëm.
Së dyti, një model social zhvillimi që prodhon një sinergji të re mes një sistemi të ri taksimi të ndershëm dhe politikash të reja sociale.
Së treti, një model demokratik zhvillimi që rrit kapitalin njerëzor e social të vendit.
Së katërti, një model i integruar zhvillimi rajonal që shfrytëzon potencialet e paqes në rajon dhe adreson perspektivën europiane të rajonit me një qasje të re në projektimin e së ardhmes.
Do doja të ndalesha në pikën e dytë dhe të katërt përpara sesa ta mbyll.
Në pikën e dytë që ka të bëjë me një pyetje që e dëgjojmë shpesh: çfarë do të thotë një sistem taksimi i ndershëm. Dhe që pastaj shoqërohet me një tjetër pyetje, që vjen kryesisht nga biznesi i madh, mbi hipotezën e vendosjes së një takse progresive në vend të taksës së sheshtë pas 23 qershorit 2013. Shpresoj që është një rast i mirë për të sqaruar pak këtë çështje. Duke e nisur nga taksimi i të ardhurave nga puna. Sot jemi në kushtet kur mund ta masim pa asnjë vështirësi që barra fiskale e njerëzve që jetojnë me të ardhurat nga puna nuk është ulur, është rritur. Nëse përpara vendosjes të taksës së sheshtë për 100 lekë të ardhura nga puna paguheshin 32 lekë, sot për 100 lek të ardhura nga puna paguhen 38 lekë. Pra pretendimi se taksa e sheshtë e ka ulur barrën fiskale së paku për të gjithë ata që jetojnë me të ardhurat nga puna është thjesht një mit propagandistik. Përkundrazi e ka rritur. Dhe taksa e sheshtë ka bërë vetëm spostimin e barrës nga korporatat tek njerëzit që jetojnë me të ardhurat nga puna.
Për shumicën dërrmuese të shqiptarëve që jetojnë me të ardhura nga puna barra është rritur me 14%.
E kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e vendosjes së taksës së sheshtë.
Ashtu sikundër sot, vendosja e taksës së sheshtë:
• nuk solli rritje më të lartë ekonomike, përkundrazi.
• nuk solli rritje të punësimit, përkundrazi.
• nuk solli ulje të varfërisë, përkundrazi.
• nuk solli ulje të borxhit publik, përkundrazi.
• nuk solli as ulje të barrës fiskale apo lehtësim në pagimin e taksave, përkundrazi.
Për ne taksa e sheshtë është një instrument mashtrimi që pengon rritjen e shtresës së mesme dhe mbyt shtresën e varfër.
Ne s’mund të pranojmë që një furrë buke të paguajë më shumë taksa se një fabrikë çimentoje. Që një ushqimore të paguajë më shumë taksa se ky hotel ku jemi mbledhur në këtë mbrëmje të këndshme. Apo që mësuesi e polici të paguajnë më shumë taksa se ministri i arsimit apo ministri i brendshëm. Pa llogaritur faktin se të gjithë njerëzit që jetojnë me të ardhura nga puna paguajnë më shumë taksa se kryeministri.
Por lejomëni t’ju ilustroj me grafikë ç’kuptojmë ne me sistem taksimi të ndershëm dhe pse unë besoj që sistemi ynë është sistemi që jo vetëm biznesi i vogël, por edhe biznesi i madh duhet ta mbështesin fuqimisht.
Së pari, le të flasim për biznesin e vogël. Sot biznesi i vogël tatohet në mënyrë antikushtetuese dyfish. Ka një taksë të biznesit të vogël ka edhe një tatim fitimi, taksa e sheshtë që i është mbivendosur taksës së biznesit së vogël. Nga grafiku mund të shikoni sesi në 5 vjet është rritur barra fiskale e një biznesi të vogël dhe është eufemizëm sot të flasësh për biznes të vogël se këtu flasim për shqiptarë të vetëpunësuar, familje të vetëpunësuara përmes një sipërmarrje që nuk garanton asgjë më shumë sesa një jetesë në kushte modeste. Ajo që ne propozojmë dhe do të bëjmë në 100 ditët e para është që gjithë katin e parë, nëse i referohemi grafikut, do ta heqim dhe do të rishikojmë peshën që ka kati i dytë dhe i tretë. Tatimi mbi të ardhurat dhe TVSH-ja. Sigurisht duke mos refuzuar idenë që të bërit subjekt të TVSH-së të të gjithë biznesit është një zhvillim në vetvete pozitiv.
Do të doja të kaloja tek biznesi i madh. Kam sjellë këtu një sërë shembujsh konkretë, biznesmenësh të mëdhenj, ku taksa e sheshtë është vetëm një simbolikë në krahasim me shumën e përgjithshme të parave që ata nxjerrin nga xhepi për llogari të shtetit, duke llogaritur taksën e korrupsionit, duke llogaritur taksën e kohës, duke llogaritur edhe gjobat më shumë sesa arbitrare të dhunshme, të cilat janë denoncuar hapur së fundi edhe nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.
Ky të cilin po ilustroj këtu është një biznes i produkteve tekstile dhe normalisht duhet të kishte nxjerrë nga xhepi për shtetin vetëm 1.46 milion, por është detyruar të nxjerri 36.46 milion. Taksa reale e tij sot është 250%.
Ky biznesi tjetër është një subjekt kompani e huaj e ndërtimit të rrugëve. Tatimi mbi të ardhurat, taksa e sheshtë i impononte një pagesë 270 mijë euro. Por taksa reale ka shkuar 25%, 667 mijë euro me vendosjen e gjobës tërësisht arbitrare.
Tjetri është një biznes shitjes me pakicë. 20% i ka shkuar taksa dhe nga 3.7 ka paguar 7.4.
Tjetri është një biznes restorant. Shikojeni taksën reale, 130%.
Tjetri është një biznes shoqëri sigurimesh. Taksa reale 30%.
Një tjetër shoqëri sigurimesh, taksa reale 35%.
Një biznes produktesh ushqimore me shumicë, taksa reale 350%.
Një biznes tjetër produktesh ushqimoresh me shumicë, taksa reale 350%.
Pra për të mos u zgjatur, shembuj të tillë janë të panumërt. Nëse sot sipërmarrjes i thuhet që ne do të ndërtojmë një sistem taksimi të ndershëm së pari kjo nuk nënkupton grafikun e progresivitetit klasik që ngrihet përpjetë për të shkuar në fund dhe për ta asfiksuar biznesin e madh. Por një skemë të bazuar mbi vlerën e progresivitetit pa asnjë dyshim.
Nga ana tjetër nëse kjo nënkupton që përveç gjithë këtyre taksave të korrupsionit, të kohës e të arbitraritetit do të paguajnë edhe një taksë më të madhe se 10%, atëherë pa asnjë dyshim, çdo biznes duhet ta refuzojë programin tonë. Por e vërteta dhe aspirata jonë është krejt ndryshe. Ne besojmë që së bashku mund ta ulim drastikisht taksën e korrupsionit, duke mos patur pretendimin që brenda natës ne do zerojmë çdo të keqe të këtij vendi, sepse nuk e kemi një shkop magjik për ta bërë një gjë të tillë. Duke premtuar që do ta ulim drastikisht taksën e kohës dhe duke premtuar që do ta zhbëjmë praktikën e dhunës përmes gjobave. E atëherë sigurisht unë besoj se çdo biznes i madh është i interesuar që të krijojë një mjedis garancish dhe sigurie duke kontribuar më shumë për këtë vend.
Pika e katërt ka të bëjë me bindjen që shterimi i modelit, kriza që ka një peshë të jashtëzakonshme dhe në përgjithësi bindja se rrugët e vjetra janë në një masë të madhe të ezauruara kërkojnë një model që të përmbajë dhe fuqinë për t’u integruar dhe për të integruar një zhvillim rajonal që shfrytëzon potencialet e paqes në rajon. Dhe ne duam të marrim rol në shfrytëzimin e këtyre potencialeve të paqes në rajon.
Sigurisht marrëdhëniet me Kosovën në radhë të parë duhet dhe do t’i ngremë në një stad të ri për ekonominë e shqiptarëve këtej e andej kufirit.
1. Një sistem i unifikuar arsimor
2. Siguria energjetike e shqiptarëve këtej dhe andej kufirit
3. Një ofertë të njehsuar turistike
4. Një hartë të rajonalizimit të prodhimit bujqësor
5. Bashkim doganor midis dy vendeve
Por po ashtu duhet të ngremë në një stad të ri për ekonominë respektive edhe marrëdhëniet me të tjerët në kuadër të perspektivës europiane. Për projekte rajonale në infrastrukturë hekurudhore e portuale. Për projekte bashkëpunimi komunitar në nivelin ekonomik, social e kulturor. Për një projekt për mbrojtjen me marrëveshje shumëpalëshe te minoriteteve si ura lidhëse e jo si ura zjarri mes vendeve të rajonit.
Të shkojmë përtej krizës. Me fuqinë e imagjinatës dhe pasionit për një Rilindje Shqiptare, që nuk është vetëm e domosdoshme, por është edhe plotësisht e mundshme.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë