Sri Lanka ka pezulluar për dy javë shitjen e karburanteve për makinat jo të domosdoshme, pasi po përballet me krizën më të rëndë ekonomike në dekada. Për dy javë, vetëm autobusët, trenat dhe makinat që shfrytëzohen për shërbime mjekësore dhe transportim të ushqimit, do të mund të blejnë karburant.
Sipas një vendimi të marrë nga qeveria, shkollat në zonat urbane janë mbyllur dhe puna do të zhvillohet nga shtëpia për sektorët që është e mundur. Sri Lanka është duke negociuar marrëveshje për dalje nga kriza, pasi me vështirësi po paguan për importet e ushqimit dhe naftës.
Ndalimi i shitjes së karburanteve do të jetë deri 10 korrik. Zëdhënësi i qeverisë Bandula Gunewardena tha se Sri Lanka nuk është përballur kurrë në histori me një situatë të tillë. Ekonomia e Sri Lankës është goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit, rritja e çmimeve të energjisë dhe politikat populiste për taksat.
Përgjatë fundjavës, zyrtarët kanë thënë se Sri Lanka ka pasur vetëm 9.000 tonë të naftës dhe 6.000 tonë të benzinës për të ndarë për shërbimet thelbësore në ditët në vijim. Sipas zyrtarëve, rezervat mund të zgjasin një javë, nëse ka kërkesë të rregullt.