Qeveria shqiptare dhe Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) kanë nënshkruar marrëveshje huaje ndihmë për Reformën në Sektorin e Energjisë. Përmes kësaj marrëveshje Shqipëria mori kredi të butë 50 mln euro që do të mbështesë sektorin e energjisë, ku do të jetë në shërbim të ndarjes së operatorëve të OSHEE-s, funksionimit të bursës së energjisë dhe krijimit të një tregu konkurrues.
“Nëpërmjet kredisë së butë prej 50 milionë euro që u firmos sot mbështetet sektori i energjisë, është një fakt vijim i reformës që Shqipëria ka ndërmarrë ndaj energjisë, e cila sot më shumë se kurrë është e nevojshme në bazë të zhvillimeve ndërkombëtare të tregjeve të energjisë. Kjo kredi synon të përmirësojë dhe konsolidojë strukturën e OSHEE-së, pra ndarjen e tre operatorëve të OSHEE-s, synon të nxisë funksionimin e bursës së energjisë, si dhe krijimin e një tregu konkurrues për energjinë. Është në vijim të një tjetër marrëveshje kredie po në sektorin e energjisë të financuar nga qeveria gjermane bazuar në marrëveshjen që qeveria shqiptare, gjermane dhe ajo franceze kanë për nxitjen dhe mbështetjen e sektorit të energjisë”, tha ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.
Ambasadorja franceze Elisabeth Barsacq tha se kjo hua do të shërbejë për krijimin e një tregu transparent të energjisë që do të ndihmojë edhe në integrimin e vendit në BE.
“Ky program është shembull i bashkëpunimit franko-shqiptar dhe kemi shkëmbim midis ERE dhe homologut të tij francez. Krijimi i një tregu transparent të energjie shërben për integrimin në vend dhe do të inkurajojnë rritjen ekonomike dhe fuqizimin e këtij tregu dhe rritjen e sektorit privat në këtë treg “, tha Ambasadorja.
Ndërsa përfaqësuesja e agjencisë Franceze për Zhvillim, Cecile Couprie tha se kjo hua synon të reformojë sektorin Energjetik, kur vjen në një kohë ku bota ndodhet në krizë energjetike.
“Ky nënshkrim është vetëm fillimi. Kjo ngjarje mbart edhe një domethënie të veçante për Agjencisë Franceze për Zhvillim sepse është programi i parë i firmosur pas regjistrimit të zyrës së AFD-së në Shqipëri në gusht 2020 dhe hapjes së zyrës në tetor 2021. Do të kemi marrëveshje të tjera në vijimësi. Faza e dytë e reformës do të shoqërohet me një hua të dytë prej 50 milionë eurosh. Gjithashtu, së shpejti do të nënshkruhet dhe një hua tjetër prej 50 milionë euro, për politikat publike dhe barazinë gjinore. Është një hua për politikat publike që synojnë mbështetjen e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri. Reforma në sektorin energjetik merr një rëndësi të madhe në një kohë kur Shqipëria dhe bota mbarë po përballet me një krizë energjetike. Ky reformim do të sjellë një trafikim të ri që do të mbulojë kostot, zhvillimin e tregut energjetik dhe përdorimin e energjive të ripërtëristshme”, tha përfaqësuesja e agjencisë Franceze.
Po ashtu edhe zv.kryeministri Arben Ahmetaj tha se kjo marrëveshje vejnë në një moment kur vendi po përballet me reformimin në sektorin e energjisë, një ndër reformat më të thella dhe më të guximshme sipas tij.
“Marrëveshja e sotme për sektorin energjetik vjen në një moment të rëndësishëm. Reforma në energji ndër më të guximshmet. Fokusi i të gjitha qeverive në botë është adresimi i problemeve në krizën energjetike. Sot kemi panoramë tjetër të sistemit,” tha Ahmetaj.