​Asgjë të re nuk ka sjellë takimi i radhës mes kryeministrit grek, Aleksis Cipras dhe udhëheqësve të Gjermanisë dhe Francës. E vetmja gjë që doli nga takimi Cipras-Merkel-Olond ishte nevoja për të intensifikuar bisedimet mes palëve. Pas takimit, Cipras deklaroi se palët ende duhet të zvogëlojnë diferencat në qëndrimet e tyre.

Bisedimet e Greqisë me kreditoret ndërkombëtarë duhet të intensifikohen. Ky ishte i vetmi rezultat i takimit të radhës mes kryeministrit grek Aleksis Cipras dhe udhëheqësve të Gjermanisë dhe Francës, Angela Merkel dhe Fransua Olond.

Pas takimit të orëve të vona të natës, kryeministri grek deklaroi se palët duhet të zvogëlojnë diferencat, por përtej kësaj takimi nuk solli asgjë të re.
 
Cipras shtoi se, liderët europiane e kuptojnë se Greqisë i duhet ofruar një zgjidhje e zbatueshme dhe një mundësi për t’u rikthyer tek rritja ekonomike. 

Komisioneri evropian, Pierre Moscovici tha se një marrëveshje ishte afër, por sipas tij, ajo duhet të kishte një fund të lumtur, megjithëse ai ironikisht tha që i pëlqente shume tragjedia greke. 

Sipas "Euronews”, megjithëse ekzistojnë diferenca në qëndrimet e Greqisë dhe liderëve të Bashkimit Europian, takimi i mbrëmshëm tregoi se, të gjithë palët e dëshirojnë një zgjidhje.

(f.s/shqiptarja.com)