Një keqkuptim i madh po ndodh prej kohësh. Për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare thuajse te gjithë fajësojnë krizën greke. E kundërta është e vërtetë. Kriza greke përbën shansin më të madh që mund të ketë patur ekonomia shqiptare. Një shans historik, që vështirë se e ka patur një vend tjetër. Mjafton të shikojmë shifrat, statistikat e Bankës së Shqipërisë.

Prej katër vitesh, portofoli i depozitave në sistemin bankar shqiptar është rritur çdo vit me të paktën 20 për qind. Pra, thënë më shkoqur, bankat shqiptare kanë dyfishin e parave që kanë patur katër vite më parë. Në asnjë vend tjetër nuk ka ndodhur një mrekulli e tillë. Gjërat kanë rrjedhur fare thjesht. Që prej gjashtë vjetësh kriza greke ka pushtuar gjithë mediat e rruzullit. Klientët e bankave greke kanë qenë në një panik të vazhdueshëm. Emigrantët shqiptarë nxituan të tërheqin kursimet e tyre nga bankat greke për ti zhvendosur ato në bankat shqiptare. Dhe këto kursime nuk janë pak. Janë kapitalet e krijuara për 20 vjet me rradhë nga 1 milionë shqiptarë, pjesa më jetike e krahut tonë të punës.

Mëtonjësit e idesë se kriza greke është shkaku i vështirësive të skajshme që po kalon ekonomia shqiptare, këmbëngulin se kanë rënë ndjeshëm remitancat. Kjo është e vertetë. Por ky element është gjysma e të vërtetës. Dhe nuk ka gënjeshtër më të madhe sesa një gjysëm e vërtetë. Sepse nëse do shkonim me logjikën e tyre duhet të shqetësohemi përse nuk kemi më vezën e remitancave, ndërkohë që harrojmë të themi se kemi marrë gjithë pulën. Sepse emigrantët vërtet dërgojnë më pak lekë xhepi në familjet e tyre , por ndërkohë kanë sjellë në bankat shqiptare depozitat bankare, gjithë kursimet e tyre.

Ky shans i madh mund të prodhojë një rritje ekonomike, që do të ngjasonte me një fontanë. Këto miliarda euro të ardhura nga Greqia në mënyrë ciklike gjatë katër viteve te fundit do të prodhonin një rritje ekonomike dyshifrore në mënyre konstante. Por e kundërta ka ndodhur. Gjatë katër viteve te fundit Shqipëria ka humbur ritmin e rritjes ekonomike prej tetë për qind dhe po zvarritet në limitet e rritjes 1 për qind. Më shumë se një herë Berisha është shprehur se është një partizan I flaktë I doktrinës ekonomike të Ronald Reganit. Madje thënien proverbiale të presidentit amerikan të viteve '80 se qeveria është problemi, Berisha e ka cituar plot patos mjaft herë. Dhe realisht shkaku që po bjerrim këtë shans historik është qeveria.

T'i marrim gjërat me rradhë. Me shumë te drejtë mund të pyetet përse bankat i lënë të vdekura këto kapitale që kanë vërshuar në sportelet e tyre. Përgjigjia është fare e thjeshtë. Frika nga kreditë e këqija, të cilat janë rritur ndjeshëm dhe kanë arritur shifra të rrezikshme. Portofoli i kredive të këqija ka arritur në 23. 8 për qind. Po si janë krijuar kreditë e këqija? Përgjigjia e kësaj pyetjeje po artikulohet qartazi nga të gjithë. Qeveria i detyrohet sektorit privat të paktën 400 milionë euro. Vetëm kompanive të ndërtimit të rrugëve u detyrohet 200 milione euro. Gjithashtu, fatura e borxhit në sistemin shëndëtësor shkon 100 milionë euro. Të gjitha fatura të papaguara nga qeveria. Në këto rrethana sipëermarrësit janë detyruar të marrin kredi nga bankat për të mbajtur në këmbë biznesin me shpresën se fondet që do marrin nga buxheti i shtetit nuk do të vonojnë. Por qeveria ende nuk i ka shlyer këto detyrime. Kështu është krijuar reaksioni zinxhir i borxheve të këqija. Buxheti i shtetit i detyrohet sipërmarësve dhe këta të fundit kanë kaluar çdo limit në pagesën e detyrimeve ndaj sistemit bankar. Të djegur nga qumështi, bankat i fryjnë dhe kosit. Kreditë për sipërmarrësit, që do të donin të investonin thuajse janë pezulluar totalisht. Situatë më absurde vështirë se mund të imagjinohet.

Kjo çmenduri financiare filloi me afrimin e zgjedhjeve të vitit 2009. U prenë dhjetëra e dhjetëra shirita rrugësh. Madje u organizuan dhe tendera, ndonëse në buxhetin e shtetit nuk ishin fondet e mjaftueshme për ndërtimin e tyre. Fondet mund të mbulonin deri në 5 qind te vlerës së investimeve. Gjithçka ishte një show. Kësaj aventure financiare iu shtua dhe klauzola se asnjë firmë ndërtimi nuk mund të marrë pjesë në një tender tjetër nëse nuk ka realizuar 70 për qind të punimeve të tenderit që ka fituar më parë. Pra qeveria po merte kredi nga privatët, këta nga bankat duke krijuar kështu një piramidë që tashmë ka kolapsuar. Falë zotit që bankat e kuptuan në kohë këtë aventurë. Gjithsesi, zinxhiri i borxheve të këqija, përbën nyjen gordiane, që mban të lidhur ekonominë shqiptare. Si do të pritet kjo nyje duhet të jetë tema kryesore e fushatës elektorale. Ndryshe do vazhdojmë të zvarritemi.