Në një reagim të radhës për çështjen e pagave të magjistratëve, kryeministri Edi Rama i përgjigjet sërish një deklarate të gjyqtarit të posaçëm Engert Pëllumbi. Ky i fundit, në një intervistë televizive, e cilësoi çështjen jo si ngërç buxhetor, por politik dhe “çështje inati për fitoren tonë në Gjykatën Kushtetuese”.

Por shefi i qeverisë i përgjigjet duke thënë se kjo nuk është “gjuhë gjykatësi”, por “gjuhë ultrasi që bërtet në rrugë kundër VAR-it”.

Kryeministri këmbëngul se askush nuk mund të zëvendësojë Kuvendin në përcaktimin e pagave. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese mund të konstatojë kur ligjvënësi ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën, por nuk mund t’i diktojë Parlamentit se çfarë formule duhet të miratojë.

“Askush nuk e zëvendëson dot parlamentin dhe as nuk e urdhëron dot legjislativin se kur duhet ta ngrejë dorën. Vetëm Gjykata Kushtetuese e askush tjetër, ka të drejtën dhe detyrën t’i thotë se kur e ka ngritur dorën gabim, po as ajo vetë nuk i thotë dot kurrsesi pushtetit të pavarur legjislativ se si duhet ta ngrejë dorën”, shkruan Rama.

Rama thotë se do të ishte një sfidë e re për shtetin nëse shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të përpiqeshin të impononin rritjen e pagave përmes kallëzimeve, masave të sigurimit apo përmbarimeve.

“Nëse largqoftë, shoqatat e prokurorëve e të gjykatësve kanë vendosur që me mjete politike dhe juridike të koordinuara me zyrat e prokurorive e të gjykatave si një ushtri e rreshtuar kundër qeverisë, të na imponohen me kallëzime, sigurime a përmbarime për të rritur pagat e tyre, atëherë jemi përpara një sfide të një lloji të ri, e cila nuk na tremb po na shqetëson pamasë”, vijon Rama.

Kryeministri thekson se çështja e pagave, sipas tij, nuk është çështje inati, por një “sfidë shtetbërjeje europiane e Shqipërisë”, ndërsa më 17 shtator pritet t’i jepet zgjidhje ngërçit me miratimin në Kuvend të formulës së re të pagave.

“Tryeza e përgatitur për takimin e kërkuar dhe të anulluar vazhdon të jetë gati. Në 17 shtator mbaron vetëm ky episod i tensionuar publikisht, që mund dhe duhet të ishte shmangur, por nuk shteron nevoja për të komunikuar mes pushteteve të pavarura”, shkruan Rama.

Mazhoranca po shkon drejt miratimit të formulës së re për pagat e magjistratëve. Në komisionet parlamentare ka nisur shqyrtimi i projektligjit të propozuar nga socialistët, sipas të cilit paga referuese e magjistratëve do të rritet nga 36 në 38% të pagës së Presidentit të Republikës.

Drafti i PS-së parashikon një rritje me rreth 8.500 lekë të pagës referuese të magjistratëve, ndërkohë që pretendimi i tyre, i miratuar edhe nga KLGJ dhe KLP, është rreth 9-fish më i lartë, rreth 80 mijë lekë.

Kriza e pagave në sistemin e drejtësisë kulmoi pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re të pagave, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP vendosën që nga 1 gushti paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, plus 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin. Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat me këtë përllogaritje, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendit.

Reagimi i plotë i Edi Ramës:

Kurrë jo, kjo nuk është gjuhë gjykatësi, po gjuhë ultrasi që bërtet në rrugë kundër VAR-it.

Keqardhje dhe disa të vërteta të thjeshta:

Askush nuk e zëvendëson dot parlamentin dhe as nuk e urdhëron dot legjislativin se kur duhet ta ngrejë dorën. Vetëm Gjykata Kushtetuese e askush tjetër, ka të drejtën dhe detyrën t’i thotë se kur e ka ngritur dorën gabim, po as ajo vetë nuk i thotë dot kurrësesi pushtetit të pavarur legjislativ se si duhet ta ngrejë dorën.

Politikën e pagave e propozon vetëm qeveria, e miraton vetëm parlamenti dhe e zbaton vetëm qeveria. Gjykata Kushtetuese ndërhyn vetëm nëse cënohet një parim a një normë kushtetuese, që ligjvënësit duhet ta riparojnë pa u cënuar në pavarësinë e tyre, siç e shohin ata të udhës të shprehen me votën e tyre.

Nëse largqoftë, shoqatat e prokurorëve e të gjykatësve kanë vendosur që me mjete politike dhe juridike të koordinuara me zyrat e prokurorive e të gjykatave si një ushtri e rreshtuar kundër qeverisë, të na imponohen me kallzime, sigurime a përmbarime për të rritur pagat e tyre, atëherë jemi përpara një sfide të një lloji të ri, e cila nuk na tremb po na shqetëson pamasë. Por ne nuk duam të jetë kështu dhe unë nuk dua ta lejoj që të ndodhë kështu, sepse ndryshe nga si e mendon ky gjykatësi mediatik, kjo e pagave stratosferike, për ne nuk është çështje inati po sfidë shtetbërjeje europiane e Shqipërisë.

Eshtë shumë e thjeshtë. Tryeza e përgatitur për takimin e kërkuar dhe të anulluar vazhdon të jetë gati. Në 17 shtator mbaron vetëm ky episod i tensionuar publikisht, që mund dhe duhet të ishte shmangur, por nuk shteron nevoja për të komunikuar mes pushteteve të pavarura. Përkundrazi, ajo nuk lindi nga episodi i pagave dhe do të jetë edhe më e madhe në çdo hap deri në anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Por ne tryezën dhe gatishmërinë kemi, të tjerat janë në gjykimin e gjykatësve:-)

Deklarata e gjyqtarit Pellumbi e ndare nga Rama

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:20
Kriza me pagat e drejtësisë/ Rama-gjyqtarëve: Historia e botës s’e ka parë që t’i merrni vetë paratë nga Thesari

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për përplasjen mbi pagat në sistemin e drejtësisë. Duke ndarë deklaratën e gjyqtarit Engert Pëllumbi gjatë një interviste televizive, se “për rritjen e pagave janë aq para sa GJKKO i konfiskon çdo vit krimit të organizuar”, Rama thotë se gjyqtarët nuk mund të pretendojnë se paratë e konfiskuara prej tyre u takojnë për rritjen e pagave.

Kreu i qeverisë e cilëson këtë qëndrim të papranueshëm, duke thënë se “historia e botës s’e ka parë që gjykatësit të thonë do t’i marrim paratë vetë nga thesari i shtetit”.

"Jo, kurrë nuk mund të flasë një gjykatës kështu! Historia e botës s’e ka parë që gjykatësit të thonë do t’i marrim paratë vetë nga thesari i shtetit se janë tonat dhe kjo “i kemi mbledhur vetë” është një hata më vete për nga shkalla rrëqethëse e paditurisë mbi funksionimin e shtetit. Le ta imagjinojmë sikur të çohen doganierët e tatimorët, policët e inspektorët dhe të thonë duam paratë që i kemi mbledhur vetë në thesarin e shtetit nga taksat e nga gjobat!

Çfarë mbetet pastaj për mësuesit, mjekët, ushtarakët e plot e plot të tjerë që shërbejnë mijëra detyra të shtetit, për të cilat paguhen nga thesari? Dhe sikur kjo rritje e kërkuar pa ligj të pranohet si fakt i kryer, i bie që krahasimisht me mësuesin, mjekun, ushtarakun, një gjyqtar fillestar të marrë 3.8 herë më shumë ose një pagë 280% më të lartë. Të tjerët më lart nuk i merrni dot as me mend se sa më shumë", shkroi Rama. 

Foto e deklaratës së gjyqtarit e publikuar nga Rama