Kuvendi i Kosovës përmbylli sot procesin e konstituimit të legjislaturës së re, duke i dhënë fund ngërçit politik që kishte bllokuar prej javësh ngritjen e institucioneve. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, shpalli të konstituuar Kuvendin pas zgjedhjes së nënkryetarëve.

Seanca u zhvillua pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila vendosi të bojkotojë punimet e Kuvendit deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese për procesin e konstituimit. Në një komunikatë, PDK akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të afateve kushtetuese dhe kundërshtoi lidhjen e zgjedhjes së nënkryetarëve me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se "Kushtetuta nuk është pazar politik".

Gjatë seancës, PDK i dërgoi edhe një shkresë zyrtare Albulena Haxhiut, me të cilën pezulloi kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Partia sqaroi se ky vendim nuk nënkupton heqje dorë nga posti që i takon.

Pavarësisht bojkotit të PDK-së, deputeti i LDK-së Kujtim Shala u zgjodh nënkryetar i Kuvendit me 85 vota pro.

Ndërkohë, kandidatët e Listës Serbe, Slavko Simiç, Igor Simiç dhe Liliana Stefanoviç, nuk arritën të siguronin votat e nevojshme për t'u zgjedhur në kryesinë e Kuvendit.

Në fund të procesit u zgjodhën edhe nënkryetarët nga komunitetet. Tanja Vujoviç u zgjodh nënkryetare nga komuniteti serb me 62 vota pro, ndërsa Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare nga komunitetet joshumicë me 70 vota pro. Pas këtij votimi, Albulena Haxhiu shpalli të konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Një ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje kishte ndryshuar qëndrim duke njoftuar se do të votonte kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë, me argumentin se synonte të zhbllokonte procesin dhe të shmangte zgjedhjet e reja. Ndërkohë, kryetari i Aleancës Ardian Gjini, dhe deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, e interpretuan këtë lëvizje si pjesë të një skenari që, sipas tyre, synon ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Me konstituimin e Kuvendit hapet rruga për hapat e ardhshëm institucionalë, përfshirë formimin e Qeverisë së re dhe procedurat për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Pikërisht procesi për zgjedhjen e kreut të shtetit mbetet sfida e radhës politike, pasi për vlefshmërinë e votimit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë. 

Çwshtja e presidentit ka qenw pwrplasja kryesore qw pengonte konstituimin e Kuvendit. Nw fund tw gushtit, Vetwvendosja dhe LDK arritwn njw marrwveshje pwr tw mbwshtetur kandidaturwn e Bekim Sejdiut pwr president, por kjo kandidaturw nxiti pwrplasje brenda partisw opozitare, pasi gjashtë nga 18 deputetët e saj deklaruan se nuk do tw mbwshtesin kandidaturwn e tij. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:02
Kurti i zgjat dorën PDK-së: Do ta votojmë Vlora Çitakun sapo të riktheheni në Kuvend

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështesë kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit, sapo Partia Demokratike e Kosovës të rikthehet në seancë.

“U bë mirë që u konstituua Kuvendi, nënkryetari i dytë i Kuvendit të Republikës së Kosovës i takon Partisë Demokratike të Kosovës. Në çdo moment që janë të gatshëm ta propozojnë zonjën Vlora Çitaku, ne menjëherë do ta votojmë”, tha Kurti.

Ora 11:54
'Votuan kandidaten e Listës Serbe', Aleanca sulmon Vetëvendosjen: U dorëzuan para axhendës së Beogradit

Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se u dorëzua para agjendës së Listës Serbe, pasi votoi kandidaten e këtij subjekti, Tanja Vujoviç, për postin e nënkryetares së Kuvendit.

“Asgjë, bash hiç asgjë nuk e dallon Tanja Vujoviqin nga Slavko Simiçi. Që të dy janë nën të njëjtën komandë direkte të Beogradit dhe që të dy kanë mision sabotimin e shtetësisë së Kosovës. Ata i rrëzuan emrat e parë vetëm për t'u shitur ‘patriotizëm’ militantëve në rrjete sociale, përpara se të dorëzoheshin për të votuar saktësisht të njëjtën agjendë të Listës Serbe. Aleanca e ka thënë qysh herët, ky teatër i koordinuar mes pushtetit dhe Listës Serbe është një maskaradë e pastër që po e mban peng dinjitetin e Republikës”, deklaroi Xhemaili.

Ora 11:20
Nga Ardian Gola te Emilija Rexhepi, këta janë 4 nënkryetarët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës

Me përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës janë zgjedhur edhe katër nga pesë nënkryetarët e legjislativit.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, nënkryetar u zgjodh 2 ditë më parë Ardian Gola, ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës sot u zgjodh Kujtim Shala.

Nga komuniteti serb, nënkryetare u zgjodh Tanja Vujoviç, ndërsa nga komunitetet joshumicë u zgjodh Emilija Rexhepi.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës mbeti pa nënkryetar, pasi bojkotoi seancën konstituive dhe pezulloi kandidaturën e Vlora Çitakut deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Ora 11:00
Haxhiu e shpall të konstituuar Kuvendin e Kosovës pa nënkryetarin nga PDK-ja

Kuvendi i Kosovës ka përmbyllur procesin e konstituimit të legjislaturës së re, pas zgjedhjes së nënkryetarëve që përfaqësojnë komunitetet.

Nga komuniteti serb, në postin e nënkryetares është zgjedhur Tanja Vujoviq, e cila mori 62 vota pro, 6 kundër dhe 3 abstenime.

Ndërsa nga komunitetet joshumicë, nënkryetare u zgjodh Emilija Rexhepi, me 70 vota pro dhe 7 abstenime.

Me zgjedhjen e tyre kryetarja Albulena Haxhiu përmbylli procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Ora 10:54
Lista Serbe pa përfaqësues në Kryesinë e Kuvendit, rrëzohen tre kandidaturat

Deputetët e Listës Serbe, Slavko Simiç dhe Igor Simiç, nuk arritën të sigurojnë votat e nevojshme për t'u zgjedhur nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës gjatë vazhdimit të seancës konstituive.

Slavko Simiç mori 65 vota kundër, ndërsa më pas u hodh në votim kandidatura e Igor Simiçit, i cili mori 62 vota kundër.

Pa votat e nevojshme mbeti edhe kandidatja Liliana Stefanoviç, e cila gjithashtu nuk arriti të zgjidhej nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.

Ora 10:48
PDK tërheq kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit: Do të presim vendimin e Kushtetueses

Partia Demokratike e Kosovës ka pezulluar kandidaturën e Vlora Çitakut për postin e nënkryetares së Kuvendit, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese për procesin e konstituimit të legjislativit.

Në një shkresë zyrtare drejtuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, të firmosur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, partia argumenton se vendimi është marrë për shkak të, sipas saj, shkeljeve të vazhdueshme të detyrimeve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

PDK thotë se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar vlerësimin e situatës së krijuar dhe, deri në marrjen e një vendimi, nuk do të marrë pjesë në vazhdimin e procesit të konstituimit.

Në shkresë theksohet se pezullimi i kandidaturës së Çitakut nuk do të thotë se PDK heq dorë nga posti i nënkryetarit të Kuvendit.

“Tërheqja e kandidaturës së tanishme nuk nënkupton se Partia Demokratike e Kosovës heq dorë nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon, dhe as se refuzon të propozojë kandidatin e saj për këtë pozitë”, thuhet në dokument.

 

Ora 10:46
Kujtim Shala zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës gjatë vazhdimit të seancës konstituive.

Shala mori 85 vota pro, duke siguruar mbështetjen e nevojshme për t'u zgjedhur në kryesinë e Kuvendit.

Me zgjedhjen e tij, LDK-ja tashmë ka përfaqësuesin e saj në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, ndërsa seanca konstituive po vazhdon me procedurat e tjera të parashikuara në rendin e ditës.

Ora 10:39
Nis seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, PDK nuk heq dorë nga bojkoti

Ka nisur vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku pritet të vazhdojë procesi për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.

Në sallën plenare janë të pranishëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës mungojnë, pasi partia ka vendosur të bojkotojë seancat deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Ora 10:36
Deputeti i LDK-së akuzon Vetëvendosjen: Po u ngre kurth partive të tjera!

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se po ndryshon qëndrimet për interesa politike, në prag të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.

Zemaj tha se deputetët e LDK-së duhet të marrin pjesë në seancë, ndërsa kritikoi mënyrën se si, sipas tij, po vepron Vetëvendosje.

“Këta qëndrimet i kanë ndërruar gjithmonë. I përdorin për propagandë dhe i përdorin për t'i vënë në kurth subjektet tjera politike. Kjo qasje është duke e dëmtuar Republikën e Kosovës”, deklaroi deputeti i LDK-së.

Ora 10:26
Kriza politike në Kosovë, Gjini akuzon Vetëvendosjen: E zvarriti procesin për të arritur afatin për zgjedhje

Kryetari i Aleancës Ardian Gjini, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se e ka zvarritur qëllimisht procesin e konstituimit të Kuvendit për të arritur, sipas tij, afatet që çojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Gjini deklaroi se nga dita e sotme nis afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit, ndërsa më pas mund të pasojë edhe afati deri në 45 ditë për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Ju kemi thënë, po e ndjekin datën 27 dhjetor. Prej sot, 60 ditë afat për zgjedhje të presidentit, plus deri në 45 ditë zgjedhjet. Tash e ka 27 dhjetorin që e ka kërkuar. Nuk kanë pasur problem as me Vlora Çitakun as me Kujtim Shalën. Problemi ka qenë me e mbërri datën e sotme. Afatin. Nëse doni, shkojmë në zgjedhje! Mos u frikësoni prej zgjedhjeve!”, u shpreh kreu i Aleancës.

Ora 10:23
Seanca konstituive në Kosovë, deputetët e Vetëvendosjes mbërrijnë në Kuvend

news image

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë mbërritur në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të vazhdojë seanca konstituive për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.

Në godinën e Kuvendit janë parë të hyjnë edhe deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit, pasi ka vendosur ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e procesit të konstituimit.

Ora 10:07
PDK bojkoton seancat e Kuvendit deri në vendimin e Kushtetueses: Kushtetuta nuk është pazar politik

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese për procesin e konstituimit të legjislativit, raportojnë mediat në Kosovë.

Në një komunikatë, PDK akuzon Lëvizjen Vetëvendosje se ka shkelur afatet kushtetuese dhe ka bllokuar në mënyrë të përsëritur procesin e konstituimit të Kuvendit. Sipas saj, Kuvendi duhej të ishte konstituuar brenda afatit 30-ditor, më së largu deri më 7 gusht, ndërsa edhe afati i dytë, 6 shtatori, nuk është respektuar.

PDK thekson se mori pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit për të ndihmuar përmbylljen e procesit, duke votuar kandidatin e Vetëvendosjes për nënkryetar të Kuvendit, ndërsa, sipas saj, LVV nuk votoi kandidaten e PDK-së.

Partia kundërshton gjithashtu kushtëzimin e zgjedhjes së nënkryetarëve me votimin për Presidentin e Republikës, duke theksuar se "Kushtetuta nuk është pazar politik". Sipas komunikatës, ekspertët e PDK-së po përgatisin lëndën që do t'i dërgohet Gjykatës Kushtetuese.

"Deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës mbetet i qartë: PDK nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit", thuhet në komunikatë.

Ora 10:03
Pak minuta para seancës konstituive, Lumir Abdixhiku i pari që hyn në Kuvendin e Kosovës

Lumir Abdixhiku është lideri i parë politik që ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës, ku në orën 10:00 pritej të niste vazhdimi i seancës konstituive. Në rendin e ditës është zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit, një hap që pritet të përcaktojë nëse do të zhbllokohet procesi i konstituimit të plotë të institucionit.