Kuvendi i Kosovës rikthehet sot në orën 10:00 në seancë për të zgjedhur nënkryetarët, hapi i fundit që mungon për konstituimin e plotë të institucionit. Me përfundimin e këtij procesi, do të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit.
Në prag të seancës, Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje vendosi që deputetët e saj të votojnë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën. Sipas LVV-së, vendimi është marrë për të kontribuar në zhbllokimin e procesit dhe për të shmangur zgjedhjet e reja të parakohshme.
Partia e Albin Kurtit ka bërë të ditur se pret që ky hap të pasohet me konstruktivitet edhe nga PDK-ja dhe LDK-ja në procesin e zgjedhjes së presidentit. Vetëvendosje u ka bërë thirrje deputetëve të marrin pjesë në seancën për zgjedhjen e kreut të shtetit, edhe nëse vendosin të votojnë kundër kandidaturës.
Zgjedhja e presidentit është një nga proceset më të rëndësishme që pritet pas konstituimit të Kuvendit. Për vlefshmërinë e votimit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë. Nëse presidenti nuk zgjidhet, Kosova mund të përballet sërish me zgjedhje të parakohshme.
Ngërçi politik nisi pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, ku Lëvizja Vetëvendosje doli forca e parë, por pa siguruar shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme. Kuvendi duhej të ishte konstituuar brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, i cili përfundoi më 7 gusht, ndërsa opozita e ka akuzuar mazhorancën për shkelje të këtij afati.
Presioni për zgjidhjen e krizës është shtuar edhe për shkak të zhvillimeve të ditëve në vijim. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se Kosova duhet t'i ketë institucionet e konstituuara përpara 16 shtatorit, kur në Hagë pritet të shpallet vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese për procesin e konstituimit të legjislativit, raportojnë mediat në Kosovë.
Në një komunikatë, PDK akuzon Lëvizjen Vetëvendosje se ka shkelur afatet kushtetuese dhe ka bllokuar në mënyrë të përsëritur procesin e konstituimit të Kuvendit. Sipas saj, Kuvendi duhej të ishte konstituuar brenda afatit 30-ditor, më së largu deri më 7 gusht, ndërsa edhe afati i dytë, 6 shtatori, nuk është respektuar.
PDK thekson se mori pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit për të ndihmuar përmbylljen e procesit, duke votuar kandidatin e Vetëvendosjes për nënkryetar të Kuvendit, ndërsa, sipas saj, LVV nuk votoi kandidaten e PDK-së.
Partia kundërshton gjithashtu kushtëzimin e zgjedhjes së nënkryetarëve me votimin për Presidentin e Republikës, duke theksuar se "Kushtetuta nuk është pazar politik". Sipas komunikatës, ekspertët e PDK-së po përgatisin lëndën që do t'i dërgohet Gjykatës Kushtetuese.
"Deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës mbetet i qartë: PDK nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit", thuhet në komunikatë.

Lumir Abdixhiku është lideri i parë politik që ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës, ku në orën 10:00 pritej të niste vazhdimi i seancës konstituive. Në rendin e ditës është zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit, një hap që pritet të përcaktojë nëse do të zhbllokohet procesi i konstituimit të plotë të institucionit.








Komente
Komento