​Ndihmës sekretarja amerikane për Evropë dhe Euroazi, Viktoria Nuland më 13 korrik do të mbërrijë në Shkup, për të zhvilluar takime me palët politike për gjetjen e një zgjidhje të krizës politike në Maqedoni.

Paraprakishte, bëhet me dije se Nuland do të mbajë takime të ndara me kryeministrin Gruevski dhe liderin e opozitës Zoran Zaev dhe më pas do të jetë pjesë e ndërmjetësimit në tryezën e përbashkët dhe me dy liderët e partive të tjera, Ali Ahmetin e BDI-së dhe kreun e PDSH-së Menduh Thaçi.

Burime të diplomacisë amerikane theksuan se vizita e saj nuk është e kushtëzuar me zhvillimet aktuale në Maqedoni, por vizita është pjesë e axhendës së planifikuar.

Disa media kanë paralajmëruar se Nuland vjen në Shkup për ti dhënë shtytje zgjidhjes së krizës dhe për të marrë rolin udhëheqës në zgjidhjen e krizës, për shkak të mossuksesit nga ana e BE-së.

Burime jozyrtare diplomatike kanë thënë për disa media se SHBA-të do të bëjnë presion që të mos zvarritet kriza politike dhe të arrihet sa më shpejt një zgjidhje politike, e cila do ta çoj vendin në zgjedhje të parakohshme që do të organizohen nga një qeveri kalimtare. Këto mesazhe pritet të përcillen edhe nga ndihmës – sekretarja amerikan Viktoria Nuland.

Zyrtarja e lartë e administratës amerikane në deklaratat e fundit për ngjarjet në Maqedoni kërkoi luftë kundër korrupsionit dhe regresit demokratik në këtë vend. Nuland konsiderohet si një diplomate ikonë dhe me respekt të madh në SHBA dhe për shkak të stilit të punës së saj ajo ka mbështetjen edhe të republikanëve, por edhe demokratëve.

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)