Kriza e ujit po godet drejtpërdrejtë edhe bizneset e vogla në Vlorë, në prag të festave të fundvitit. Për shitësin e peshkut Shpëtim Xhelaj, mungesa e ujit ka qenë “goditja përfundimtare” për financat e tij, në një periudhë kur priste rritje të klientelës me ardhjen e emigrantëve.

“Gjendja është shumë keq për sektorin e peshkimit. Edhe akullin e kemi blerë me lekët tona nga Orikumi sepse Vlora nuk ka ujë. Ujë për pastrim apo për të larë duart nuk bëhet fjalë,” tha Xhelaj.
Ai u shpreh se nuk po arrin të shesë produktet e peshkut, pasi mungesa e ujit e bën të pamundur edhe përpunimin bazë të produktit. Xhelaj e cilësoi situatën si të papranueshme pas dekadash problematikash me shërbimet bazë, duke e lidhur krizën me përgjegjësinë politike të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
"Të na rrojë partia, por kjo parti mos ardhtë asnjëherë. Në 35 vjet të mos kemi ujë, drita, rrugë, nuk ka ku të vejë! Njëherë mungojnë dritat, njëherë uji dhe pastaj duan taksat nga bizneset. Me çfarë t’i paguaj taksat? Unë nuk kam bërë asnjë shitje sot. Kush blen peshk sot? Unë skam ujë që ta pastroj dhe as ai që e blen nuk ka ujë. Jemi gropë për vitin e ri. E kemi 'dhuratë' nga Edi Rama,” u shpreh ai në një intervistë për Report TV.
Lajmi kryesor:
‘Po na zë kolera’, vlonjatët 4 ditë pa ujë! Tensione para Bashkisë, letra higjienike e vezë policëve! Mbërrijnë nga Turqia 3 pjesët për rregullimin e defektit








