KUKËS- Banorët e Surrojt dhe Kolshit protestuan këtë të hënë kundër bashkisë dhe qeverisë për degradimin e aksit rrugor Mamëz–Surroj, me gjatësi rreth 30 kilometra, cila lidh disa fshatra me qytetin.
Mes tyre edhe fëmijë me pankarta në duar ku shkruhet: “Nga janari në Mamëz dhe Surroj nuk do të hapen shkollat”.
Të zhgënjyer thanë se ndërtimi i rrugës u është premtuar disa herë në fushata elektorale, por nuk është kryer asnjë investim.
Banorët e fshatit Mamëz thanë se rruga ka degraduar edhe për shkak të kamionëve të kompanive minerare që kanë marrë leje koncesionare për shfrytëzimin e nikelit. Po sipas tyre, fshati nuk ka njohur asnjë investim edhe pse shteti merr të ardhura nga minierat.
“70 milionë euro të ardhura nga Mamëzi, zero investime për këtë fshat”, thanë ata.
Banorët paralajmëruan se nga muaji janar në Mamëz dhe Surroj nuk do të lejohet hapja e shkollave, si dhe njoftuan për përshkallëzim të protestës nëse nuk merret masa për rrugën, ujësjellësin dhe pastrimin e fshatrave.
Pyetur nga Report TV, Bashkia Kukës tha se projekti i rrugës Mamëz–Surroj është përfshirë sërish në listën e investimeve prioritare për vitin 2026, me një vlerë prej 521 milionë lekësh. Sipas njoftimit, rruga do të ndërtohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe aktualisht ndodhet në fazë prokurimi.
Rruga Mamëz–Surroj është premtuar gjithashtu nga ministrja Belinda Balluku, gjatë fushatës në mbështetje të kandidatit të atëhershëm për kryetar bashkie, Safet Gjici, fakt ky që u evidentua dhe nga protestuesit.
Komente









