TIRANE- Elez Muja, bosi i “BYTYÇI” shpk dhe Veli Muça, administrator i “ERGIN VEP” shpk janë dy personat që u kapën dje me 3 kamionë krom kontrabandë në Milot. Tropojanit Muja, konfliktet kromit, një herë i kishin sjellë plagosjen në këmbë, prillin e vitit të kaluar dhe gushtin e këtij viti e futën në ngatërresa me përfaqësuesit italinë të “Ital krom 2000”.

Sakaq, tri kamionët e tjerë me krom kontrabandë që u bllokuan dje në aksin Rrëshen-Milot, shënojnë kështu vijimin e operacionit që synon vendosjen e ligjshmërisë në shfrytëzimin e këtij minerali. Burime pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit, konfirmojnë për gazetën “Shqiptarja.com” se të ndaluarit e djeshëm janë pikërisht Elez Muja dhe Veli Muça, ndërsa burimet zyrtare u shprehën se “Policia do të luftojë pa kompromis krimin dhe paligjshmërinë, deri në zbulimin e plotë të hajdutëve të pasurisë së shqiptarëve”. Ndërkaq, u bllokuan edhe 4 kamionë me lëndë drusore.

Bllokimi i djeshëm shënon padyshim të parin hap serioz të Policisë së Shtetit në goditjen ndaj atyre që ministri Tahiri i cilësoi si “të paprekshmit” dhe që pohoi se s’ka më të tillë. Medoemos, fokusi mund të ketë rënë edhe mbi “Bytyçi” shpk, kompaninë me president Sahit Mujën, njeriun me pasuri të përafërt me 2 miliardë dollarë, firmën me shtrirje në Kukës dhe Vlad apo Zogaj të Tropojës, që ka ndërmend të shfrytëzojë edhe rreth 500 milionë ton rezerva kromi në ato zona dhe që ka ndërmend të ndërtojë fabrikën më të madhe të përpunimit të kromit, në Evropë. Informacione të detajuara rreth kësaj kompanie gjenden në faqen elektronike “albanianminerals.com”. Në momentin, kur strukturat e Krimit Ekonomik, në Policinë e Lezhës, dolën dje për kontroll, dy shoferët e kamioneve të kësaj kompanie, nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm ligjor dhe materiali shoqërohej me faturë të thjeshtë shoqërimi, ku nuk është shënuar sasia e mallit dhe as vlera e tij.

E njëjta gjë ndodhi edhe me “Ergin Vep” shpk, e cila vepron në rajonin e Balgjajt, rrethi Mat, me nr 1487, regjistruar më 2 gusht 2010, në Lezhë. Kamionët po dërgoheshin të gjithë në Portin e Durrësit. Kështu, me 2 procedimet e tjera të administratorëve që u gjetën në Durrës me më pak krom sesa kishin deklaruar dhe me 15 kamionët e bllokuar pardje në Milot, nis të jetësohet kërkesa e Ministrit të Ekonomisë dhe Energjitikës, Damian Gjiknuri, i cili kërkoi verifikim të të gjitha koncesioneve të kromit, për të gjetur ato të parregulltat. Gjiknuri i kërkoi kolegut të tij Tahiri një raport të detajuar për realietin “Far- Ëest”, të tri viteve të fundit, në minierat e kromit, ku një prej protagonistëve është edhe vetë Elez Muja. Deri në fund të 2012-ës, qeveria e asaj kohe kishte dhënë rreth 106 licenca shfrytëzimi për burimet e kromit, ndërsa prodhimi aktual është rreth 200 mijë tonë në vit.

elez muja
(Foto: Nga e majta bosi i “BYTYÇI” shpk, Elez Muja)

Ç ËSHTË “BYTYÇI” SHPK
Në njoftime zyrtare, “Albanian Minerals” & “Bytyci” SHPK, shprehen se kanë ndërtuar infrastrukturën për krom dhe minerale, në Vlad, Pac, Zogaj të Tropojës dhe Hija e Bushit. Ka filluar miniera nëntokësore në Traverbank e cila aktualisht është miniera më e madhe në vend.
 
ELEZI QËLLOI ITALIANËT
Më 13 gusht të këtij viti, Elez Muja, u fut në ngatërresa me përfaqësuesit italinë të “Ital krom 2000”. Përfaqësuesja italiane e firmës e denoncoi Mujën, duke i thënë policisë se kishte probleme me të, si përfaqësues i “Bytyçi” shpk dhe se Elezi qëlloi me armë në ajër.

Ç NDODH NË “FERRIN” E KROMIT
“Ferri” i kromit ka pak vjet që po “shpaloset”. Përplasjet mes bandave rivale, me stilin Far-Ëest, kanë sjellë të paktën 5 të vdekur, këto 3 vitet e fundit, mbi 5 të plagosur dhe rreth 70 punëtorë që kanë humbur jetën në galeritë e kromit. Përplasjet ende vijojnë.
 
Firmat e kapura dje me krom
1-“BYTYÇI” shpk, 2 kamionë
2-“ERGIN VEP” shpk, 1 kamion
 
Kompanitë e proceduara dje në Durrës, me krom
1-“Vllazëria Minerals Albania”, disa kamionë
2-“Auto Star Sh.p.k”, disa kamionë
 
Kompanitë e kapura pardje me krom
1-“ALB-LEA shpk”, 3 kamion
2-“GLONAJ INTERPRIZE GROUP”, 2 kamionë
3-“BLENDI import eksport”, 1 kamion
4-“OKSEOLA shpk”, 3 kamionë
5-”KURTI shpk”, 1 kamion
6-“TURALB, KROM”, 1 kamion
7-“RAMO TRANS” 1 kamion
8-“BESLAND shpk”, 1 kamion
 
Shifra të Far-Ëest 2009-2013
4 të vrarë
5 të plagosur
70 punëtorë të vdekur
 
Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)