'Kronikë lufte e qytetit pa luftë', libri që dokumenton pranverën e 1999-s

'Kronikë lufte e qytetit pa luftë', libri që dokumenton pranverën e 1999-s

Në kuadër të manifestimit kulturor “Ditët e Lidhjes  Prizrenit 2019” dhe  në vigjilje të 20 vjetorit të çlirimit të Prizrenit, me 10 qershor  është përuruar libri publicistik “Kronikë lufte e qytetit pa luftë (Kukës, 1999)” i autorit Bashkim Shala, me profesion gazetar. Në këtë libër pasqyrohen kryesisht ngjarjet e pranverës së vitit 1999, që ishin dramatike për popullin e Kosovës, por edhe për banorët e Kukësit, që ofruan strehim për popullatën e dëbuar nga dhuna e terrori i forcave serbe.

Recensenti i librit, Petrit Palushi, ka thëne se bëhet fjalë për libër të dëshmisë dhe të reflektimit. Sipas tij, ky libër risjell në vëmendje kryesisht atmosferën e pranverës dramatike të vitit 1999.

Ndërkaq historiani Enver Batiu në ceremoninë e përurimit të librit ka theksuar se kjo vepër “ka rëndësi të madhe, sepse shërben për njohjen e situatës në Kukës dhe Shqipëri dhe të asaj në Kosovë”, në pranverën e vitit 1999. “Libri na jep të dhëna reale mbi përjetimet e kosovarëve dhe qëndresën e tyre në luftë për liri e pavarësi. Vepra do t’u shërbejë të gjithë atyre që duan të njihen me ngjarjet e kësaj periudhe të lavdishme të historisë së popullit liridashës të Kosovës”, ka thënë Batiu.

Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, ka theksuar se libri i autorit Shala duket që sjell ngjarje të vogla nga Kukësi i pranverës së vitit 1999, porse ato janë ngjarje të mëdha.

“Ngjarjet që sjell ky libër janë argumenti më i mirë për të treguar edhe në rrafshin politik, edhe ndërkombëtar se intervenimi i NATO-s në vitin 1999 ka qenë i drejtë, pasi Serbia kishte prekur pikën mbi të cilën bota demokratike nuk mund t’i mbyllte sytë më”, ka thënë Ukshini, duke shtuar se plani i Beogradit ishte shfarosja e një populli. “Intervenimi i NATO-s ka ndodhur për shkak të këtyre ndodhive, që janë dokumentuar nga Bashkimi”.

Aautori Bashkim Shala tha se “shkrimet i filloj me provokimet serbe, vazhdoj me dëshmitë e gjenocidit. Ndoshta kam gabuar në ndonjë fakt, por dëshira jonë ishte që dëshmitë e gjenocidit t’i paraqesim, t’i bëjmë publike”.  Duke ju referuar edhe shumë ngjarje për menaxhimin e krizës, Shala tha se “sikur të kthehej në kohë nuk do të shkruante me aq kritikë për menaxhimin e saj”.

Kronikat e kohës së luftës përfundojnë me një reportazh nga Prizreni më 17 qershor, duke respektuar gazetarët vendorë që në liri të pasqyrojnë realitetin e tyre. Sipas autorit, në libër janë përfshirë edhe një intervistë me gazetarin kilian Abner Machuca, që ishte plagosur nga snajperistët serbë në maj të vitit 1999, në zonën kufitare, si dhe një reportazh me gazetaren Marie Colvin, e cila u vra në Siri.

Në fund të fjalës së tij autori i librit ka shprehur mirënjohje Komunës së Prizrenit për mbështetjen e dhënë në botimin e këtij libri.

LIBRI I DËSHMISË DHE REFLEKTIMIT                                                         

Libri “Kronikë lufte e qytetit pa luftë” (Kukës 1999), i gazetarit Bashkim Shala risjell në vëmendje kryesisht atmosferën e pranverës dramatike të vitit 1999.

Libri është një përmbledhje shkrimesh të botuara asokohe në gazetën “Koha jonë”.

Shkrime të tilla fillojnë në 12 janar të 1999-s, vijojnë në krejt pranverën dhe përmbyllen me reportazhin e të enjtes së 17 qershorit, disa ditë mbasi Kosova u lirua prej policisë dhe ushtrisë serbe (“Nga Kukësi në Prizren: Mijëra kosovarë që vrapojnë të kthehen në vendin e rrënojave dhe serbët që braktisin lagjet e tyre të frikësuar”).

Rimarrja e shkrimeve t’asaj kohe dhe përmbledhja në një libër, i jep mundësi lexuesit ta shohë atë kohë dramatike më në plotninë e vet.

Por dhe ta shohë librin me interesimin dhe dashninë e lexuesit të zellshëm e të vëmendshëm.

***

Libri të ngjan me një triptik për atë kohë të pazakontë, të vështirë, e cila lehtësisht mund të quhet Koha e Kosovës, anipse kronika dhe atmosfera realizohet në Kukës, në qytetin me rrethina ku u shpalua në formën më të skajme ndjesia e të njerëzishmes dhe e humanizmit.

(Jashtë këtij triptiku, rimerren edhe dy intervista të botuara në “Koha ditore”; 21 qershor  2014: Intervistë me gazetarin e TV shtetëror të  Kilit  Abner Machuca, plagosur më 27 maj të vitit 1999, në pikën e kalimit kufitar të Morinit, në Kukës - Shqipëri, nga snajperistët e ushtrisë serbo-jugosllave; 18 mars 2012: Një muaj me gazetaren Marie Colvin, “zëdhënese e UÇK-së” për të gjithë gazetarët e mediave botërore të stacionuar në Kukës, në pranverën  e vitit 1999).

Ndërkohë, drama e Kosovës mori përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare njëkohësisht, u plazmua si vëmëndje e pangjashme jo vetëm prej Europës së pasluftës së Dytë Botërore.

Natyrisht, drama e Kosovës mori vëmendje dhe reagim planetar.

Kosova n’atë kohë pothuajse e mbyllur hermetikisht.

Nga qyteti i Kukësit gazetarët (vendas dhe të huaj), përcillnin të vërteta të hidhura, të rënda pelin se ç’po ndodhte në Kosovë.

Në fundin e shekullit të XX regjimi represiv serb ndërmori dhe aktin e fundit ndaj shqiptarëve të Kosovës: t’i shpërngulte me dhunë prej trojeve të tyre, në një farë forme t’i zhbënte krejt-e-krejt.

Të shpërngulurit që vinin në Kukës mbas një odiseje fort fort të vështirë, thuajse tragjike, dëshmonin se ç’po ndodhte realisht në katundet e qytetet e Kosovës dhe e sollën atmosferën e luftës në formën më të mundshme.

Ia vlen të thuhet se ata ishin kronikanët e parë të vërtetë të luftës dhe rrëfimi shpalohej në një qytet pa luftë, por me një paqe të trazuar dhe që njëkohësisht lufta zhvillohej as 30 kilometra larg tij.

Gazetarët, me përkushtim njëkohësisht ia arritën që rrëfimet e kronikanëve të tillë t’i bënin publike dhe e vërteta t’i përcillej realisht dhe pa mungesa ose me pak mungesa Shqipërisë dhe botës.

Duke i ndjekur ngjarjet e gjysmës së parë të vitit 1999 thuajse ditë pas dite, gazetari Shala e përcillte realisht atmosferën për lexuesin.

Përpiqej të regjistronte sa të mundte në ngjarjet dramatike që po ndodhnin dhe të realizonte kronikat si një dëshmi e pazakontë për një kohë të pazakontë.

Vazhdimisht në kërkim të lajmit dhe të lajmeve, skrupuloz në detyrën e vet arriti ta mblidhte informacionin e nevojshëm, si të thuash një informacion jashtëzakonisht të pasur drejtpërdrejt nga Kukësi e rrethinat e tij.

Pikërisht prej asaj hapësire të mbështjellë me atmosferë lufte ku banorët e Kukësit demonstruan aktin e lartë të ndjeshmërisë humaniste për shqiptarët e anës tjetër të kufirit, të cilët u dëbuan me dhunë.

Në Kukës ata gjetën ngrohtësinë dhe strehën e parë, ku u shpalua ndjesia e lartë njerëzore dhe mirëkuptimi ndërkohë.

Paqja dukej krejt e trazuar për shkak të informacioneve dramatike e krejt të trishta që vinin prej Kosove (Të shpërngulurit tmerrin e përjetuar në Kosovë e tregonin më së pari tek gazetarët në Morin dhe në Kukës)

Në librin “Kronikë lufte e qytetit pa luftë” (Kukës 1999), është përshkruar më së miri dramatika e asaj kohe, shpesh e vërejtur edhe në imtësitë më të padukshme.

Është këndvështrimi i një gazetari skrupuloz që rreket të mos i shpëtojë asgjë, të hulumtojë e sërish të hulumtojë e në fund të mbramë të përcjellë informacionin e nevojshëm për lexuesin dhe informacionin ta përjetojë si kronikë lufte dhe paqe njëkohësisht.

Personazhi në këtë rast është kolektivi, që pret me ankth të kalojë ajo gjendje e rëndë, e ashpër, e trazuar dhe çdo gjë të kthehet në normalitet.

Brenda këtij personazhi - kolektiv gazetari Shala gjen dhe veçon personazhe - individë, të cilët i japin kronikave dritë të dukshme, realizëm dhe kohezion.

Nga ana tjetër, kronikat për shkak të realizmit, besnikërisë, zërave të të intervistuarve e të rrëfimtarëve të tjerë, janë të zhveshura krejt nga e tepërta.

Bash për këtë shkrimet e librit “Kronikë lufte e qytetit pa luftë” (Kukës 1999), vijnë përmbledhtas si një plotni dëshmie dhe reflektimi për kohën e pazakontë të gjysmës së parë të vitit 1999, kohë e cila u mbyll me ardhjen fatlume të lirisë së Kosovës së martirizuar pothuajse për një shekull.

Libri “Kronikë lufte e qytetit pa luftë” (Kukës 1999), është një vlerë e çmuar për atë kohë dramatike.

Libri është i dobishëm jo vetëm në lëminë gazetareske.

U shërben jo vetëm historianëve si faktografi dhe përshkrim me mjaft realizëm se ç’ndodhi n’atë kohë, kur lajmi më i fundit vjetërohej menjëherë, ku nata dhe dita pothuajse u bënë njësh dhe ç’sillte njëra ditë a natë, nuk sillte tjetra.

U shërben edhe nxënësve dhe studentëve të sotëm, të cilët asokohe s’kishin lindur ende, ku në lëndën jashtëzakonisht të pasur dhe reale këtij libri të mësojnë shumëçka për historinë e asaj periudhe të ngjeshur me ngjarje nga më të pazakontat.

Për shumë arsye, libri “Kronikë lufte e qytetit pa luftë” (Kukës 1999), i gazetarit Bashkim Shala është i mirëseardhur.

Mirëseardhja e këtij libri bëhet më e bukur se botohet në 20  - vjetorin e ardhjes së lirisë së Kosovës.

Kukës, 13 qershor 2019

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen