Rrëshqitjet e tokës në fshatin Cudhi të malësisë së Krujës janë shndërruar në një fenomen të rrezikshëm, për pasojë mjaft banesa kanë pësuar çarje dhe plasaritje.

Ky fenomen ka filluar menjëherë pasi u bë rikonstruksioni i rrugës Krujë-Qafshtamë. Studimi jo i mirë dhe punimet jo cilësore kanë bërë që në shumë pjesë rruga të ketë ulje të tabanit, por problem më i madh ju është shkaktuar banesave të cilat çdo ditë vijnë e dëmtohen më shumë.

“Është afraktu rruga ekzistuese dhe ka probleme me tubat e drenazhimit që nuk ju janë lënë vende shkarkimi. Janë rreth 200 metra tub që rrezikon gjithë fshatin. Kur bie shi ne rrimë zgjuar gjithë natën”, u shpreh Esat Bafti, banor i fshatit Cudhi.

Banorët janë mjaft të frikësuar nga dëmtimet e banesave. Ata shprehen se në kohë me shi ata qëndrojnë zgjuar gjithë natën nga frika se mos uji i merr me vete.

“Ankesën tonë që kemi është kjo shtëpia këtu, para dy viteve ka qenë në këmbë. Pas asfaltimit është shembur”, shprehen banorët.

Sipas banorëve në të gjithë gjatësinë e rrugës nuk ka kanale kulluese, kjo ka bërë që uji i grumbulluar të vërshojë në pjesë të ndryshme të kodrës, për pasojë edhe rrezikimin e banesave. Banorët e Cudhisë në Krujë, bëjnë apel për ndihmë dhe kërkojnë nga qeveria të marrë masa për të frenuar këtë fenomen shumë të rrezikshëm.

Er.K/Shqiptarja.com