Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është vënë nën hetim pas një operacioni të policisë së Krujës në disa lokale në vend.

Gjithashtu u sekuestruan 3 celularë ku u gjetën faqe dhe adresa website që shërbenin për vënien e basteve sportive.

“Krujë/Finalizohet operacioni policor i koduar "Game Over 3". 

Organizonin veprimtarinë e paligjshme të vënies së basteve sportive, nëpërmjet celularëve, në disa lokale në Krujë, vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohet një tjetër shtetas.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, 3 celularë që shërbenin për vënien e basteve sportive.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, pas një pune të mirëorganizuar, kanë finalizuar operacionin policor të koduar "Game over 3".

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit G. B., 34 vjeç dhe D. H., 24 vjeç, si dhe u procedua penalisht shtetasi E. S., 39 vjeç, të tre banues në Krujë.

Në celularët e 3 shtetasve të lartëpërmendur, shërbimet e Policisë gjetën faqe dhe linqe që shërbenin për vënien e basteve sportive.     

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 3 celularë që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë