Krybashkiaku i Përmetit, Jaçe:
Kisha po përdoret politikisht

Krybashkiaku i Përmetit, Jaçe:<br />Kisha po përdoret politikisht
TIRANE - Thellohen përplasjet mes besimtarëve ortodoksë në Përmet dhe kreut të bashkisë së këtij qyteti, i cili hedh poshtë pretendimet se ndaj besimtarëve dhe punonjësve të bashkisë bëhen presione me pushime nga puna.
Zëdhënësi i Kishës Ortodokse, Thoma Dhima, ka lëshuar dje akuza të forta ndaj institucionit të Bashkisë së qytetit të Përmetit, duke theksuar se presionet ndaj besimtarëve ortodoksë kanë arritur deri te kërcënimet me pushimin nga vendi i punës. Në një reagim të tij të postuar në rrjetin social Facebook,Dhima pretendon se këto janë sulme të pabaza ndaj ortodoksve, të cilët presin nga qeveria e re ndryshime. “Pas 22 vjet demokraci, pas shkatërrimit dhe përdhosjes së kishës të së Tërëshenjtës Mari, pasi i hodhën sendet e shenjta në makinën e plehrave, në Përmet ka filluar përsëri përndjekja, por kësaj radhe ndaj një besimi të vetëm.

Kush shkon në kishë dhe kundërshton çmendurinë antiorthodhokse të bashkisë kërcënohet familjarisht me vendin e punës. Madje,shkohet edhe më tej,kërcënohen jo vetëm punonjësit e bashkisë, por nga këta funksionarë është hedhur fare maska dhe kërcënohen të gjithë ortodoksët që punojnë në institucionet publike,duke u thënë,se “kush mbështet kishën,do hiqet nga puna pas 9 shtatorit,kur të fillojë punë qeveria e re…Por, njerëzit e votuan ndryshimin pikërisht për të shpëtuar nga terrori i bejlurçinave militantë, të paaftë dhe hakmarrës”, thekson zëdhënësi i Kishës Ortodokse.

Duke postuar edhe një foto të kishës ortodokse në vitet `56, Dhima lëshon akuza edhe ndaj historianit Kristo Frashëri. “Kristo Frashëri gënjen për madhësinë e Kishës Shën Maria e Pazarit dhe historinë e saj. Kristo Frashëri gënjen për rrjedhën e ngjarjeve në Përmet dhe nuk ka asnjë keqardhje për përdhosjen e besimit dhe rrahjen e besimtarëve. Kristo Frashëri përdor një gjuhë rruge kur flet për Kryepeshkopin Ortodoks, të cilit deri para pak viteve i puthte dorën me nderim”, shprehet Dhima.

REAGON BASHKIA

Kryetari i Bashkisë së Përmetit, Gilberto Jace rrëzon pretendimet e kishës ortodokse se u janë bërë presione besimtarëve dhe njëherësh punonjësve të bashkisë se do të pushohen nga puna. “‎Bashkia e Përmetit i hedh poshtë me neveri akuzat për kërcënime me pushime nga puna të besimtarëve. Shkaku i mungesës së besimtarëve në meshat e bëra para pallatit të kulturës dëshmon distancimin e qytetarëve jo ndaj besimit, por ndaj instrumentalizimit që duan t`i bëjnë këtij problemi përfaqësues të kishës. Nga pamjet e transmetuar mund të evidentohen punonjës të bashkisë ose familjarë të tyre, sigurisht jashtë orarit të punës”, thekson krybashkiaku i Përmetit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit çel fond investimi për 12 shkolla të Arsimit Profesional. Laboratorë modernë për 5 mijë nxënës, lista dhe qytetet

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit çel fond investimi për 12 shkolla të Arsimit Profesional. Laboratorë modernë për 5 mijë nxënës, lista dhe qytetet