Gjashtë kryebashkiakët e rinj që do të dalin nga zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, përpos sfidave politike, kanë përpara një situatë financiare jo të qëndrueshme të bashkive.
Bashkitë Vorë, Durrës, Dibër, Lushnjë, Rrogozhinë dhe Shkodër kanë mbi 10 milionë euro detyrime të papaguara, deri në shtator të vitit të kaluar. Situata është më problematike për bashkinë e Vorës e cila klasifikohet me vështirësi të theksuara financiare pasi borxhet e saj janë 5.5 milionë euro deri në shtator të 2021, ndërsa të ardhurat e kësaj bashkie deri në shtator ishin 5,1 milionë euro, dhe shumica e të ardhurave sigurohen nga transferta e pakushtëzuar që ju jepet nga buxheti i shtetit.
Detyrimet më të mëdha kjo bashki i ka për investime të papaguara me 4.5 milionë euro, ndjekur nga largimet e padrejta nga puna të punonjësve.
Pas Vorës, renditet bashkia e Durrësit me 1.4 milionë euro detyrime të prapambetura, nga të cilat 1.1 milionë euro janë për largime të padrejta nga puna. Ndërkohë që të ardhurat e kësaj bashkie deri në 9 mujorin e vitit të kaluar 31,8 milionë euro nga të cilat 23,7 milionë euro i është dhënë nga buxheti i shtetit në formën e transfertës.
Bashkia e Dibrës ka 1.4 milionë euro detyrime të papaguara, ndërsa të ardhurat deri në shtator ishin 12,6 milionë euro.
Ndjekur nga Bashkia Lushnjë me 789,455 euro borxhe, më pas bashkia Rrogozhinë me 776,234 euro detyrime,
Nga 6 bashkitë që do të shkojnë në zgjedhje më korrekte është ajo e Shkodrës që ka vetëm 27,919 euro detyrime të prapambetura.
Në aspektin financiar 3 janë sfidat thelbësore të drejtuesve të rinj, shlyerja e borxheve, shkëputja nga varësia e buxhetit të shtetit dhe rritja e mbledhjes së të ardhurave vendore.
BORXHET E BASHKIVE
Vorë 5.52 mln euro
Durrës 1.55 mln euro
Dibër 1,41 mln euro
Lushnjë 789,455 euro
Rrogozhinë 776,234euro
Shkodër 27,919euro