Kryebashkiaku Basha-banorëve:
Çmimet i ka vendosur Berisha

Kryebashkiaku Basha-banorëve:<br />Çmimet i ka vendosur Berisha
TIRANE - Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha ia ka hedhur fajin kryeministrit Berisha për çmimet me të cilat janë vlerësuar 240 pronat që preken nga ndërtimi i bulevardit të ri te Stacioni i Trenit. Të paktën kështu na thonë banorët, që janë takuar me kreun e bashkisë, në zyrën e tij, mbrëmjen e së premtes. Në një intervistë për “Shqiptarja.com” Mahmudie Kalliçi, njëra ndër banoret që do i shembet shtëpia, tregon se ky është shpjegimi që u ka dhënë kryebashkiaku, një grupi prej 7 banorësh që janë takuar me të kokë më kokë.

Sipas saj, gjatë kërtij takimi Basha u ka thënë se ai personalisht nuk ka qenë në dijeni të çmimit që i kanë vënë pronës së tyre, pasi këtë çmim e ka vendosur kryeministri Sali Berisha me Këshillin e Ministrave. Madje, ata thonë, se gjatë këtij takimi, kryebashkiaku Basha u ka premtuar se asnjë prej 240 pronarëve që preken nga ndërtimi i këtij bulevardi, nuk do të nxirret nga shtëpia, pa i dhënë më parë çelësin e apartamentit të ri ku do të strehohen.

Megjithatë, banorët shprehen skeptikë për këto premtime të Bashës, dhe druhen se ata që u ka thënë Basha në zyrën e tij në bashkinë e Tiranës, janë vetëm fjalë dhe jo shkresa zyrtare, ndaj edhe mëngjesin e djeshëm i janë bashkuar protestës së zhvilluar gjatë ceremonisë së inaugurimit të nisjes së punimeve për bulevardin e ri.
 
Mahmudie, a mund të na tregoni se kur e keni marrë vesh për çmimet që janë vlerësuar shtëpitë tuaja?
Në gazetë gjatë muajit korrik ka dalë çmimi i gjithë këtyre shtëpive për metër katror. Aty thoshte një kërkesë për dëmshpërblimin e shpronësimit të banorëve të stacionit të trenit dhe ishte 261 mijë lekë për metër katror. Por ky është një çmim qesharak, i paarritshëm duke menduar që çmimi i tregut është 1000 euro metri katror. Kështu që me 261 mijë lekë metër katror çfarë mund të blesh, sepse ne jemi edhe nga dy kurora brenda një banese. Ku do të shkojmë ne me aq lekë?
 
Ju, si vepruat pas këtij njoftimi?
Sapo e morëm vesh, të gjithë banorët e lagjes u ngritëm në protestë. Këto dy-tre netë ka pasur protesta të vazhdueshme në lagjen tonë. Të gjithë banorët, të cilat kanë prona, kanë dalë gjatë gjithë kohës duke kërkuar të drejtën e tyre, ditë dhe natë. Ne i jemi drejtuar kryetarit të Bashkisë, duke i thënë që këto çmime janë tepër qesharake dhe që nuk do ti pranojmë kurrë.
 
A keni pasur ndonjë takim me Bashën?
Po. Mbrëmë (të premten), erdhën policë të Bashkisë, të cilët donin që të vendosnin podiumin, ku do të vinte sot, kryetari i Bashkisë për të bërë inagurimin, por banorët e lagjes nuk i lejuan. Ndërsa nga ora 23:00 e darkës u mblodh një grup prej shtatë vetë dhe shkuan tek kryetari i Bashkisë dhe ai i priti në zyrë, ku biseduan për këtë çështje.
 
Çfarë u tha kryetari i bashkisë këtyre banorëve?
Atëherë, banorët i shpjeguan kryetarit problemin dhe që nuk mund të pranonin këtë çmim. Ai u kishte thënë se nuk është në dijeni të çmimit që janë vënë për shtëpitë tona. Ai gjithashtu u ka thënë se “çmimin e ka vendosur Sali Berisha me Këshillin e Ministrave, por megjithatë do ta rishikojmë nëpërmjet Këshillit Bashkiak. Unë shtëpitë nuk do ti lëviz, nuk do të jua marr pa ju strehuar në pallat. Domethënë do të ju jap çelsin e hyrjes në pallat dhe më pas do më dorëzoni shtëpinë”. Këto kanë qenë fjalë për fjalë ata që u ka thënë Basha grupit të banorëve dhe ata kanë rënë dakord.
 
Ju po thoni që palët ranë dakort, atëherë përse banorët dolën dje në protestë kur Basha po inauguronte punimet?
Është e vërtetë që sot (dje) vazhduam protestat edhe pse erdhi zoti Lulzim Basha, sepse ne nuk besojmë asnjë fjalë nga ato që na tha një natë më parë. Jemi lodhur me gënjeshtra, nuk i besojmë fjalëve, sepse nuk ka gjë të shkruar apo të firmosur. Janë vetëm premtime.
 
Çfarë kërkoni nga kryetari i Bashkisë?
Ne kërkojmë që zoti Lulzim Basha të na japi shtëpi. Sepse me aq sa e kanë çmuar truallin ata, absolutisht asnjë njeri nuk mund të blejë shtëpi, është e papërballueshme për ne. Ne duam banesë tjetër, meqë po na merr shtëpinë, atëherë të na japi shtëpi dhe jo ata çmimet qesharake, për të cilat mendon se do të tallet me ne.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.09.2013
 
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria do të zhvillojë Industrinë Ushtarake, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Rusia shton në listën e sanksioneve edhe 92 qytetarë amerikanë

Rusia shton në listën e sanksioneve edhe 92 qytetarë amerikanë