Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo njoftoi sot se ka vizituar spitalin ku është i shtruar Kryepeshkopi Anastas, në Athinë.
Përmes një postimi në Facebook, Tavo, shprehet se i uron shërim të shpejtë Fortlumturisë dhe rikthim sa më të shpejtë në punën dhe misionin e tij të bekuar
"Sot zhvillova një vizitë në Spitalin Evangjelismo në Athinë për t’u interesuar për gjendjen shëndetësore të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Duke i uruar shërim të shpejtë lutemi për Fortlumturinë e Tij, për rikthim sa më të shpejtë në punën dhe misionin e tij të bekuar duke kujtuar e nderuar përgjithmonë kontributin e jashtëzakonshëm e të pashoqë që ai ka dhënë prej dekadash në forcimin e besimit, jetën kishtare dhe në shoqërinë në tërësi", shkroi Tavo në Facebook.
Kryepiskopi Anastas fillimisht u shtrua më datën 30 dhjetor 2024 në një spital privat në Tiranë, për shkak të një viroze stine.
Më pas gjendja e tij u përkeqësua për shkak edhe të një gjakderdhjeje në sistemin e aparatit tretës, për të cilën u dërgua në Athinë më 3 janar, ku u shtrua në spitalin 'Ungjillëzimi'.