Shqipëria ishte ndalesa e radhës e Ministrit Jashtëm gjerman Johann Wadephul, në kuadër të turit ballkanik.

Në konferencën e përbashkët me homologen Spiropali, kryediplomati gjerman theksoi rëndësinë e përmbushjes së kritereve për anëtarësimin në BE, nga Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit, të cilat ambicien për tu bashkuar me BE-në e kanë më fortë se kurrë, me shpresën se unioni të jetë zgjeruar me të paktën 2 vende deri në 2030, Shqipërinë dhe Malin e Zi. 

"Ne jemi të gatshëm të mbështesim integrimin, por është detyra e vendeve kandidate për të përmbushur detyrat. Do të shihet në fund të procesit nësë është bërë gjithcka që duhet bërë. Shteti ligjor, lufta kundër krimit të organizuar, dhe arritja e një niveli konkurrues ekonomik, në këto fusha do dëshironim përqëndrim të punës",- tha Wadephul.

Ndërsa ministrja Elisa Spiropali theksoi përkushtimin e Shqipërisë për të përmbushur kriteret, e për të mbyllur procesin teknik brenda vitit 2027.

"Sot më shumë se kurrë, ne jemi të vendosur për një Shqipëri me institucione të forta demokratike, me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e social, me ekonomi konkurruese, me sistem drejtësie të pavarur, me mirëqenie për qytetarët tanë dhe kontribuuese për një Evropë të bashkuar e të sigurt.  Me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare, të mbyllim negociatat brenda vitit 2027 dhe të jemi gati për anëtarësim brenda kësaj dekade",- tha Spiropali.

Në vizitën shumë të shkurtër në Tiranë, ministri gjerman gjeti kohën për të pasur një takim të veçantë edhe me kreun e SPAK, Altin Dumani për t’i shprehur mbështetjen. 

"Duhet punuar që të mbërrihet në situatën e ndarjes së pushteteve reale, sistemi i drejtësisë duhet ishte i lirë nga çdo lloj ndikim, prokuroria dhe gjykata duhet të bëjnë të lira punën e tyre.  Dhe pikërisht ky ka qenë thelbi i bisedës me prokurorin e posaçëm, që i shpreha vlerësimin tim. Atje është duke u bërë  një punë e konsiderueshme, kjo strukturë mbështetet edhe nga qeveria dhe duhet të vijojë më tej në mënyrë konseguente",- tha ministri gjerman.

Pas vizitës në Bosnje Hercegovinë, Mal të zi dhe Shqipëri, ministri gjerman udhëtoi drejt Serbisë, ndërsa pritet të vizitojë edhe Kosovën e Maqedoninë e Veriut.