Kryemadhi nga Elbasani: Prioriteti ynë, synimi 5% GDP-së për arsimin! Do të dyfishojmë pagat e mësuesve dhe do të ulim shpenzimet e studentëve

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi mëngjesin e sotëm ka zhvilluar një tryezë diskutimi me përfaqësues të tjerë të partisë së saj, ku folën në lidhje me arsimin dhe programin elektoral.

Kryemadhi takimin e zhvilluar në qytetin e Elbasanit e bëri me dije përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook.

Në fjalimin e saj Kryemadhi tha se për LSI, e cila është partia e të rinjve dhe rejave, vendi mund të shërohet vetëm nga të rinjtë.

Sipas saj në themel të programit dhe vizionit të LSI-së do të jetë arsimi, ku edhe do të investohet me 5% të prodhimit të brendshëm bruto për të arritur një rezultat të kënaqur.

Ajo shtoi se këto nuk janë vetëm fjalë por do te ketë vepra reale, duke nisur nga dyfishimi i pagës së mësuesve, uljen e shpenzimeve të studentëve dhe familjeve të tyre si dhe garantimin e një pune pas përfundimit të shkollës.

“Për ne si LSI, e cila është partia e të rinjve dhe të rejave, vendi mund të shërohet vetëm nga të rinjtë.

LSI e gjen zgjidhjen tek arsimi cilësor për të rinjtë dhe të rejat, si dhe dhe punësimi dinjitoz për një të ardhme dinjitoze për ta.

Arsimi është në themel të programit dhe vizionit të LSI-së, pasi kushdo që mendon për të ardhmen, duhet të mendojë edhe për arsimin e të rinjve tanë. Një arsim cilësor, jo me fjalë, por ku në thelb të programit tonë ne kemi 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Një arsim cilësor, ku ne kemi vendosur taksën e të ardhmes, ku taksohen me 1% të fitimit të tyre të gjitha kompanitë e mëdha, duke qenë edhe vetë ato përfituese me burime njerëzore, të cilët do të jenë të aftë për tregun e punës dhe në konkurrencë. Për një arsim cilësor, jo me fjalë, por me rritje dyfish të pagave për mësuesit, që për ne është shumë e rëndësishme që mësuesit të jenë edukatorë të brezit të ri dhe jo mercenarë politik.

Një arsim cilësor, me kurrikula të lidhura me ekonominë e vendit.  Një arsim cilësor, që shpenzimet e studentëve, të cilat ne synojmë t’i përgjysmojmë, të jenë të përballueshme jo vetëm për studentët shqiptar, por edhe për familjet e tyre. 

Arsim cilësor për LSI do të thotë punësim që në bankat e shkollës. Programi “Mëso dhe fito” i cili është një nga programet më të përkrahura sot nga rinia shqiptare. Do të thotë punë të garantuar, paga dinjitoze, taksa të ulëta. Arsimi cilësor përmirëson pjesëmarrjen në politikë dhe krijon hapësira politike për të rinjtë tanë, gjë që është e domosdoshme për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë tranzicionit politik në Shqipëri, pas 30 viteve.

Arsimi cilësor sjell ekonomi të hapur, konkurrencë të ndershme, mundësi punësimi për të gjithë. Arsim cilësor do të thotë zhvillim bashkëkohor të bujqësisë, të industri agro përpunimit. Do të thotë shërbim shëndetësor të zhvilluar dhe jo emigrim të mjekëve e infermierëve në Gjermani.

Pra arsim cilësor do të thotë familje e re e lumtur, për të cilën ne e kemi të domosdoshme sot. Arsim cilësor do të thotë fuqizim i gruas në shoqërinë tonë. Arsim cilësor do të thotë një Shqipëri dinjitoze, me integritet dhe një Shqipëri europiane për të cilën ne aspirojmë. Për ne arsimi cilësor do të thotë të kesh besim tek të rinjtë dhe të rejat.”

Kryetarja e LSI-së gjatë fjalës së saj theksoi se arsimi do te jetë një nder 5 prioritetet kryesore të programit politik të saj.

“Dua të theksoj edhe njëherë rëndësinë që ne si LSI i vendosim arsimit, prioritetin që kemi ne për arsimin. Pika më e rëndësishme, është që 5 prioritetet tona, të cilat janë shumë të thjeshta, shumë reale, janë të realizueshme në 5 muajt e parë, ku një nga pikat kryesore të këtyre 5 prioriteteve është arsimi. Sepse është ajo që ne e theksojmë, e rivlerësojmë, e rithemi herë pas here, që arsimi për ne nuk është shpenzim, por është investim. “

Ajo shtoi se koha e bandave dhe grupeve që emërojnë dhe çemërojnë mësuesit, pedagogët tanë e këdo do të marrë fund përgjithmonë dhe se 25 prilli është shumë afër.

“Koha e bandave, koha e grupeve që emërojnë dhe çemërojnë mësuesit, pedagogët tanë e këdo tjetër duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Dhe 25 prilli erdhi, 74 ditë na ndajnë nga ai. Janë ditë të cilat ikin me shpejtësi marramendëse, sado që ne të themi që janë shumë 2 muaj e gjysëm për shqiptarët. Por siç janë shumë për të kaluar në kalvarin e vuajtjeve të qeverisë në ikje, ashtu edhe janë shumë të shpejta për të ecur çdo ditë, për të biseduar me nxënësit, me mësuesit, me pedagogët. Me çdo qytetar dhe për ta bërë realitet ëndrrën e shqiptarëve për të qenë vend i Bashkimit Europian.”

“Kështu që unë ju falënderoj dhe u jam mirënjohëse. Sfida të mëdha na presin. Sepse arsimi ndikon në bujqësi, në industri, në agro përpunim, në shëndetësi dhe mbi të gjitha arsimi ndikon tek fëmijët tanë.”, tha në fund Kryemadhi.

J.GJ./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Cekja: 10/02/2021 19:28

    Ashtu he...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja