Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy u shpreh sot në mbështetje të një hetimi të pavarur për gjetjen e autorëve të krimit të kryer kundër avionit të "Malaysia Airlines", që mendohet të jetë sulmuar nga një raketë në lindje të Ukrainës.

"Spanja do të jetë gjithmonë përkrah aleatëve. Ajo do të mbështesë një hetim të pavarur për gjetjen e autorëve të këtij krimi", konfirmoi Mariano Rajoy pas një Këshilli ministrash.

"Të gjithë kemi të drejtë të dimë se çfarë ka ndodhur dhe të gjithë duhet të bëjmë përpjekje për të shmangur që një krim si ky të mos ndodhë më kurrë", shtoi ai.

Ekspertët e shërbimeve sekrete amerikane theksojnë se Boeing 777 i Malaysia Airlines, nisur nga Amsterdami për në Kuala Lumpur u sulmua nga një raketë tokë ajër, origjina e së cilës mbetet akoma e pasigurtë.

Avioni fluturonte në nivelin e lartësisë 330 (rreth 10 000 metra) kur u zhduk nga radarët, sipas Eurocontrol, administruesi i hapësirës ajrore evropiane./ATSH/