Disa orë përpara nisjes për në Bruksel, kryeministri Edi Rama mblodhi sot grupin parlamentar në kryesinë  e Kuvendit.

Kësaj mbledhje gjithashtu iu bashkua dhe Belinda Balluku, për të cilën Kushtetuesja nuk mori dot vendim dhe pas ndarjes 4-4 u rrëzua kërkesa e Ramës, duke rikthyer edhe masën e pezullimit, vendim i cili pritet të botohet në fletoren zyrtare. 

Pas vendimit të Kushtetueses, Rama thotë se nuk ka urgjencë për trajtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin si dhe paralajmëroi ndërhyrje në legjislacion për të zgjidhur këtë ngërç institucional.

"Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion. 

E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit", shkroi Rama. 

Pas shprehjes së gjyqtarëve të Kushtetueses, radhën e ka mbledhja e Komisionit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK, të cilët kërkojnë heqjen e imunitetit të deputetit me qëllim arrestimin e saj.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama do të niset rreth orës 14:00 drejt Brukselit ku do të takohet me presidentin e Këshillit Evropian Antonio Kosta. Në fokus të bisedimeve do të jenë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:54
'S'ka urgjencë për arrestin', Rama pas vendimit të Kushtetueses për Ballukun: E vetmja palë e përmbushur është SPAK, mund të vazhdojë qetësisht hetimet

1770218034_edirama.JPG

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në profilin e tij në Twitter duke dalë me 3 konkluzione nga mbledhja e grupit parlamentar. Çështja kryesore është ajo e pezullimit të Ballukut nga detyra, ndërsa Rama ka paralajmëruar ndërhyrje në legjislacion për të zgjidhur këtë ngërç institucional.

Ndër të tjera Rama thotë se vetmja palë e përmbushur është SPAK, që mund të vazhdojë qetësisht hetimet.

Sipas Ramës, nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën e SPAK, të cilët kanë kërkuar arrestimin e saj, por për këtë duhet që Ballukut t’i hiqet nga Kuvendi imuniteti i deputetit.

Reagimi i Edi Ramës:

3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga:

1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton.

2. Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.

3. E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit.

Një shtesë nga ana ime:

SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen.