Mungesa e Erion Veliajt në drejtimin e Bashkisë së Tiranës ka bërë që kryeministri Edi Rama t’ rikthehet vëmendjes së shtuar ndaj punëve të kryeqytetit. Në selinë rozë mblodhi, përreth 1 orë, deputetët e qarkut të Tiranës, kryetarët e njësive të PS-së në kryeqytet dhe një pjesë të drejtuesve të bashkisë.

Siç mëson Report tv, Rama u ka kërkuar deputetëve dhe strukturave të partisë të jenë më pranë qytetarëve, të dalin në terren, të njihen me problematikat e tyre si edhe të afrojnë më shumë njerëz në parti. Fokusi ka qenë tek mirëadministrimi i punëve të bashkisë në një kohë kur kryetari i bashkisë qëndron në paraburgim prej më shumë se 1 viti, që prej 10 shkurtit të 2025-ës.

Për tu thelluar edhe më shumë në punë konkrete dhe administrimin e qytetit, Rama ka caktuar një tjetër mbledhje të enjten, këtë herë me ekipin drejtues, drejtoritë kryesore të bashkisë si dhe kryetarët e njësive administrative.

25 shtatorin e kaluar, me argumentin se mungesa e një kryetari efecient në detyrë po i shkaktonte kosto kryeqytetit i cili drejtohej me delegim nga nënkryetarja Anuela Ristani, Këshilli i Ministrave vendosi shkarkimin e Erion Veliajt.

Ishte Gjykata Kushtetuese ajo që e riktheu Veliajn në detyrë dhe preu hovin e socialistëve për zgjedhje të reja. I ndodhur përballë një vendimi të pakundërshtueshëm, Rama duke e konsideruar të paprecedentë atë që po ndodhte, i kërkoi Kushtetueses të lirojë Erion Veliajn nga paraburgimi.

“Kush ka dorë të ndihmojë në zgjidhjen e këtij ngërçi absurd duhet të kujtohet se përtej teorive konspirative, kryeqyteti nuk duhet të trajtohet si jetim për vite me radhë.  Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë për të vijuar procesin gjyqësor i lirë, kjo është gjeja më normale”, ka thënë Rama.

Çështjen e paraburgimeve në Shqipëri, kryeministri Rama e ka cilësuar si një nga fenomenet më urgjente që duhet të adresojë parlamenti dhe sistemi i drejtësisë, pasi numri i paraburgimeve në vend, që prek ndjeshëm edhe zyrtarë të lartë është mbi mesataren e vendeve Evropiane. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:43
‘Me këmbë e duar’ gjatë telefonatës, Rama del i nervozuar nga mbledhja me deputetët e Tiranës (VIDEO)

Në përfundim të mbledhjes me deputetët e qarkut të Tiranës, grupin drejtues të Bashkisë dhe kryetarët e njësive të PS, kryeministri Edi Rama është filmuar në dalje të selisë i shoqëruar nga Blerina Gjylahmeti teksa fliste në telefon. Telefonata nuk duket të ketë qenë e qetë, nga gjestikulacionet Rama duket i nervozuar duke i dhënë bashkëbiseduesit porosi të qarta për t’i përmbushur.