Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë sot drejt Turqisë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s, i cili do të zhvillohet për dy ditë radhazi (7 dhe 8 korrik) në Ankara.
Gjatë zhvillimit të Samitit, Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, si dhe do të marrë pjesë në sesionin e punimeve me liderët shteteve aleate.
Të nesërmen, Rama do të zhvillojë gjithashtu një takim dypalësh me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Pjesëmarrja e kryeministrit Rama në këtë samit vlerësohet si pjesë e angazhimit të Shqipërisë në strukturat e NATO-s dhe koordinimit me aleatët për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes.
Ndërkohë në kuadër të samitit, Erdoğan pritet të takohet me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin e dorëhequr britanik Keir Starmer, kryeministren italiane Giorgia Meloni, kryeministrin kanadez Mark Carney, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, Presidentin finlandez Alexander Stubb, Presidentin sllovak Peter Pellegrini, Kryeministrin bullgar Rumen Radev, si dhe Kryeministrin malazez Milojko Spajic.
Sipas agjendës, një nga takimet më të rëndësishme do të jetë ai kokë më kokë mes Erdoğanit dhe presidentit amerikan Donald Trump, i cili do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp.
Mbrëmjen e sotme, presidenti turk dhe bashkëshortja e tij, Emine Erdoğan, do të shtrojnë një darkë zyrtare për krerët e shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse, ndërsa më 8 korrik liderët do të zhvillojnë seancën plenare të samitit pas fotos tradicionale familjare.
Komente











