Alokimi i mbi 4 milionë eurove nga qeveria për financimin e koncertit të Kanye West ka shkaktuar debat të fortë publik, ndërsa kryeministri Edi Rama e mbrojti edhe një herë vendimin duke e cilësuar të domosdoshëm për të shmangur anullimin e eventit që sipas tij do dëmtonte e imazhin e Shqipërisë. Sipas tij, koncerti pritet të sjellë mbi 100 milionë euro përfitime ekonomike. E ashpër opozita sipas së cilës, shteti nuk mund të përdorë paratë e buxhetit për një aktivitet privat, dhe se akti normativ është nxjerrë në shkelje të Kushtetutës.

***

Përballë një vale reagimesh të provokuara nga vendimi i qeverisë për të financuar koncertin e Kanye West, kryeministri Edi Rama ka reaguar përsëri në rrjetet sociale.

"4 milionë euro në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjermësot kanë blerë me kohë biletat për Kanye West",- shkruan Rama.

Relacioni shoqërues i Aktit Normativ përmes së cilit u miratua financimi, shpjegon se katër ditë më parë,  organizatorët i janë drejtuar zyrtarisht ministrisë së Kulturës, për të kërkuar mbështetje institucionale e financiare për garantimin e realizimit të aktivitetit ndërkombëtar.

Sipas dokumentit eventi ishte në rrezik dështimi, për shkak se gjatë fazës së organizimit të aktivitetit, ka patur rritje të konsiderueshme të kostove dhe duhej të përmbushin disa detyrimeve kontraktore me rëndësi thelbësore për realizimin e tij..

Opozita reagoi ashpër duke vënë në dukje se financimi i qeverisë për koncertin përbën gati gjysmën e fondit rezervë të emergjencave, dhe një abuzim me Aktin normativ

"Kjo nuk është thjesht një zgjedhje e gabuar politike dhe një shpërdorim i parave të buxhetit. Por kjo bie ndesh me qëllimin e nenit 101 të Kushtetutës, i cili lejon nxjerrjen e akteve normative vetëm në raste nevoje dhe urgjence.

Cila është urgjenca në këtë rast? Mosshitja e biletave? Vështirësitë financiare të organizatorëve? Asnjëra prej tyre nuk përbën emergjencë kushtetuese dhe nuk justifikon përdorimin e fondit rezervë të shtetit",- deklaroi Zhupa.

Por nga samiti i NATO-s në ANKARA të Turqisë, Rama shkruan se Shqipëria llogarit jo më pak sesa 100 milionë euro të ardhura nga koncerti që do të mbahet me 11 korrik në një stadium të provizor, në autostradën Tiranë-Durrës, i ngritur posaçërisht për këtë event

"Mjafton të shihet shpërthimi i rezervimeve në booking.com për të premten, të shtunën e të dielën, për të krijuar një ide të përfitimit direkt ekonomik për familjet, biznesin dhe arkën e bashkisë e të shtetit, nga rritja e konsumit, pa llogaritur këtu fare përfitimin e shtrirë në kohë",- shkruan Rama.

Kreu i qeverisë ka një përgjigje edhe për ata që flasin për mungesën e ilaçeve në spitale dhe për aparaturat mjekësore, duke shkruar se vetëm pak ditë më parë, qeveria ka dhënë 15 milionë euro për ilaçet e të sëmurëve me kancer dhe 5 milionë për aparatura mjekësore.

Reagimi i plotë i Edi Ramës:

4 MILIONË EURO në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjermësot kanë blerë me kohë biletat për Kanye West;

për të mos humbur një mundësi fantastike promovimi të Shqipërisë Turistike, për një nga komunitetet më të mëdha të botës, dashamirët e muzikës; për të stimuluar ekonominë, e cila sa për një shembull, sipas UEFA-s, pati një hyrje prej 160 milionë eurosh nga Finalja e Conference League-s, ndërkohë që nga ky koncert - në kushtet e vështirësuara artificialisht prej dështakzemërakëve - ne llogarisim jo më pak se 100 milionë euro të ardhura. Mjafton të shihet shpërthimi i rezervimeve në booking.com për të premten, të shtunën e të dielën, për të krijuar një ide të përfitimit direkt ekonomik për familjet, biznesin dhe arkën e bashkisë e të shtetit, nga rritja e konsumit, pa llogaritur këtu fare përfitimin e shtrirë në kohë.

Tani sorrat dhe korbat e kanaleve sociale, janë turrur me një furi glasash duke bërë llogarira perverse prej manipulatorësh të paskrupullt, e duke bërë sikur qajnë hallin e popullit dhe deri edhe të sëmurëve me kancer, që do mbeten pa ilaçe si pasojë e “koncertit privat”, siç e quajnë djallëzisht.

Por mjerë ky popull e mjerë çdo i sëmurë, po të mbeteshin në kthetrat e këtyre zabrahanëve digjitalë, të mbështetur me këtë rast nga duart e armiqve e dashakëqinjve të Shqipërisë, të cilët lëshojnë papushim helm në kanalet sociale përmes dhjetëra mijëra profilesh fallco, duke përfituar nga etja për pushtet dhe kokëboshësia e uzurpatorëve të protestës qytetare.

U kujtoj të tërëve se vetëm pak ditë më parë, ne nxorrëm 15 milionë Euro plus vetëm për ilaçet e të sëmurëve me kancer dhe 5 milionë për aparatura mjekësore; dyfishuam mbështetjen për personat me aftësi të kufizuar dhe mbështetëm kujdestarët e tyre; dyfishuam mbështetjen për fëmijët me aftësi të veçanta; dyfishuam financimin e Start Up-eve; dyfishuam garancinë sovrane për programin dyfisho biznesin tënd; financuam një paketë të tërë ekstra për zhvillimin urban e rural, mbrojtjen dhe të gjitha këto e të tjera akoma ishin në Aktin Normativ të fundqershorit, ku qershia mbi tortë ishte padyshim bonusi i pensionistëve.

Tani çfarë duan sorrat dhe korbat që e privatizuan djallëzisht protestën qytetare të flamingove, duke i detyruar të shtegtojnë larg bulevardit?

Shumë e thjeshtë:

Duan të ndalin dhe kthejnë mbrapa Shqipërinë! Me dhunën e arbitraritetit, të sharjeve, të shpifjeve, të akuzave dhe kërcënimeve për këdo që mendon ndryshe prej tyre!

Ta harrojnë! Shqipëria nuk ndalet dhe nuk ka asnjë shans të kthehet mbrapsht