Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ditën e sotme lidhur me protestat e dhunshme që po zhvillohen prej disa ditësh në Tiranë.

Gjatë një takimi me mësues në Ministrinë e Arsimit, ku e pranishme ishte edhe ministrja Mirela Kumbaro, Rama i cilësoi sulmet e protestuesve si një luftë hibride që sipas tij po organizohet nga duar të stërvitura për këtë punë, me qëllim marrjen e pushtetit me dhunë, gjë e cila sipas kryeministrit s'ka për të ndodhur kurrë.

“Jemi këtu në këtë institucion që është bërë objekt i sulmit dhe në fakt i një agresioni të vërtetë me gurë të shkulur nga trotuaret e rrugës së Durrësit. Është vendosur në qendër të vëmendjes vetëm për një arsye, për të kamufluar ç’ka në të vërtetë është në burimin e helmuar të kësaj proteste. Për të krijuar idenë që kjo është një protestë për arsimimin dhe për të justifikuar këtë valë dhune që s’ka të bëjë as me nxënësit e as me studentët. Brenda atij grupi ka edhe studentë që janë të ekstremizuar në pikëpamjet e tyre, që u përkasin rrymave të reja të ekstremizmit politik, por problemi nuk janë asnjëherë studentët që ushtrojnë të drejtën e protestës. Këtu flasim për ushtrimin e dhunës. Kam marrë këtë gurin në dorë dhe kur imagjinon peshën që ky merr kur gjuhet drejt trupave të Policisë, është një armë që mund të shkaktojë edhe një tragjedi. Ky gur përcakton ku mbaron e drejta e protestës”, tha mes të tjerash Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:04
Protestat e dhunshme/ Rama: Nën puplat e flamengove ishin fshehur duart që sot dolën haptas

1792479374_edirama.jpg

Kryeministri Edi Rama është shprehur se ‘nën puplat e flamingove’ ishin fshehur duart që sipas tij dolën haptas me dhunën e ushtruar gjatë protestës.

“Kjo gjë është diçka që dihej, kur nën puplat e flamingove u fshehën edhe duart që sot kanë dalë haptas. Nga ana tjetër, çfarë e sfidon një shtet, e bën vetëm më të fortë. Policia e Shtetit meriton respektin e të gjithëve”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 08:58
Protestat/ Rama ‘u tërheq veshin’ pedagogëve: Disa prej tyre dalin e predikojnë duke e krahasuar valën e dhunës me ngjarjet e vitit 1990

1792478637_rama.jpg

Kryeministri Edi Rama ka shprehur rezerva për disa pedagogë, që sipas tij kanë dalë në mbështetje të dhunës në protesta, duke e krahasuar atë me ngjarjet e vitit 1990.

“Unë jam i bindur që duhet, por si do të realizojmë ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët deri në moshën 16-vjeç dhe si do të adresojmë gjithë këtë masë agresorësh të jetës dhe dinjitetit të njeriut, që përmes rrjeteve sociale kërcënojnë dhe i marrin qetësinë familjeve. Ju falënderoj për qëndrimin drejtë këto ditë, kur shumë lëkunden dhe predikojnë në media, deri në pikën si disa pedagogë që e krahasojnë këtë valë dhune me protestat e vitit 1990. Po unë s’dua të hy këtu sepse me pedagogët është një gjë tjetër dhe unë gjërat kam dëshirë t’i them përballë”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 08:33
Protestat e dhunshme/ Rama: Po krijohet ideja sikur po digjet e gjithë Shqipëria, sulmi organizohet nga duar të stërvitura për këtë punë (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar protestat që po zhvillohen gjatë këtyre ditëve në Tiranë si një luftë Hibride që funksionon duke përdorur shqetësimet reale të qytetarëve.

Rama tha gjithashtu se përmes sulmeve po krijohet ideja sikur po digjet e gjithë Shqipëria, por në fakt sipas tij, sulmet janë të organizuara nga duar të stërvitura për këtë punë, vetëm në një perimetër të paracaktuar.

“Interesa të lidhura me natyrisht paranë, me politikën, me pushtetin, në kuptimin e nevojës ulëritëse për të përdorur këtë shqetësim social dhe për ta kthyer në valë gurësh për të rrëzuar qeverinë me imponimin e dhunës, gjë që s’ka për të ndodhur kurrë, por që rëndon në mënyrë dramatike në psikologjinë e qytetarëve. Krijon idenë se këtu po digjet e gjithë Shqipëria, ndërkohë që ky është një sulm i organizuar në një perimetër të mirëpërcaktuar, që orkestrohet nga duar që janë të stërvitura për këtë punë, që ushqehet me benzinë si një zjarr i brendshëm nga aktorë të huaj. Kjo kuptohet dhe tani po bëhet një çështje e madhe në të gjithë Europën. Është një luftë hibride që funksionon sepse bazohet te shqetësime reale, jo te fantazira. Sigurisht që janë reale shqetësimet për të nesërmen e sigurt në raport me strehimin dhe mundësitë për të patur më shumë”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 08:24
Protestat e dhunshme/ Rama porosi mësuesve: Shkruani ditarin e këtyre ditëve, pasqyroni atë që ndodhi! Kjo flamë po tërheq fëmijët (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me mësues, në ambientet e Ministrisë së Arsimit, i ka porositur ata që të shkruajnë ditarin e këtyre ditëve dhe të pasqyrojnë atë ç’ka ka ndodhur me të miturit gjatë protestave të dhunshme.

“Jemi në një front të përbashkët për të kompensuar agresionin e imazheve që fëmijët marrin nga Tik Tok dhe platformat e tjera, ku tanimë janë bërë pjesë e një jete paralele ku ata kujtojnë se zgjedhin, por në fakt algoritmi i zgjedh dhe i shënjestron njësoj si rrjetet e shpërndarësve të drogës, që i çojnë në mënyrë të vazhdueshme te varësia nga diçka që i ndan nga realiteti. Lavdi Zotit pjesa më e madhe e nxënësve është e shëndoshë. Por rreziku që kjo pjesa tjetër të bëhet gjithmonë më e madhe, është një rrezik real. Prandaj ju duhet të bazohemi te eksperienca juaj. Kemi dakordësuar me ministren dhe me disa këshilltarë të arsyeshëm edhe idenë që secili prej mësuesve të shkruajë edhe ditarin e këtyre ditëve, në mënyrë të detajuar, me një narrativë shumë të thjeshtë, çfarë ndodhi, si ndodhi. Jo për të pasur një dokument për ta çuar në një organ ligjzbatues, por për të pasur mozaikun e një historie që do na vlejë kur ta lexojmë. Kjo do të na ndihmojë se ku duhet të ndërhyjmë qoftë në aspektin e sigurisë, qoftë në aspektin e atyre individëve që janë tërhequr nga kjo flamë”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 08:16
Kumbaro: Dhuna po u rrëmben fëmijëve orë nga jeta, kemi ngritur ekip psikologësh për t’i mbështetur

1792476095_mirelakumbaro.jpg

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro në takim me drejtorët e shkollave ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ka deklaruar se komunikimi me nxënësit dhe familjet e tyre është thelbësor për përballimin e situatës së krijuar nga protestat e dhunshme që prej disa ditësh po zhvillohen në Tiranë.

Kumbaro bëri të ditur se është ngritur një ekip psikologësh, të cilët do të jenë në dispozicion të nxënësve, prindërve dhe familjeve të prekura nga situata.

“Çdo orë që u’a merr dhuna, janë orë të rrëmbyera nga jeta e këtyre fëmijëve. Komunikimi është çelësi i suksesit. Kemi ngritur një ekip psikologësh që duhet të jenë në dispozicion të familjeve dhe prindërve. Çdo moment është një traum për ta dhe ne nuk do të lejojmë që ata ta kenë në historikun e jetës së tyre. Duke folur për Tiranën, ku kemi edhe problematikën më të madhe, në të gjitha shkollat e tjera ka vijuar procesi i mësimit normalisht, me shumë pak episode. Janë grupe që vijnë nga jashtë oborrit të shkollave që tentojnë të prekin stabilitetin dhe të krijojnë turbullira”, tha mes të tjerash ministrja Kumbaro.