Kryeprokurori të ikë apo të shkarkohet?

Prokuroria është organi, i cili ngre akuzën për veprimtari, të cilat i klasifikon si vepra penale. Ky organ mbart dhe përfaqësimin e shtetit përpara Drejtësisë. Gjatë periudhës post-diktatoriale, pritej që Prokuroria të ishte një organ i pavarur nga politika.

Kushtetuta i jep pavarësi të plotë për të vepruar Prokurorisë, por vetë prokurori i përgjithshëm zgjidhet nga Kuvendi me 3/5 e votave. Kjo ka sjellë gjithmonë në krye të këtij organi individë të politizuar, ushtarë besnikë të mazhorancës kuvendore. Për 25 vjet, ky organ nuk mundi t’u shpëtojë kthetrave të politikës. Arsyet mundet të jenë të ndryshme, por, me sa duket, "ushtari" nuk bëhet dot gjeneral.

Kjo ka bërë që Prokuroria të veprojë politikisht dhe të humbasë sensin profesional. Kjo është e prekshme në të gjithë drejtuesit e saj. Përse e themi këtë? Ka plot fakte kokëfortë që e vërtetojnë një gjë të tillë. Ka jo pak raste, kur ky organ "dështon me sukses". Nëse do t’i rendisim ndër vite, ato janë të shumta. Po t’u referohemi ngjarjeve të kohëve të fundit, ato do ta vërtetojnë një gjë të tillë. Pyetja del vetëvetiu: Përse Prokuroria nuk është në gjëndje të mbrojë akuzën e ngritur prej saj?

Nëse e shohim në aspektin e përditshëm, Prokuroria drejtohet pothuajse njësoj si në kohën e monizmit: Unë akuzoj dhe unë dënoj. Kjo vjen si pasojë, sa e vetësigurisë që ka Prokuroria në atë që kërkon, aq dhe nga mënyra e trajtimit të çështjes nga vetë ajo.
 
Hetimi 
Është një nga elementët thelbësorë për ngritjen e një akuze. Në shumicën e rasteve hetimi nga Prokuroria është i mangët, pa bazë ligjore dhe pa materjal të bollshëm faktik. Kjo bën që akuza të mbetet e vakët, ose e pabazuar në ligj e prova.

Nëse hetimet do të kryeshin në mënyrë profesionale, shkencore dhe ligjore, Prokuroria do ta pushonte çështjen, do ta ndryshonte akuzën ose do ta dërgonte çështjen në Gjykatë të plotë dhe të argumentuar ligjërisht. Prokuroria, e mësuar tashmë me trajtimin e çështjeve të përditshme në këtë formë, ka bërë që dhe çështjet e rëndësisë së veçantë t’i trajtojë po me të njëjtë formë. Si pasojë, rezultatet kanë qënë negative. Falë këtyre çështjeve, është bërë e mundur që opinioni të kuptojë se si funksionon Prokuroria.

Rastet e fundit janë tepër të rënda. Prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të deputetëve. Siç u pa nga të gjithë, ajo nuk paraqiti prova bindëse. Edhe pse mungonin këto prova, prokurori i pērgjithshëm e paraqiti kërkesën në Komisionin e Mandateve, që e përcolli nē mēnyrë ushtarake në seancën kuvendore, e cila ia plotësoi verbërisht kërkesën.
Dardha e ka bishtin prapa, thotë populli.

Hetim nuk u bë as për aksidentin e deputetit Olldashi. Prokuroria u tregua e mefshtë edhe për vrasjen e bankierit Santo, e tillë u tregua dhe me vjedhjen e Bankës së Shqipërisë dhe arrestimin e kryebankierit Fullani. E tillë u tregua edhe në ngritjen e akuzës për vrasjen e kryekomisar Lamajt, etj, etj. Të gjitha ngjarjet tregojnë se hetimi është joprofesional dhe me prapavijë politike. Askush nga Prokuroria nuk mban përgjegjësi për rrëzimin e akuzës. Të gjitha akuzat rrëzohen, pasi në to mungon hetimi i plotë, shkencor e ligjor. Po a ka arsye të tjera që e çojnë Prokurorinë më këtë situatë?
 
Gjyqësori
Prokuroria, pas ndalimit të personit, kërkon para Gjykatës ligjërimin e arrestimit, si dhe masën e sigurisë "burg pa afat" për çdo lloj të akuzuari. Pothuajse në të gjitha rastet, Gjykata, dhe pse pa prova bindëse, ia pranon kërkesën Prokurorisë.

Kjo masë ekstreme i ka krijuar kushte Prokurorisë që ta quajë veten "zot të së vërtetës". Gjithashtu, e ka bërë që të mos mbajë asnjë përgjegjësi për kërkesën e saj. E keqja qëndron se marrja e kësaj mase e bën të pamundur lirimin e të akuzuarit pa dënim. Pra, në një mënyrë apo në një tjetër, hetimet do të zgjaten dhe i akuzuari minimalisht do të dënohet me kohën e paraburgimit.
 
Korrupsioni 
Tashmë të gjithë, duke përfshirë dhe presidentin, si kryetar të KLD-së, deklarojnē se Drejtësia është e korruptuar. Askush nuk e drejton gishtin tek individi. Ky lloj deklarimi ka bërë që në sy të të gjithëve, gjyqtarët janë fajtorë, por dhe të pafajshëm. 

Nëse pranojmē se Drejtësia është e korruptuar, atëherë do të pranojmë se dhe drejtuesit e saj janë të korruptuar. Pra, në një sistem të korruptuar, nuk mundet të dalë asnjë i larë. Nga buron ky korrupsion, lind pyetja? Nga rryshfeti apo paaftësia?

Përsa i përket rryshfetit, është e vërtetë që paraja është tunduese. Eshtë po aq e vërtetë që drejtësia tek ne shitet e blihet. Nëse nuk do të derdhej lumi i parave drejt drejtësisë, askush nuk do ta akuzonte atë si të korruptuar. Por, dhe nëse njerëzit nuk do të detyroheshin të blinin të drejtën e tyre me para, prapë nuk do ta akuzonte njeri. Populli thotë se "fshati që duket s'do kallauz". 

Jo rrallë herë kemi të bëjmë dhe me paaftësinë profesionale. Kjo paaftësi fillon qysh në momentin e ndalimit, ku flitet si për mënyrë, ashtu dhe për materjalet, e deri tek vendimi përfundimtar. Kjo paaftësi nuk është vetëm tek çështjet penale, por dhe tek ato civile. Gjithësesi çështjet penale kanë një shtrirje më të gjërë të institucioneve. Janë çështje, të cilat kanë bërë jehonë më të madhe. 

Pse duhet të dorëhiqet prokurori i përgjithshëm ose, në të kundërt, të shkarkohet nga Kuvendi? 
Ligji i njeh të dyja rastet. Dorëheqja, përveç moralit, i jep të drejtë individit edhe të japë shpjegime se përse është kjo situatë. I jep të drejtën për të treguar se ka pavarësinë e vet në të vepruar. Por, me sa shihet, prokurori nuk e ka ndërmënd një gjë të tillë. Atëhere i del detyrë Kuvendit të kërkojë shkarkimin e tij. Ky do të quhej hapi i parë drejt një reforme. Reforma duhet kryer fillimisht në mentalitetin e organit të Akuzës.

Nuk mundet të vazhdohet më me këtë mentalitet. Dështimet e Prokurorisë janë prezente dhe askush nuk mundet t’i mohojë. Nëse do të vazhdojë të mungojë nisma për shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm, atëhere na lind e drejta të themi se kemi të bëjmë me një Prokurori të politizuar dhe të keqpërdorur nga politika.

Kjo është e pakundërshtueshme, pasi vetë grupimet politike, herë akuzojnë Prokurorinë e mbrojnë Gjyqësorin, e herë mbrojnë Gjyqësorin dhe mbrojnë Prokurorinë. Kjo tregon se të dyja janë nën sqetullën e politikës.

Kjo rrugë, jo që nuk të çon drejt reformës, por pa mëdyshje drejt institucionit të politizuar. Istitucionet e politizuara sjellin vetëm diktatura.
Shpresojmë që një gjë e tillë mos të ndodhë… 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 17 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

‘Nuk më pëlqejnë burgjet belge’, kreu shqiptar i një bande në Britani nuk pranon deportimin: Kam djalin dy vjeçar këtu

‘Nuk më pëlqejnë burgjet belge’, kreu shqiptar i një bande në Britani nuk pranon deportimin: Kam djalin dy vjeçar këtu