Kryetarët e të gjitha bashkive të Qarkut të Dibrës duket se nuk janë dakord që harta territoriale të ndryshojë.

Të ftuar në komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale në Kuvend, kryetarët e Dibrës, Bulqizës, Matit dhe Klosit theksuan se nëse harta preket, shërbimet do të ishin më të vështira.

Kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, është shprehur se nëse do të ndryshonte harta territoriale në atë zonë, do të ishte e vështirë mbulimi i qytetarëve me shërbime.

“Bashkia Klos ka një territor prej 357 kilometra katrorë. Është e vendosur në qendër si bashki dhe e barazlarguar me të gjithë fshatrat. Fshati më i largët që unë përmenda është 40 km larg nga qendra e Bashkisë. Unë jam dakord që të mos ketë ndryshim të statusit juridik apo të territorit të kësaj bashkie, sepse relativisht është e mbuluar me shërbime me këtë territor që është”, tha Valbona Kola.

Edhe kryebashkiaku i Dibrës, Rrahim Spahiu, deklaroi se në bazë të hartës aktuale administrative, të gjithë fshatrat e bashkisë mbuloheshin me shërbime.

Por ndryshe nga 3 kryebashkiakët e tjerë, Spahiu tha se në Dibër nuk duhet të jenë më 15 njësi administrative.

“Përsa u përket njësive administrative, është e vërtetë që Dibra ka 15 njësi administrative. Është e vërtetë që e ka bashkia apo Këshilli Bashkiak kompetencë për shtimin apo shkurtimin e këtyre njësive administrative. Dhe besoj që në Dibër sot është koha që nuk duhet të jenë 15 njësi administrative”, tha mes të tjerash Spahiu.

Festime Mjeshtri, kryetare e Bashkisë Bulqizë, deklaroi se nëse Bulqiza do të bëhej një bashki më e madhe, atëherë do të ekzistonte rreziku që shërbimi ndaj qytetarëve të ishte më i vështirë.

Ajo tha gjithashtu se Bashkia Bulqizë duhet të qëndrojë si bashki më vete, pasi sipas saj, renditet e dyta në qark për numrin e popullsisë.

“Atëherë nëse Bulqiza do të bëhej bashki më e madhe, atëherë do të ekzistonte rreziku që shërbimi ndaj qytetarit të ishte më i vështirë. Pranda Bashkia Bulqizë duhet të qëndrojë më vete, për shkak se mbart edhe peshën më të madhe të popullsisë, e dyta në qark”, tha mes të tjerash Mjeshtri.

Ndërkohë kryetari i Bashkisë Mat, Altin Bojni, tha se bashkia që ai drejton, me hartën aktuale territorial, arrin të mbulojë gjithë territorin me shërbime.

“Bashkia Mat ka eksperiencën që ka krijuar për të ofruar shërbimin për territorin aktual që ka, në çdo cep të Bashkisë Mat”, tha mes të tjerash Bojni.