Kritika të forta pati kryetari i bashkisë së Poliçanit në Komisionin e Reformës Territoriale. Duke e nisur fjalën e tij se si kryetar bashkie prej 25 vjetësh, i ka kapur të dyja reformat, Adriatik Zotkaj tha se ajo e vitit 2014 ishte e dështuar.

“Unë kam gati 25 vjet kryetar bashkie dhe i kam kapur të dyja reformat. Reforma e 2014 është e dështuar, personalisht kam kërkuar të bëhej reforma e decentralizimit të pushtetit. Në territor, u mor harta dhe po hiqet fija kë komunitet do të zhdukim dhe kë do të lëmë, për arsye politike, ekonomike etj”, tha kryebashkiaku.

Ndërsa listoi një sërë investimesh në Poliçan që i dëshmoi si eficencë të bashkisë, Zotkaj pati një kritikë për punën e Komisionit.

“Nuk besoj se e keni seriozitetin dhe forcën, jua them me fakte se kam guximin t’jua them, jo çdo bashki është e njëjtë”, tha ai.

Thirrja e tij në vijim të punës së reformës u përqendrua te shtresa e cenueshme dhe pa mundësi ekonomike e shoqërisë. Zotkaj tha se shkrirja e bashkive të vogla do të sjellë shpopullim të qyteteve.

“Te kjo reformë duhet të shikoni njerëzit e varfër, jo vetëm shifrat. Doni të na ktheni në ish-kooperativa, vërtet ato kishin eficencë, por kishte maternitet e qendër. Automatikisht do të shpopulloni qytetet. Nëse bashkia sot ka 1068 biznese dhe 400 biznese, në shkrirjen e kësaj bashkie s’do të jetë asnjë”, u shpreh kryebashkiaku i Poliçanit.

Vërejtje pati edhe për vendin e mbledhjes së Komisionit.

“Ju ftoj të vini sepse kushtetuta thotë ta bëni dëgjesën atje në Poliçan, jo të na mblidhni këtu apo në Berat e Dibër. Berati s’ka interes, nuk shkrihet. Hajdeni te komunitetet atje”, tha Zotkaj.

Duke u shprehur se tashmë s’ka asnjë ambicie politike, por s’mund të heshtë, përkrahu qëndrimin e PD për numër më të lartë bashkish, ndërsa vlerësoi punën e Maznikut për pagat e administratës.

“Unë personalisht e kam mbyllur karrierën politike dhe nuk më intereson lufta me pushtetin, por s’mund të hesht përpara atyre njerëzve që më kanë votuar 25 vjet rresht dhe thashë, është hera e parë që jam me krahun e PD. Mazniku ka bërë një të mirë te pushteti vendor, u rritën pagat në administratë. Kjo ka bërë që të kthehen shumë intelektualë në qytetet tona dhe pushtetin vendor sot e shohin me shumë zili, për shkak të pagave”, u shpreh Zotkaj.

Në fund, kryebashkiaku i Poliçanit bëri edhe një tjetër deklaratë duke thënë se askush nuk e ndien veten kryetar bashkie. Madje, u tha deputetëve se falë kartonit, mund të vazhdojnë të mbajnë mandatin, ndërsa kryebashkiakët jo, edhe pse janë çdo ditë me qytetarët.

“Nuk ka gjë më të shtrenjtë se liria, se ne me kolegët e flasim në tavolina, por s’guxon njeri ta thotë. Ne na janë hequr gjithë kompetencat si kryetar bashkie me kufizimin e mandateve. Ju që jeni deputetë që votoni, keni të drejtë. Ne që ballafaqohemi çdo ditë me qytetarët, s’kemi të drejtë se kush ka kartonin dhe kjo është shkelje e kushtetutës. Nuk e kam personale. S’mendoj që ndonjë nga kolegët e mi sot e ndien veten kryetar bashkie”, përfundoi Zotkaj.