Sezoni turistik, siguria në shkolla, rendi në rrugë dhe parandalimi i zjarrvënieve ishin në fokus të takimeve që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, zhvilloi me strukturat e Policisë në Kukës dhe Dibër.
Hita kërkoi disiplinë, më shumë prezencë në terren dhe reagim të shpejtë ndaj çdo shqetësimi të qytetarëve. Ai u ndal te goditja e armëmbajtjes pa leje, kapja e personave në kërkim, lufta ndaj shpërndarjes së drogës pranë shkollave, kultivimit të kanabisit, ndjekja me përparësi e rasteve të dhunës në familje, goditjen e lojërave të fatit, krimeve mjedisore, trafiqeve të paligjshme, krimeve ekonomike dhe krimeve kufitare.
Një pjesë e rëndësishme e porosive të shefit të bluve lidhej me sigurinë rrugore. Hita kërkoi monitorim intensiv me mjete inteligjente në akset kombëtare, duke shmangur ndalesat pa arsye dhe kontaktet e panevojshme të efektivëve me drejtuesit e mjeteve. Në qendrat urbane, ai kërkoi kërkuar jo vetëm nga Policia Rrugore, por edhe nga patrullat e Përgjithshme dhe Forca “Shqiponja” masa të forta ndaj parkimeve në trotuare, vijat e bardha apo parkimeve dyshe e treshe, si edhe ndaj shoferëve që bëjnë manovra të rrezikshme dhe krijojnë zhurma me marmita të modifikuara, duke u kthyer në shqetësim serioz për qytetarët.
Hita ndaloi edhe te siguria e turistëve dhe shërbimi në kufi, duke kërkuar më shumë sportele në rast fluksi dhe komunikim korrekt me qytetarët dhe turistët.
Një tjetër shqetësim që ngriti Hita shte ai për zjarrvëniet gjatë verës.
“Tani fillon vera dhe bashkë me të fillojnë zjarret, ndaj duhet filluar puna menjëherë duke marrë kontakt me administratorët e njësive administrative, t’u dërgohet njoftim barinjve që janë përgjegjës për territorin që kanë marrë në përdorim, në rast se bie zjarr apo konstatohen kultivime të bimëve narkotike. Gjithashtu, të evidentohen dhe të mbahen në kontroll ata persona që kanë shkaktuar zjarre vitet e kaluara” tha Hita.
Në fund të takimeve, Drejtori i Përgjithshëm theksoi se është në krah të çdo punonjësi të ndershëm të Policisë dhe shumë i ashpër ndaj kujtdo që abuzon me detyrën dhe besimin e qytetarëve.
Komente








