Në vijim të vizitës zyrtare në Itali, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, i shoqëruar nga deputetët e Grupit Parlamentar të Miqësisë me Italinë, u takua me Presidentin e Senatit të Republikës Italiane, Ignazio La Russa.

Gjatë takimit u riafirmuan lidhjet e fuqishme historike dhe aktuale miqësore mes dy popujve, të cilat përbëjnë bazën e bashkëpunimit të sotëm mes parlamenteve, qeverive dhe institucioneve të të dy vendeve.

Niko Peleshi, shprehu mirënjohjen e shqiptarëve për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në zhvillimin, demokratizimin dhe progresin e Shqipërisë, duke theksuar se vendi ynë ka zgjedhur një destinacion të vetëm strategjik për të ardhmen, familjen europiane. Ai nënvizoi se Shqipëria po ecën me shpejtësi drejt Bashkimi Europian, duke vlerësuar mbështetjen e fuqishme të Italisë dhe lobimin e saj me vendet e tjera anëtare të BE-së.

Në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, si dhe potencialet e reja për zgjerim në sektorë si teknologjia e informacionit dhe inteligjenca artificiale.

U vlerësua roli i komunitetit arbëresh dhe i emigrantëve shqiptarë në Itali si një urë e rëndësishme miqësie mes dy vendeve, si edhe mbështetja e Italisë për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe vlerave të arbëreshëve.

Peleshi theksoi nevojën për zgjerimin e bashkëpunimit parlamentar mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Senatit Italian, duke vlerësuar gjithashtu qasjen dhe kontributin e Italisë për stabilitetin, sigurinë dhe perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.

Nga ana e tij, Presidenti i Senatit, Ignazio La Russa, rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për avancimin e shpejtë dhe anëtarësimin sa më parë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai theksoi se dy vendet janë aleate të ngushta në NATO dhe vlerësoi politikën e jashtme dhe të sigurisë së Shqipërisë, në mbrojtje të vlerave të lirisë, demokracisë dhe paqes.

Presidenti La Russa garantoi se Senati Italian do të vijojë të mbështesë dhe të nxisë Partneritetin Strategjik dhe bashkëpunimin gjithëpërfshirës dypalësh mes dy vendeve.

Në përfundim të takimit, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ftoi Presidentin e Senatit të Republikës Italiane, Ignazio La Russa, për një vizitë zyrtare në Shqipëri.