Kryetari i Lëvizjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka uruar të gjithë shqiptarët në prag të ardhjes së vitit të ri 2026.
Abdixhiku shkruan se ky vit për të nuk përfundoi ashtu siç ai shpresonte, referuar zgjedhjeve të fundit të zhvilluara në Kosovë më 28 dhjetor, ku u rendit forcë e tretë pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Lumir Abdixhiku shkruan se është i zhgënjyer dhe se ky ishte një vit reflektimi personal. Ky postin i Abdixhiut është përthyer dhe si një tjetër paralajmërim për dorëheqje nga drejtimi i partisë. Të njëjtin nënkuptim ai e dha dhe në momentin që u publikuan rezultatet paraprake, duke marrë përsipër përgjegjësitë e dështimit dhe nevojën e hapjes së partisë për figurat e reja.
Ai falënderon çdo person që ka punuar për LDK-në ndërsa e përmbyll postimin e tij duke uruar shëndet dhe paqe në çdo shtëpi shqiptare.
“Miq, qytetarë e mbështetës,
Ky vit po mbyllet ndryshe nga sa kemi shpresuar. Rezultati i zgjedhjeve nuk ishte ai që synova e synuam; ishte i dhimbshëm për shumë prej nesh. Por është verdikti i qytetarëve tanë, dhe para këtij vendimi përulemi me respekt.
Në këtë fundvit, dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë ata që besuan, që punuan, që sakrifikuan kohë, familje, energji dhe zemër për LDK-në dhe për rrugën që besuam bashkë. E di që shumë prej jush ndiheni të zhgënjyer sot; edhe unë jam një prej jush. Por besimi ynë në Kosovë, në demokraci dhe në të ardhmen nuk duhet të shuhet kurrë.
Ky është edhe një vit reflektimi personal. Kam bërë gjithçka që kam ditur dhe mundur, me ndershmëri dhe me përkushtim. Ndonjëherë, edhe kur jep maksimumin, nuk mjafton; dhe këtë e pranoj me dinjitet. Përpara nesh është një kohë reflektimi, vendimmarrjeje dhe përgjegjësie. Me kohë e në vendin e duhur, siç na mëson dinjiteti e përgjegjësia politike, do t’i shpalosi të gjitha. Çfarëdo që sjell e nesërmja, unë do të jem gjithmonë në shërbim të vendit tim.
Në këtë natë të fundvitit, dua ta gjej kohën e humbur tek familja ime, tek dy vajzat e mia, të cilave u kam borxh më shumë kohë, më shumë prani time, më shumë dëgjim.
Ju uroj të gjithëve një Vit të Ri të mbarë; juve dhe familjeve tuaja. Le të kemi një vit më të butë, më njerëzor, më të drejtë për Kosovën tonë. Shëndet, paqe në shtëpitë tuaja dhe besim se e mira, sado vonë të vijë, vjen gjithmonë.
Gëzuar 2026!
Zoti e bekoftë atdheun tonë.
Lumiri”, shkruan Lumir Abdixhiku në postimin e tij.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, LDK mori 119.201 vota ose 13.57% përkthyer në vetëm 15 mandate. Krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit, partia e Abdixhikut mori 171.357 vota ose 18.27%, pra rreth 52 mijë vota më shumë sesa në zgjedhjet e dyta.
Komente











