Udhëheqësi i koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, Ismet Kryeziu, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se partitë politike që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit, duhet të bëjnë publike qëndrimet lidhur me veprimet e tyre me tarifat ndaj mallrave serbe dhe bisedimet me Serbinë, në mënyrë që qytetarët të informohen për ato. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, zoti Kryeziu thotë se koalicionet parazgjedhore të partive politike janë një mundësi shumë më e mirë që qytetarët të dinë për platformat politike dhe shmang ngecjet e mundshme për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeziu, Kosova tashmë ka hyrë në një proces të ri zgjedhor. Si e shihni këtë proces krahasuar me zgjedhjet e kaluara?
Ismet Kryeziu: Realisht në zgjedhjet e kaluara kemi pasur një veprim ad-hoc të koalicioneve të ndërtuara, të cilat mendoj që nuk kanë pasur bazë programin dhe idetë më tutje, por kanë pasur si bazë interesin për t’u grupuar në grupacione në momentin e fundit për të arritur i pari e për të caktuar përbërjen e qeverisë. Mendoj se tani nga data e dorëheqjes së ish kryeministrit, zotit Haradinaj, tani kemi pasur disa tentative të partive politike të cilat vazhdojnë deri në afatet kohore kur është 30 gushti që të ofrohen dhe të krijojnë platforma politike dhe qeverisëse të bazuara në programe. Mendoj që kjo është një e arritur pak diferencuese ose e ndryshme nga ajo që kemi pasur nga zgjedhjet e kaluara.
Zëri i Amerikës: Një çështje që vazhdimisht është diskutuar është ajo e reformës zgjedhore. Sipas jush pse nuk ka ndodhur një gjë e tillë deri më tani?
Ismet Kryeziu: Mendoj se reforma zgjedhore ose ideja e mungesës së përkushtimit të liderëve politik për reformim të sistemit zgjedhor është e lidhur me fuqinë e tyre, sepse ky sistem zgjedhor mendoj se është duke krijuar parti politike të dobëta dhe lider të fortë dhe konsideroj që arsyeja kryesore është ngecja ose mos përkushtimi i këtyre liderëve për të ndërruar fuqinë e tyre brenda subjekteve politike, për arsye se reforma zgjedhore do të prekte edhe demokracinë brenda subjekteve politike dhe normalisht që do të kishim struktura dhe parti politike shumë më demokratike dhe shumë më të fuqishme. Edhe fuqia e liderit do të zbehej dhe nuk do të ishte kjo fuqi e këtyre liderëve për 20 vjet që vazhdojnë të udhëheqin me këto subjekte politike.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeziu, ju dhe koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ka disa vite që tashmë vëzhgoni zgjedhjet. Sipas jush, cilat janë mangësitë kryesore të partive politike, flasim për transparencën, mënyrën e financimit?
Ismet Kryeziu: Mendoj që partitë politike nuk kanë arritur që të kenë programe konkrete të prezantuara në fushata zgjedhore, por besojmë që ky proces tani do ta bëj diferencën nga proceset e kaluara. Ana tjetër është që partitë politike nuk janë transparente mjaftueshëm në krijimin e një të hyre buxhetore dhe shpenzimit buxhetor transparent për publikun i cili përdoret për fushatën zgjedhore. Ne kemi pasur pika krahasimore kur kemi bërë monitorimin e shpenzimeve të subjekteve politike dhe del një mospërputhje në bazë të asaj që raportojnë partitë politike. Edhe në këtë fushatë ne do ta kemi fokusin e monitorimit të shpenzimeve të partive politike sepse shpenzimet e partive politike ose shpenzimet që bëhen gjatë fushatës zgjedhore, janë një pikë kyçe e cila ndikon në tërheqjen e votuesit ose që ne shpeshherë e quajmë, në blerjen ose mundësinë e blerjes së votës, përdorimin e resurseve publike dhe të gjitha këto janë që nuk garantojnë një garë të barabartë. Mendoj që ky është fokusi që duhet partitë politike të jenë më të përgjegjshme dhe ne si qytetarë të kërkojmë llogaridhënie mbi shpenzimet e mjeteve që bëjnë ata dhe t’i mbajmë të përgjegjshëm për mënyrën e financimit dhe transparencës. E dyta është ajo që partitë politike po konsideroj që ende nuk kanë arritur në nivelin e organizimit ku nuk është me rëndësi individi edhe nuk është me rëndësi lideri, por është me rëndësi programi dhe është me rëndësi kabineti edhe është me rëndësi përbërja e qeverisë e cila do të qeverisë me Kosovën pas daljes nga këto zgjedhje dhe ne po e shohim që edhe më shumë në këtë fushatë po tentohet që lideri të jetë ai, udhëheqësi dhe lideri të jetë pika kryesore e besimit të votuesit që kjo nuk do të ishte e keqe por gjithsesi ne kemi nevojë për programe, kemi nevojë për të ditur për kabinetin qeveritar, kemi nevojë për të trajtuar tema dhe për të parë se cilat do të jenë zgjidhjet që do të ofrojnë partitë politike pas këtyre zgjedhjeve. Dhe po mendoj që partitë politike ende nuk kanë filluar dhe ndoshta koha kur jemi se ende nuk ka filluar fushata zgjedhore, por besoj që në vazhdim, në periudhën kur do të filloj fushata zgjedhore, ndoshta do të kemi mundësi të shohim gjithë këto vlera të prezantuara nga subjektet politike.
Zëri i Amerikës: Demokracia në Veprim zakonisht për zgjedhje del me një thirrje për votuesit. Cila është kjo thirrje për këto zgjedhje?
Ismet Kryeziu: Ne kemi filluar më 2017 me edukimin e votuesve ose fushatën me kampanjën me hashtag “As unë”, për të mos votuar kandidatë të korruptuar ose kandidatë që pretendohen që janë të përfshirë në afera korrupsioni. Mendoj se jemi duke vazhduar këtë kampanjë edhe tani dhe u bëjmë thirrje qytetarëve ose slloganin të cilin ne e kemi “mos u anko dhe dil e voto”. Është kjo thirrje për të votuar kandidatë me integritet për të pasur përfaqësim që ne e dëshirojmë. Shpeshherë pas zgjedhjeve ne kemi njëfarë lloj dëshpërimi nga ana e qytetarëve për rezultatin që del. Por. ne duhet ta dimë si qytetarë se fuqia jonë, refleksioni jonë është ai që me gjashtë tetor do të zgjedh përfaqësuesit tanë. Për atë arsye mendojmë se ndryshimi ose ideja nga lëvizja ose momentum në qoftë se qytetarët e vërejnë një momentum jo të mirë për jetën e tyre, për kualitetin e jetës së tyre tani është mundësia në dorën e tyre më 6 tetor dhe zgjedhja e tyre do të kushtëzoj ose përcaktojë përfaqësimin, kualitetin dhe vlerat e jetës. Për atë arsye edhe ne jemi të interesuar të kemi një përfaqësim kualitativ, të kemi një përfaqësim me integritet edhe e vazhdojmë këtë kampanjë “as unë nuk do të votoj kandidatët e korruptuar”. Ky është mesazhi më i mirë. Ana tjetër që kishim dashur të bëjmë gjatë këtij procesi zgjedhor dhe mendojmë që partitë politike duhet ta bëjnë, është edukimi i votuesve se si të votohet. Ne kemi pasur mbi 5 për qind vota të pavlefshme në mungesë të njohurive të mjaftueshme për të votuar. Partia politike e ka edhe këtë obligim përveç shoqërisë civile, përveç Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, se nëse i bëjmë thirrje për të pasur një edukim të votuesve shumë më kualitativ edhe partitë politike duhet t’i edukojnë votuesit e tyre për mënyrën se si të votojnë, në mënyrë që secila votë të jetë e vlefshme edhe ne mos të humbim 5 apo 6 për qind të votave dhe të sigurohemi që qytetarit i është dhënë mundësia që ai të votoj në mënyrë të informuar. Për këtë mendoj se partitë politike duhet të kenë një rol më të fuqishëm në këtë proces që qytetarët të cilët dalin të votojnë më 6 tetor, të jenë të informuar për mënyrën e votimit, për pesë votat preferenciale, për të gjitha ato procedura e që nuk e bëjnë votën e tyre të pavlefshme.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeziu, javëve të fundit partitë politike po krijojnë koalicione parazgjedhore ndërsa disa të tjera janë në negociata për një gjë të tillë. Si i shihni ju këto koalicione parazgjedhore?
Ismet Kryeziu: Praktikat e deritashme në Kosovë kanë treguar që pas zgjedhjeve ne kemi pasur sfida në formimin e institucioneve dhe në krijimin e qeverisë. Normalisht kemi pasur edhe shumë pakënaqësi për shkak se forca dhe fuqia e krijimit të këtyre koalicioneve pas zgjedhjeve kanë mbetur në dorën e liderit të një subjekti politik e kjo jo gjithmonë është bartur me frymën e votuesit për çka edhe ka votuar. Mendoj se koalicionet parazgjedhore janë një mundësi shumë më e mirë që qytetarët të dinë për platformat politike, për partitë e përbashkëta të cilat marrin përgjegjësi për të qeverisur por edhe shmang ato ngecjet në formimin e qeverisë dhe funksionimit pas zgjedhor. Mendoj që vlerat e koalicionit e japin këtë mundësi të koalicionit parazgjedhor. Tani kemi subjekte politike të cilat thirren në profilet e tyre, me ideologjitë e tyre dhe mendoj që është një momentum i mirë politik që jo vetëm kandidatët për kryeministër por koalicioni, kabineti qeveritar po të prezantohej, po të prezantoheshin qëndrimet mbi temat, do të ishte një kualitet i arritur i vlerës së shtuar në këto zgjedhje dhe mundësisë së qytetarit për t’u informuar por edhe do të shmangte të gjitha ato pengesa që supozohet që do ta dilnin pas 6 tetorit në krijimin e institucioneve.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeziu, qeveria e re pritet të përballet me shumë sfida duke përfshirë këtu çështjet e brendshme siç janë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformave të ndryshme, ndërsa nga jashtë me çështjet e tarifave ndaj mallrave serbe dhe ripërtëritjen e bisedimeve me Serbinë. Çfarë duhet të bëj qeveria e ardhshme për çështjen e tarifave dhe bisedimet me Serbinë?
Ismet Kryeziu: Zgjedhjet normalisht përveç që ndikojnë në jetën e brendshme qytetare, institucionet qeveritare që dalin pas zgjedhjeve kanë përgjegjësi edhe për politikat ndërkombëtare. Çështja e dialogut nuk shumë zgjidhje e çështjes, nuk është zgjidhje shumë e vullnetit tonë edhe pse hisedarë në çështjen e dialogut nuk është vetëm Kosova, sepse marrëveshja me Serbinë nuk prek vetëm dy shtetet por prek edhe politikat dhe interesat gjeostrategjike të aleatëve tanë dhe shtetet e Quintit që kanë dhënë qëndrimin e tyre. Presioni publik ndërkombëtar dhe angazhimi i tyre ndërkombëtar, gjithsesi e bën temën e parë dhe të domosdoshme adresimin e kësaj çështjeje në raport me Serbinë. Por, edhe unë vet si qytetar i Kosovës mendoj se kjo çështje duhet të adresohet në mënyrë që të na mundësoj më tutje të merremi më shumë në mënyrë kualitative dhe më përmbajtjesore me çështje të brendshme. Kjo do të jetë një nga çështjet kryesore që ne duhet presim nga këto zgjedhje; cili do të jetë qëndrimi i partive politike, si do t’i qasen kësaj çështjeje dhe debatet të cilat kanë qenë të shumta rreth shkëmbimit të territoreve, çështja e kufijve. Të gjitha këto mendoj se qytetari ka nevojë të votoj i informuar duke i ditur qëndrimet e subjekteve politike se si do të reagojnë në këtë çështje. Gjithsesi janë tema tjera shumë të rëndësishme lufta kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik, janë tema shumë të rëndësishme të cilat ndërlidhen me efikasitetin dhe përkushtimin e këtyre zgjedhjeve dhe të dalurit nga zgjedhjet, qoftë në anën e legjislativit qoftë në anën e ekzekutivit. Mendoj që këto janë tema shumë të rëndësishme për të cilat qytetarët duhet të kenë informacion, cili do të jetë qëndrimi, duke përfshirë taksën. Tani kanë filluar të debatojnë edhe subjektet politike të cilat kanë qenë në qeveri dhe thonë që taksa është e tejkaluar, ka subjekte politike që janë duke e mbrojtur taksën si një mundësi që të mos përfshihet si temë në dialog. Të gjitha këto mendoj që është mundësia që qytetarit t’i jepet një qëndrim i qartë nga subjektet politike rreth këtyre temave edhe qytetari të përzgjedh vet mënyrën se si dëshiron t’u qaset këtyre temave. Është mundësia më e mirë që ne me 6 tetor t’i kemi qëndrimet e qarta nga subjektet politike. Thash, kjo temë nuk është temë që u takon vetëm qeverisë dhe institucioneve të Kosovës por është temë që ka edhe hisedarë ndërkombëtarë dhe prek raportet ndërkombëtare në zhvillimet gjeostrategjike të politikave më të mëdha dhe ne duhet të kemi një qëndrim si shtet normalisht, si institucione të cilat pritet të dalin nga këto zgjedhje dhe nuk guxojmë të mënjanojmë nga fokusi dhe përgjegjësitë tona shtetërore për përfundimin ose përmbylljen e marrëveshjes me Serbinë si shtet fqinj por edhe hapjen e një perspektive të re për Kosovën për t’u fokusuar në zhvillimet e brendshme, që janë lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik. VOA