KSAMIL- Pesë ditë pas vrasjes te "Principotes" në Ksamil, grupi hetimor ka arritur të gjejë thikën me të cilën u godit për vdekje turisti portugez, Luis Miguel Varela Mende. 20-vjeçari u godit me thikë nga Sokrat Vata, i cili më pas tentoi të arratisej i ndihmuar nga dy turq, duke fshehur edhe armën e krimit. Thika, e cila është gjetur në dalje të Ksamilit në një ambient me shkurre të pyllëzuar, tashmë është sekuestruar dhe do t’i nënshtrohet ekspertizës për të vërtetuar nëse është arma me të cilën portugezi u qëllua për vdekje.

Mbrëmjen e 18 gushtit, pas vrasjes, Vata i mbuluar me gjak i ka kërkuar ndihmë një prej DJ që performonte në klubin e natës të “Principotesit” për ta transportuar deri në qendrën shëndetësore të Ksamilit. Më pas ai ka zbritur nga makina, ka ndaluar në një rrugë me kalldrëm dhe disa metra larg makinës, DJ ka dëshmuar se e ka parë të hedhë diçka me forcë. Në të njëjtin vend ku DJ ka lënë 29-vjeçarin Vata, është gjetur edhe arma e dyshuar e krimit.

Fakti që Sokrat Vata kishte një thikë në dorë gjatë përleshjes del edhe nga dëshmitë e shokëve të 20-vjeçarit portugez. Tre prej tyre kanë përshkruar për hetuesit momentet e konfliktit dhe e kanë identifikuar Vatën si personin që mbante thikën.

Adib Ghanmi dëshmon se fillimisht Vata ka goditur me thikë në këmbë shokun e tyre Tourpal Khitaev dhe më pas Luis Miguelin.

“Më pas erdhi një person, i veshur me rroba të bardha, me flokë të gjata, i cili mbante një thikë në dorë dhe fillimisht ka goditur një shokun tim të quajtur Tourpal me thikë në këmbë dhe më pas ka goditur edhe shokun tjetër, i cili u vra me thikë në zemër”, dëshmon Ghanmi.

Edhe vetë Tourpal Khitaev ka deklaruar se gjatë përplasjes Vata kishte thikë në dorë dhe e kishte plagosur në këmbë.

“Njëri prej tyre, i veshur me rroba të bardha të shkurtra, me pak mjekër, flokë gështenjë, më tërheq nga krahu. Ai kishte thikën në dorë dhe më goditi mua në këmbë”, ka dëshmuar Khitaev.

Ndërsa Ibrahim Leimoeiv ka treguar se ka parë një person me thikë t'i drejtohej fillimisht Tourpalit dhe më pas Luis Miguelit, por për shkak të përleshjes dhe numrit të madh të personave nuk ka parë momentin e goditjes fatale.

Sipas dinamikës së rindërtuar nga pamjet e kamerave, përplasja zgjati vetëm 6 minuta dhe ndodhi jashtë ambienteve të “Principotes”, në zonën e plazhit, ku në konfliktin me grupin e turistëve u përfshinë Sokrat Vata dhe David Heurtevent, ky i fundit ende në kërkim. Vata dyshohet se ishte ai që ka qëlluar me thikë ndërsa Heurtevent, shqiptar me nënshtëtsi britanike ka dhunuar me grushte turistët.

Në përleshjen me turistët u përfshinë edhe kamerierët Ildi Cekani, Serxhi Selimi, Murat Zhabina dhe Ervis Bunci, si dhe truprojat Luciano Seferi, Moisid Matushaj dhe Romeo Shehu (të dypunësuar pa leje pasi punonin në Policinë e Shtetit, në Policinë e Burgjeve dhe Policinë Bashkiake) dhe Kristi Kosho.

Pronari i ‘Principotes’, Bekim Bulica, ndodhej në lokal kur ndodhi ngjarja, por u zhduk dhe tani është në kërkim. Gjykata vendosi mbajtjen e Vatës në qeli nën dyshimet për vrasje me dashje. Arrest me burg u dha dhe për 5 persona të tjerë të përfshirë, dy turqit dhe 3 kamarierë, ndërsa për 5 truproje detyrim paraqitje.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë