FUSHË-KRUJË - Policia e Krujës bën me dije se dy futbollistë të klubit të Ilirisë të Fushë-Krujës dhe një zyrtar, konkretisht Adolf Selmani, Brajan Selmani dhe Jornels Selmani (përfaqësues klubi), do hetohen në gjendje të lirë. Dyshohet se para sfidës kundër Skënderbeut, e cila ishte programuar për të mërkurën në orën 13:30 dhe u shty, disa nga futbollistët e Ilirisë janë konfliktuar me ata të Skënderbeut në dhomat e zhveshjes.

Situata doli nga kontrolli dhe FSHF shtyu ndeshjen, ndërsa sipas policisë i lënduar lehtë ka mbetur sulmuesi i korçarëve, Saleh Nasr.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë: -referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. S., B. S. dhe J. S., të tre futbollistë, pasi dje, përpara fillimit të ndeshjes së futbollit “Iliria-Skënderbeu”, dyshohet se janë konfliktuar në dhomat e zhveshjes, me futbollistët e ekipit kundërshtar. Si pasojë është dëmtuar lehtë, futbollisti, shtetasi S. N. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme", njofton policia e Krujës.

Pas anulimit të ndeshjes, klubi i Ilirisë reagoi publikisht duke thënë se në stadium nuk pati dhunë, gjë që hidhet poshtë nga policia.