Ndër provat e Prokurorisë kundër ish ministrit të Punës Spiro Ksera, akuzuar për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, janë dhe këto dy foto të siguruara nga ReportTv, njëra është origjinale dhe tjetra e falsifikuar nga punonjësit e Kserës.
Sipas organit të Akuzës ministria ka manipuluar me Photoshop foton e një aktiviteti të zhvilluar nga PNUD në Shqipëri, duke e shitur si foto të një aktiviteti të zhvilluar nga ministria, për të cilin është marrë edhe fond, por që nuk është zhvilluar kurrë. Pra ministria mjaftohej vetëm me një foto të përpunuar për të justifikuar paratë që merrte nga buxheti i shtetit për zhvillimin e aktiviteteve me rëndësi sociale për komunitete të ndryshme në vendin tonë.
Konkretisht bëhet fjalë për një foto të 11 prillit të vitit 2013 që paraqet një aktivitet për komunitetin rom të financuar nga PNUD në Shqipëri, në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Romëve. “Me romët për Romët” është aktiviteti i financuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara PNUD.
(Foto origjinale e aktivitetit te organizuar nga PNUD, ne posterin e madh lexohet edhe emri i aktivitetit "Me romet, per romet")
Ish-vartësit e ministrit të qeverisë "Berisha 2", ish-shefi i kabinetit Kleves Bitro në bashkëpunim me të tjerë kanë marrë të njëjtën foto, e kanë përpunuar përmes programit "Photoshop" dhe e kanë vendosur në dosjen e një tjetër aktiviteti për romët "Kapërceni Paragjykimet, Njihni Romët”. Nga buxheti i shtetit është paguar për këtë aktivitet, por paratë kanë shkuar në xhepat e ish-zyrtarëve, të cilët i "realizonin" këto aktivitete vetëm në dukje, pra duke manipuluar fotot.
(Foto e falsifikuar nga punonjesit e Kseres, fshihen simbolet qe lidhen me PNUD dhe financuesit e aktivitetit, ne krye vendoset emri i ri i aktivitetit "Kapërceni Paragjykimet, Njihni Romët”)
Fotot janë ndër 30 provat që Prokuroria disponon ndaj ish-ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale Spiro Kserës dhe 7 personave të tjerë nën hetim, mes tyre dhe 2 gra.
( Faksimile e prokurorisë ku përmëndet aktiviteti Me Romët për Romët )
Sipas dosjes së Prokurorit Tavani aktivitetet e rreme me të cilat janë vjedhur 30 milion lekë janë:
“Prioriteti i minoriteteve – Barazi në të drejta”, pretendohet se është zhvilluar me datë 27 qershor deri me datë 3 korrik 2013 në Gjirokastër dhe zonën e Dropullit.
“Kaperceni paragjykimet - Njihni romët”, pretendohet se është zhvilluar nga data 28 qershor deri me date 1 korrik 2013.
“Ne sfidojmë të gjithë së bashku” ku me letra rezulton i organizuar më 1 deri 11 korrik 2013, e konceptuar si një garë me fëmijët e zonave rurale të disa njësive vendore e bashkive të qarkut të Tiranës.
“Mosha e trete vlerë për shoqërinë”, pretendohet se është organizuar më 6 deri 11 korrik 2013, aktivitet me 50 të moshuar të shtëpisë së të moshuarve Tiranë.
“Të ndryshëm por të barabartë” që rezulton se është organizuar me datë 1 deri 6 korrik të 2013, aktivitetet me fëmijët e verbër dhe me probleme mendore.
“Përfshirja sociale-drejtësi sociale” në dokumentacion rezulton se është organizuar nga datë 1 deri 5 korrik 2013, për trajnimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara.
Ksera u arrestua mbrëmjen e së premtes në një lokal në fshatin Dervican ku ai jeton, ndërsa një ditë më parë (31 janar) Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë "arrest me burg" për ish-ministrin, dhe Artevis Menen, një ish-punonjës i ministrisë së tij i arrestuar po të premten.
Ndërkohë, në kërkim rezultojnë ende tre persona.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)