“Në faqet e gazetës “Shqiptarja.com” në muajin gusht të këtij viti janë publikuar të dhëna për pasurinë e subjekteve që në mbështetje të ligjit nr. 9049 datë 10.06.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë (i ndryshuar)”, janë të detyruar të deklarojnë pasurinë e tyre.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) vlerëson misionin e rëndësishëm të medias për të marrë informacion dhe për t’ia transmetuar atë publikut të gjerë, sidomos për çështjet që paraqesin interes të veçantë publik. Këto publikime kanë tërhequr në fakt edhe vëmendjen e KSHH-së si një organizatë joqeveritare që vepron në fushën e mbrojtjes së të drejtave të shtetasve dhe që synon zbatimin e ligjit. Megjithatë KSHH, si një organizatë e pavarur dhe e paanshme nuk paragjykon asnjë subjekt dhe asnjë të dhënë të deklaruar lidhur me pasuritë që disponojnë subjektet e ndryshme”, thotë KSHH.
Reagimi i qytetarëve
Komiteti Shqiptar i Helsinkit deklaron se shumë qytetarë kanë shprehur shqetësimin për shumat e mëdha të parave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“KSHH në përmbushje të misionit të tij, vlerëson kontaktet e vazhdueshme që ai ka me qytetarë të shtresave të ndryshme, të cilët kanë shprehur shqetësimin lidhur me disa të dhëna të pasurive të deklaruara që paraqiten në shuma të mëdha, shtrirje të gjerë edhe në lloje të ndryshme. Këtë shqetësim, KSHH e quan të drejtë dhe të ligjshëm.
Ky është interesim i taksapaguesve shqiptare që duan dhe synojnë që zyrtarët dhe funksionarët e lartë, përfaqësuesit e zgjedhur prej tyre si dhe gjithë subjektet e tjera që parashikon ligji i mësipërm, të krijojnë pasuritë e tyre vetëm mbi bazën e të ardhurave të ligjshme dhe të justifikuara si dhe të jenë të papërlyer”, thuhet në deklaratën e KSHH.
Apeli
Komiteti Shqiptar i Helsinkit u kërkon organeve kompetente që të publikojë të dhënat për raste e kontrolluara.
“KSHH mendon se publikimi në media ka të bëjë me të drejtën e informimit ndërsa në çështjen konkrete problem kryesor do të ishte rezultati i kontrolleve dhe verifikimeve që ushtrohet nga organi kompetent. Është fjala për rastet kur këto kontrolle janë kryer dhe kanë përfunduar.
E theksojmë këtë sepse të dhënat e publikuara në shumicën e rasteve i përkasin disa viteve dhe jo vitit apo muajve të fundit. KSHH duke ju referuar neneve 31 dhe 40 të ligjit nr 9049 datë 10.06.2003, të ndryshuar, mendon se nuk do të përbënte sekret shtetëror dhe as do të cenonte ligjin mbi të drejtën e informimit dhe mbrojtjes së të dhënave personale që rastet e kontrolluara dhe të verifikuara të bëheshin publike. Konkretisht publiku duhet të informohet se cilët janë subjektet që kanë bërë deklarime në kundërshtim me ligjin dhe që nuk justifikojnë pasuritë e deklaruara, d.m.th burimin e tyre”, thuhet në deklaratë.
Gjyqtarët që morën para dhuratë nga gjyshet dhe kunatat
Gjyqtarët e shkallës së parë dhe apelit kanë deklaruar para dhuratë nga gjyshja, motra, babai, kunata etj., për të justifikuar transaksionet bankare dhe blerjen e pasurive të paluajtshme, brenda apo jashtë vendit. Neritan Cena, gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, njëherësh edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjatë vitit 2016, rezulton se ka blerë dy pasuri të paluajtshme në Gjermani, me vlerë 48 mijë euro dhe 25 mijë euro. Cena ka blerë gjithashtu, së bashku me bashkëshorten, edhe një apartament me sipërfaqen 101 m2, në Selitë të Tiranës, me vlerë 5 400 000 lekë. Për të justifikuar blerjet e pasurive të lartpërmendura, gjyqtari Cena thotë se motra e tij i ka bërë dhuratë 16 mijë euro. Ai deklaron gjithashtu se babai i tij, Bajram Cena, i ka dhënë dhuratë 22 mijë euro. Cena shton se ka përfituar nga babai edhe një shumë tjetër 550 000 lekë. Anëtari i KLD vijon më tej, duke deklaruar si kunatës i ka marrë hua 9 mijë euro, ndërsa djalit të xhaxhait i ka marrë 2 mijë euro. Ndërsa, gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Rezarta Mataj, deklaroi 35 mijë euro dhuratë nga gjyshja e bashkëshortit. Me këtë shumë, gjyqtarja ka mbyllur në 5 janar 2016 një kredi afatgjatë me vlerë 30 mijë euro për blerjen e një shtëpie.
Gjyqtari me 18 apartamente brenda vitit
Anëtari i Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj, gjatë vitit 2016, ka deklaruar në deklaratën e pasurisë 18 apartamente të reja dhe tre njësi ndërtimore në Ishull Shëngjin, Lezhë. Si burim për krijimin e pasurive të paluajtshme, gjyqtari referon një kontratë me një kompani të caktuar, por nuk ka të dhëna se sa është vlera e kontratës si dhe për burimin e parave që mbulojnë vlerën e kontratës.
Sipas deklaratës së pasurisë që po publikon Shqiptarja.com, apartamentet janë me sipërfaqe: 292 m2, 62 m2, 67 m2, 54 m2, 60 m2, 51 m2, 54 m2, 66 m2, 59 m2, 55 m2, 54 m2, 55 m2, 67 m2, 51 m2, 54 m2, 55 m2 etj. Anëtari i Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj, për vitin 2016, deklaron edhe tre pasuri e paluajtshme, njësi në Ishull Shëngjin, Lezhë, me sipërfaqe 16 m2, 15 m2 dhe 218.06 m2.
Ai thotë se ka dy sipërfaqe trualli 1941 m2, në Ishull Shëngjin. Gjyqtari sqaron se vlera e blerjes së truallit është 16 000 euro. Këto para burojnë nga pjesa e shitjes së shtëpisë në Rr. Don Bosko, me vlerë 55 mijë euro. Po gjatë viti 2016, gjyqtari deklaron 30 mijë euro të ardhura nga dhënia me qira e një lokali dhe ambienteve për banim në Shëngjin.
Prokurori që bleu 2 shtëpi e 3 garazhe me paratë e gruas
Prokurori i Tiranës, Arian Përmeti, vetëm gjatë vitit 2016, ka deklaruar 32 pasuri të paluajtshme, të trashëguar nga babai, duke përfshirë apartamente, dyqane dhe troje.
Ndërsa prokurori Hysen Keta deklaron një shtëpi trekatëshe në Tiranë, me sipërfaqe ndërtimi 60 m2, me vlerë rreth 20 mijë USD. Prokurori thotë se truallin e ka trashëguar nga babai, ndërsa godinën e ka ndërtuar vetë nga viti 1996-2003, me të ardhura nga puna si avokat.
Ndërkaq, prokurori Sokol Malaj, thotë se ka blerë dy apartamente dhe tre garazhe, kryesisht me parë që ka fituar bashkëshortja. Konkretisht, Sokol Malaj deklaron se ka blerë një apartament banimi me sipërfaqe 96 m2 dhe 51 m2, si dhe garazh, me vlerë 78 775 euro. Si burim për vlerën e parave, prokurori deklaron të ardhura të realizuara nga biznesi ‘klinikë dentare’, e bashkëshortes, Ana Malaj.
Po gjatë vitit 2016, Malaj deklaron blerjen e një apartamenti banimi me sipërfaqe 176 m2, si dhe dy garazhe, me vlerë 15 990 500 lekë. Si burim, ai referon një kredi bankare 6 000 000 lekë si dhe të ardhura të realizuara nga biznesi ‘klinikë dentare’ e bashkëshortes. Për vitin 2016, Malaj deklaron 2 787 732 lekë të ardhura nga biznesi i vogël, klinikë dentare. Nga veprimtaria shoqërisë ‘Oleum Transport’, ai deklaron edhe 8 000 000 lekë të ardhura për vitin 2016.
Redaksia Online
D.T/Shqitparja.com