Nga ky avion zbritën shqiptarë të moshave të ndryshme, kryesisht të rinj të cilët u shoqëruan nga një përfaqësues Gjerman. Të gjithë këta persona u kthyen në mënyrë vullnetare dhe me shpenzimet e shtetit Gjerman. Ndaj këtyre personave, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit njoftoi se nuk do të kenë masa penalizuese që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë në vendet shenge. Ndërsa për ata persona të cilët do të kthehen nga qeveria Gjermane do t’u ndalohet hyrja në këto vende për një periudhë 5-vjeçare.
Të pyetur nga gazeta “Shqiptarja.com”, disa prej të tyre shprehen të pa kënaqur përsa i përket jetesës së tyre në pak muaj që ata kishin kaluar në Gjermani. Sandri Agaraj, një djalë i ri nga Vlora tha se të gjithë personat të cilët janë kthyer dje në Shqipëri janë kthyer në mënyrë vullnetare pa asnjë shpenzim nga ana e tyre. Ai rrëfen për gazetën tmerrin që ka përjetuar në shtetin Gjerman, në 5 muaj jetese në çadrat e azilantëve.
Ndërsa shoku i tij nga Fieri i cili nuk dëshiron të përshkruajë me detaje atë se çfarë ai ka përjetuar në Gjermani thotë: “Nëse do të mallkosh njeri, i thuaj le të shkojë në Gjermani”. Gjithashtu, po të njëjtën situatë paraqet edhe një 22 vjeçar nga Pogradeci i cili shprehet se në kamp, përveç mbipopullimit në dhoma, nuk kishte as se me çfarë të ushqeheshe.
Ai tha se në 2 vakte bukë në ditë nuk hanin asgjë tjetër përveç makaronave dhe pilafin, madje edhe disa herë kemi harxhuar edhe lekë nga xhepi për të ngrënë diçka kur nuk kishim ushqim. Duke qeshur ata shprehen se nuk kanë punuar as një ditë që kur kanë shkuar në Gjermani, ndërsa nëse kanë marrë lek nga ky shtet disa shprehen se merrnin 143 euro në muaj e disa të tjerë thonë se nuk kanë marrë asgjë.
Sandri Agaraj
Sa kohë keni që keni shkuar në Gjermani?
Kam rreth 5 muaj që kam ikur andej dhe tani u ktheva pasi atje nuk mund të jetoje më.
Ku jetonit ju dhe cilat ishin kushtet ku ju rrinit?
Në mes të rrugës. Që kur kam shkuar në Gjermani kam jetuar në çadra të cilat ishin vetëm për azilantët që vinin nga të gjitha vendet. Nuk kam se çfarë të them se në çfarë kushtesh kam jetuar unë atje.
Ju po thoni që keni jetuar në çadra, po kampe nuk kishte?
Kishte por duhej të bëje një kërkesë për të shkuar atje. Por as atje nuk mund të rrije pasi dhomat ishin të vogla dhe në to rrinin nga nga 4 deri në 6 persona.
Çfarë ju jepnin si ushqim?
Hanim vetëm dy vakte në ditë. Na jepnin vetëm oriz dhe makarona edhe këto shum pak, as gjysmë pjate.
Ishte dëshira juaj për t’u kthyer në Shqipëri apo ju detyruan?
Asnjë nga të gjithë ne që u kthyem sot (dje) nuk është detyruar për t’u kthyer. Para pak ditësh ata nxorrën një fletë si tip lajmërimi ku thuhej se kush dëshironte të kthehej në vendin e vet në mënyrë vullnetare. Dhe shpenzimet e kthimit i hoqën ata ne kemi paguar vetëm vajtjen.
A ka më shqiptarë të cilët nuk janë kthyer dhe nëse po, pse mendoni se kanë qëndruar?
Po ka akoma që nuk janë kthyer dhe mendoj se mund të kenë qëndruar me shpresën se mund të fillojnë ndonjë punë.
Mendoni të shkoni sërisht në Gjermani?
Edhe sikur me para e florinj të ma shtrojnë rrugën deri atje nuk kam për të shkuar më. Nuk po them se këtu është më mirë, sepse as këtu nuk ka punë, por di të them se jam në shtëpinë time.
Cili është mesazhi juaj për ata persona që nuk janë kthyer ende dhe ata të cilët mendojnë të shkojnë në Gjermani?
Ata që janë akoma andej e shohin vetë situatën se si është dhe duhet të kthehen sa më parë. Kurse për ata që mendojnë të shkojnë do ju thosha të mos e marrin veten më qafë kot.
Romeo Dinglloshi
Sa kohë keni që rrinit në Gjermani dhe ku keni jetuar atje?
Kam 5 muaj që kam shkuar atje dhe rrija në një kamp me kushte skandaloze. Jetonim disa veta në dhomë dhe tualeti ishte i përbashkët për të gjithë. Madje duhej të mbaje rradhë edhe për një dorë pilaf.
Gjatë kohës që keni jetuar atje, ju premtoj njeri punë? Po lekë ju ka ofruar njeri? Dhe a mendoni të shkoni sërisht?
Asnjë nuk më premtoj punë, as kur u nisa dhe as kur kam qëndruar atje. Doja të kthehesha më parë por shpresa për një punë më ka mbajtur atje dhe nuk do munndja kurrë të shkelja në Gjermani.
Klidjan Cane
Sa kohë keni qëndruar në Gjermani?
Kam 2 muaj që rri atje. Shkova të kërkoja punë por nuk gjeta. Nuk po duroja dot më të rrija dhe mendova të kthehesha vullnetarisht, meqë nuk do shpenzonim asgjë për kthimin.
Nëse do të jepet mundësi të ikje sërisht, do të shkoje?
Vetëm nëse do të kishte punë do të rrija por pa pasur punë nuk mund të shkoj më në Gjermani.
Shqiperia vend i sigurt origjine
Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova do të klasifikohen si vende të sigurta të origjinës, me kërkesë të Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët.
Kjo është bërë me synimin e procedimit të shpejtë të refugjatëve nga vendet e Ballkanit të cilët kërkojnë azil ekonomik në Gjermani, që tashmë do të marrin një përgjigje brenda tre muajve.
Ky vendim do të ketë efekt të drejtpërdrejtë tek refugjatët që kërkojnë azil pasi kjo do të thotë se çdo kërkesë për azil nga refugjatë nga këto tre vende tashmë do të cilësohet si e pabazuar dhe do të lejohet vetëm në disa raste të veçanta.
Në kuadrin e këtij aksioni të ndërmarrë nga institucionet gjermane për kthimin e përshpejtuar në atdhe të azilkërkuesve shqiptarë, sot mbërritën në aeroportin e Tiranës edhe 70 azilkërkues të cilët janë kthyer me dëshirë.
Në gjashtë muajt e parë të këtij viti në Gjermani kanë kërkuar azil 22.209 qytetarë nga Shqipëria. Ndërsa nga Kosova janë 31.400 qytetarë. Në total, numri i aplikimeve për azil në Gjermani deri në fund të muajit qershor ishte 179 mijë, duke shënuar një rritje me 132% në krahasim me një vit më parë.
Për vitin 2015, deri tani nga këta vetëm 1.310 qytetarë nga Shqipëria kanë fituar statusin e azilantit. Ndërsa nga Kosova kanë marrë përgjigje pozitive 1 900 persona.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)