TIRANE- ‘Jemi policia! Mos lëvizni, se ju vrasim.’ Kjo ka qenë shprehja e katër personave të maskuar dhe të armatosur, të cilët kanë sulmuar banesën e dy vëllezërve nga Llakatundi i Vlorës. Dy djemtë, të cilët kanë punuar në emigracion, të cilët mësohet se janë kthyer për të jetuar me familjen e tyre, kanë përfunduar të plagosur me armë zjarri nga grabitësit, ndërsa këta të fundit, kishin bërë të mundur lidhjen e prindërve të tyre, në katin e parë, para se të ngjiteshin për në katin e dytë. Vëllezër Dane dhe Resmi Toraj, kanë tentuar të përleshen me ‘policët-grabitës’, por njëri prej tyre, që mbante armë, ka qëlluar mbi ta.

Të parin, ka qëlluar Resmiun, i cili edhe i ka ndjerë i pari, teksa grabitësit janë shquar në katin e dytë, ndërsa më pas ka dalë nga dhoma e gjumit edhe Danja. Mirëpo, grabitësi, ndërsa ka qëlluar Resmiun në këmbë, plumbin për të vëllanë ia ka rezervuar në pjesën e barkut, duke e lënë të plagosur rëndë. Duke patur parasysh se autorët kanë plagosur dy persona, ata kanë vendosur të largohen pa tentuar të kërkojnë më për para. Dy vëllezërit e përgjakur janë përpjekur të njoftojnë të afërm për t’iu dhënë ndihmën e parë dhe në momentin që kanë zbritur në katin e parë, kanë gjetur dy prindërit e moshuar të lidhur.

Policia pas ngjarjes   
Policia e Vlorës ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes ku edhe ka nisur punën për të zbardhur ngjarjen. Janë marrë dëshmitë e para të dy të plagosurve, të cilët i kanë thënë policisë, se kishin punuar në emigracion prej vitesh, ku Dane kishte rreth një vit që ishte kthyer, ndërsa vëllai i vogël, Resmiu, kishte rreth një muaj. Të dy vëllezërit kishin vendosur të qëndronin në Shqipëri dhe për këtë fakt, dikush ka qenë në dijeni të kthimit të tyre. Policia ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, ku mësohet se në fakt, autorët kanë qenë profesionist, pasi nuk kanë lënë asnjë gjurmë në vendin e ngjarjes.

Dyshimet e para kanë rënë mbi kontingjentin e zonës, ndërsa janë shoqëruar 11 persona, të cilët pasi kanë lënë dëshmitë e tyre janë lënë të lirë nga policia. Referuar të dhënave që vijnë nga blutë e Vlorës mësohet se po punohet intensivisht, paçka se personat janë prezantuar si punonjës policie dhe ekziston rreziku i përsëritjes së aktit. Policia ka mundur të fiksojë detaje të vlefshme nga dëshmia e familjes Toraj, kryesisht në lidhje me dialektin që përdornin autorët si dhe të përshkrimit fizik të tyre.   
 
Flet i plagosuri: Autorët të armatosur
Resmi Toraj, njëri nga dy vëllezërit e plagosur në tentativën e grabitjes në Llakatund të Vlorës, ka treguar nga shtari i spitalit, detajet e atij momenti tmerri kur është përballur me katër persona të armatosur në shtëpi: "Dy veta më erdhën mua, mos lëviz më thanë se do të të qëlloj, jemi policia, mos bëni asnjë lëvizje. U ngritën fëmijët nga gjumi, unë u ngrita pastaj më erdhi njëri me thikë edhe më qëlloi tjetri me pistoletë pastaj. Sa doli vëllai nga dhoma tjetër e qëlluan dhe atë", tha Toraj.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)