Kthehet fenomeni i hapjes së kutive
KQZ pranon kërkesën për Durrësin

Kthehet fenomeni i hapjes së kutive<br />KQZ pranon kërkesën për Durrësin
Kutitë do të hapen përsëri, kësaj here me kërkesë të demokratëve, të cilët duan të vërtetojnë se në 21 qershor kanë votuar dhe njerëz që në të vërtetë ishin emigrantë. Do të jenë 7 kutitë e materialeve zgjedhore në bashkinë e Durrësit, të cilat do të hapen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ky proces pritet të nisë ditën e hënë pasi, KQZ vendosi të marrë në konsideratë kërkesën e tre anëtarëve të KQZ, Vera Shtjefni, Hysen Osmanaj dhe Klemend Zguri për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore: “Kur mbështetet nga dy anëtarë të KQZ-së, kur këto prova administrohen vetëm nga KQZ-ja, pranohet menjëherë pa ju nënshtruar afatit apo votimit në KQZ,”- tha Vera Shtjefni. Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso tha se në këto qendra votimi është votuar për të paktën 250 emigrantë nga persona të tjerë.

“Kemi një listë me 250 emra, dhe nga verifikimi që kemi bërë, me kampionë, rezulton që të gjithë këta persona as kanë ardhur e as e kanë pasur ndërmend të vinin në Republikën e Shqipërisë ditën e zgjedhjeve, dhe aq më pak të votonin,”- tha Kaso. Por ky pretendim u cilësua i pabazuar nga PS, pasi Eridian Salianji tha se kjo është një përpjekje për të bërë pis procesin zgjedhor në Bashkinë e Durrësit. “Hiqni dorë nga këto kërkesa, nuk kanë fare lidhje me procesin, por kërkojnë vetëm që të bëjnë pis procesin e të ngrenë tym mbi diçka që nuk ekziston”,- tha Salianji.

Kërkesa ankimore e PD për hapjen e këtyre kutive u mbështet nga tre anëtarë të KQZ-së të cilët kërkuan që të kryhet hetimi administrativ në këto kuti, pasi pretendohet se 250 vota të emigrantëve janë hedhur nga persona të tjerë. Po ashtu KQZ vendosi t’i japë PKD dhe ADS materialet filmike të procesit të numërimit të votave në Bashkinë e Durrësit, pasi pretendohet për tjetërsim të rezultatit zgjedhor në këtë KZAZ. Më herët PD dështoi në një tjetër betejë për Bashkinë e Durrësit.

Një javë para zgjedhjeve, ajo kërkoi me insistim nga KQZ-ja dhe më pas edhe nga Kolegji Zgjedhor, të ç’regjistroheshin rreth 2800 votues, me pretendimin se ata ishin votues fiktivë. Pasi u shpreh Kolegji Zgjedhor, demokratët i janë ridrejtuar sërish KQZ-së, me kërkesën e çregjistrimit të zgjedhësve, që sipas tyre janë shtuar në mënyrë fiktive në Bashkinë e Durrësit, e më pas edhe në atë të Kavajës.

Anëtarët e KQZ-së u ndanë 4 me 3, në qëndrimin nëse është apo jo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që ka si detyrim të bëjë çregjistrimin e zgjedhësve, dhe përfundimisht lista zgjedhore nuk u ndryshua. Ndërkohë prokuroria po heton për këtë çështje, duke marrë nën hetim kryebashkiakun Vangjush Dako.
 
Kurbin, Kolegji vendos mos përsëritjen e zgjedhjeve
Kolegji Zgjedhor i ka dhënë fund maratonës së zgjedhjeve për bashkinë e Kurbinit duke vendosur të rrëzojë kërkesën e Partisë Demokratike që kërkoi pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve në këtë njësi vendore. Partia Demokratike iu drejtua Kolegjit më kërkesën për rrëzimin e vendimit të KQZ për Kurbinin si dhe shpalljen të pavlefshme e përsëritje të zgjedhjeve në Bashkinë e Kurbinit. Përfaqësuesi ligjor i PD tha se gjithë procesi është administruar në shkelje të Kodit Zgjedhor ndërsa KQZ ka marrë vendime të pabazuara. KQZ dhe PS në këtë proces i kërkuan Kolegjit rrëzimin e kësaj kërkese.


Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në fshatin 'Arshin Lengo', era favorizon përhapjen e flakëve

Gjirokastër/ Zjarr në fshatin 'Arshin Lengo', era favorizon përhapjen e flakëve